Një rojë nderi e ushtrisë amerikane, që ishte duke e ruajtur Varrin e Ushtarit të Panjohur, i qortoi sekretarin e Mbrojtjes të ShBA-së, Pete Hegseth, dhe një grup të këshilltarëve të tij të lartë të mërkurën, pasi disa nga grupi qeshën dhe biseduan afër memorialit solemn pas një ceremonie për Ditën e Veteranëve.
“Të gjithë vizitorët do ta mbajnë atmosferën e qetësisë dhe respektit në çdo kohë” – tha me zë të lartë roja ushtarake, duke e ndalur patrullimin për t’i dalë përballë grupit të zyrtarëve që po largoheshin shkallëve, raporton televizioni CNN.
Hegsethi ishte duke qëndruar në këmbë dhe duke u fotografuar përballë varrit me bashkëshorten e vet, Jennifer, me shefin e stafit, Ricky Buria, zëvendësshefin e stafit, Patrick Weaver, dhe këshilltaren e lartë, Tami Radabaugh, pas ceremonisë së mbajtur në Varrezën Kombëtare “Arlington” për Ditën e Veteranëve.
Disa prej personave në këtë grup ishin duke qeshur dhe duke biseduar pasi ishin fotografuar, duke e nxitur ushtarin që t’i qortonte dhe t’i përmirësonte.
Varri i Ushtarit të Panjohur është njëri nga memorialët më të rëndësishëm të luftës në ShBA, duke e shënuar vendin ku pushon trupi i një ushtari të panjohur, i cili ishte vrarë në Luftën e Parë Botërore. Një ushtar nga Garda e Vjetër ose Regjimenti i 3-të i Këmbësorisë e ruan vazhdimisht varrin që nga viti 1948.
Në ceremoninë ku ndodhej Hegsethi kishin marrë pjesë edhe presidenti amerikan, Donald Trump, dhe nënpresidenti JD Vance.
A Tomb Guard from the U.S. Army’s 3rd Infantry Regiment, “The Old Guard” was forced to verbally reprimand Secretary of Defense Pete Hegseth and a group of his senior advisers Wednesday after some in the group laughed and loudly talked in front of the Tomb of the Unknown Soldier… pic.twitter.com/0aUPB4QBXT
— OSINTdefender (@sentdefender) November 11, 2026

