Sali Berisha ka nisur “ripërtëritjen” e Partisë Demokratike duke ftuar figura të reja. Arkimed Lushaj (i njohur me emrin e artit Stresi), djali i Sali Lushajt, ish-badyguardit të Berishës, do t’i futet politikës, duke kandiduar për Këshillin Kombëtar të PD.
Stresi ka zbuluar se është propozuar nga Sali Berisha për të kandiduar. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai shkruan se kandidimi i tij nuk është thjesht politikë, por përgjegjësi, përfaqësim dhe besim te rinia shqiptare.
“Sot kam vendosur të hedh një hap më shumë për vendin tim, për të rinjtë dhe për zërin e një brezi që shpesh është ndjerë i papërfaqësuar.
Kandidimi im për Këshillin Kombëtar të PD-së nuk është thjesht politikë është përgjegjësi, përfaqësim dhe besim tek rinia shqiptare.
Kam ardhur nga rruga, nga jeta reale, nga sfidat që çdo i ri i njeh mirë. Prandaj dua që zëri ynë të dëgjohet aty ku merren vendimet.
Nuk ka më kohë për heshtje, për largime apo për dorëzim. Ka ardhur koha që rinia të ngrihet, të flasë dhe të marrë vendin që meriton.
Ftoj çdo të ri që beson te ndryshimi, te energjia e re dhe te Shqipëria që mund të bëhet më mirë, të bashkohet me mua në këtë rrugëtim.
Sepse e ardhmja nuk pret. Dhe ajo ndërtohet nga ne”, shkruan ai.

