Jane arrestuar rreth 90 zyrtare te larte ne Serbi, por kush po jep urdher, kur edhe me tutje ne pushtet de jure eshte Vucic.
Serbia po përjeton një situatë të pazakontë politike. Pushteti i Aleksandar Vuçiçit është mposhtur në zgjedhje, por njerëzit e tij vazhdojnë të udhëheqin qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme. Megjithatë, policia dhe prokuroria kanë filluar arrestimin e zyrtarëve të lartë policorë, drejtuesve institucionalë dhe biznesmenëve të fuqishëm. Kush po i jep urdhrat dhe pse institucionet u aktivizuan pikërisht pas humbjes së Vuçiçit?
Kush po e udhëheq realisht shtetin serb në këtë periudhë të tranzicionit?
Në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, Lista Studentore fitoi 140 nga 250 ulëset e Kuvendit të Serbisë, ndërsa lista e Aleksandar Vuçiçit mori 103 mandate.
Rezultatet përfundimtare u certifikuan më 5 nëntor. Qeveria e re ende nuk është formuar dhe mbledhja konstituive e parlamentit është caktuar për 17 nëntor.
Kjo do të thotë se administrata e vjetër vazhdon të ushtrojë pushtetin.
Gjuro Macut mbetet kryeministër, ndërsa Ivica Daçiç vazhdon të jetë ministër i Punëve të Brendshme.
Megjithatë, që nga humbja e Vuçiqit në zgjedhje, në Serbi kanë filluar operacione policore që deri para pak javësh do të dukeshin pothuajse të paimagjinueshme.
Mbi 90 të arrestuar, mes tyre drejtues të lartë të policisë
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të raportuara nga televizioni publik serb RTS, gjatë dy javëve pas zgjedhjeve janë arrestuar mbi 90 persona për vepra të ndryshme penale.
Jo të gjitha këto arrestime lidhen drejtpërdrejt me ish-pushtetin, por disa prej emrave janë veçanërisht të rëndësishëm.
Në mesin e të arrestuarve janë Marko Kriçak, shef i Policisë Kriminale; Boshko Sekuliq, drejtues i shërbimit për luftimin e krimit; dhe Igor Zhmiriq, komandant i njësisë speciale antiterroriste SAJ.
Një numër zyrtarësh policorë dyshohen për keqtrajtimin e studentëve gjatë protestave kundër regjimit të Vuçiqit.
Është arrestuar gjithashtu Davor Macura, pronari i Alta Bankës, emër i njohur në botën financiare serbe.
Ndër të ndaluarit janë edhe drejtues institucionesh shtetërore, përfshirë drejtorin e Institutit Hidrometeorologjik dhe drejtorin e burgut Zabela.
Arrestimet përfshijnë dyshime për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, manipulime zgjedhore dhe dhunë ndaj protestuesve.
Ajo që po e habit opinionin publik nuk është vetëm lista e emrave. Është koha kur kanë filluar arrestimet.
Përse institucionet që për vite të tëra akuzoheshin se nuk vepronin kundër njerëzve të pushtetit, filluan të vepronin menjëherë pasi ai humbi zgjedhjet?
Gruaja që e aktivizoi prokurorinë
Një nga përgjigjet më të rëndësishme gjendet te Zagorka Dolovac, kryeprokurorja supreme e Serbisë.
Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve, më 27 tetor, Prokuroria Supreme formoi një komision prej pesë anëtarësh për kontrollimin e punës së 87 prokurorive në vend.
Një ditë më vonë u lëshua udhëzimi që prokurorive t’u mundësohej kontrollimi i dosjeve.
Më 29 tetor, Dolovac shkoi edhe më larg.
Ajo urdhëroi prokurorët që t’i kërkonin urgjentisht policisë ndërmarrjen e masave për të penguar zhdukjen ose shkatërrimin e dokumenteve zyrtare.
Urdhri u dha pas informacioneve se dokumente mund të ishin duke u shkatërruar në institucione shtetërore, banka, Agjencinë e Inteligjencës BIA dhe institucione të tjera të sigurisë.
Urdhri i kryeprokurores tregon se sa seriozisht po trajtohet rreziku i zhdukjes së provave gjatë tranzicionit.
Komisioni i ri drejtohet nga prokurori suprem Goran Iliç.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Iliç ka thënë se disa raste penale kishin mbetur të bllokuara për shkak të pengesave nga policia, nga prokurorë të caktuar dhe madje edhe nga gjykatat.
Sipas tij, disa prej dosjeve që po procedohen tani mund të ishin trajtuar shumë më herët.
Kjo është një deklaratë e jashtëzakonshme.
Në thelb, një prokuror i lartë i shtetit serb po pranon publikisht se funksionimi i drejtësisë ishte penguar për një kohë të gjatë nga vetë institucionet.
Ndërkohë, Dolovac ka vlerësuar se pas zgjedhjeve janë larguar pengesat politike dhe institucionale për funksionimin e prokurorive.
A po punojnë institucionet apo po përpiqen t’i afrohen pushtetit të ri?

