Berat Buzhala: Dora misterioze që po e pastron Serbinë, dhe ne që mbetem edhe pa trena

Berat Buzhala: Dora misterioze që po e pastron Serbinë, dhe ne që mbetem edhe pa trena

Çka po ndodh në Serbi? Kjo është pyetja të cilës ende askush nuk i ka dhënë përgjigje të plotë.

Që nga dita kur Aleksandar Vuçiq i humbi zgjedhjet, një dorë misterioze po kryen arrestime në Serbi. Po arrestohen njerëzit e tij, zyrtarët e tij, bankierët e tij, kurse mediat që deri dje ishin megafon i propagandës së tij po përballen me ndëshkime dhe tronditje. E gjithë kjo po ndodh në kohën kur, teknikisht dhe juridikisht, pushteti në Serbi është ende në duart e njerëzve të Vuçiqit. Kryeministri në detyrë është njeriu i tij. Ministrat në detyrë janë njerëzit e tij. Qeveria e re nuk është formuar, kurse parlamenti i ri mblidhet më 17 nëntor.

Pra, fjalë për fjalë, në momentin që dolën rezultatet dhe Vuçiq e pranoi humbjen, figura më e fuqishme institucionale në Serbi u bë një grua që deri dje heshtte: kryeprokurorja supreme, Zagorka Dolovac. Ajo nuk e komandon shtetin, por e ka bërë diçka që askush nuk e bëri për vite: i ka urdhëruar të gjitha prokuroritë e Serbisë të veprojnë, të kontrollojnë dosjet dhe t’i ruajnë ato, sepse kishin nisur spekulimet se BIA dhe institucionet e tjera mund t’i shkatërronin, për t’i fshehur krimet e një dekade e gjysmë.

Prej atëherë janë arrestuar dhjetëra persona, përfshirë shefa të lartë të policisë. Por arrestimi më i rëndësishëm është ai i Davor Macurës, pronarit të Alta Bankës, më 2 nëntor, vetëm dy ditë pasi një tjetër dorë misterioze ia kishte marrë bankës licencën.

A e dini cila është akuza? Prokuroria për Krim të Organizuar dyshon se Macura nxori në mënyrë të paligjshme nga kasaforta e bankës rreth 45 miliardë dinarë, afro 380 milionë euro. Nga kasaforta. Jo me transfer, jo me ndonjë skemë të sofistikuar offshore. Me karta hyrjeje në thesar.

Alta Banka konsiderohet zemra financiare e klikës së Vuçiqit. Nuk e them unë, e thonë dokumentet. Sipas BIRN-it, kompania e Macurës, Danica Park, ka qenë investitore në vilat luksoze në Dedinje të Beogradit: te vila e Milan Radoičić-it, te vila e gruas së Zvonko Veselinović-it dhe te parcelat e Nikola Petrović-it, kumbarit të Vuçiqit. Për ata që nuk e dinë: në kulturën serbe, kumbari është më i afërt se vëllai.

Ka edhe një dimension rajonal. Vitin e kaluar Alta Banka e bleu Stopanska Bankën e Manastirit në Maqedoninë e Veriut, dhe opozita maqedonase e akuzon Mickoskin se hyrja e kësaj banke ishte marrëveshje politike me Vuçiqin. Mickoski e mohon. Hetimet do ta tregojnë. Por vetëm para një muaji, ideja që dikush në Serbi do t’ia hapte dosjet kësaj banke dhe do t’ia shikonte pagesat ishte e paimagjinueshme.

Në gjithë këtë histori, studentët që i fituan zgjedhjet me 140 nga 250 mandate kanë një rol misterioz, por jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ende askush nuk e di me siguri kush do të jetë kryeministri i Serbisë. Ende askush nuk e di nëse elita e re politike do të shkojë drejt Rusisë apo drejt Perëndimit.

Zhvillimet në Serbi do të kenë rol jashtëzakonisht të madh në të ardhmen e Kosovës. Kush mendon ndryshe, ose nuk e kupton politikën, ose nuk do ta kuptojë. Po aq naivë janë edhe ata që besojnë se Perëndimi do ta kushtëzojë qeverinë e re të Serbisë me njohjen e Kosovës. Këto janë dëshirat tona, jo realiteti.

Radoičić dhe Veselinović janë në listën e zezë të studentëve, por kjo nuk do të thotë që studentët kanë qasje më të butë ndaj Kosovës. Nuk do të thotë që janë më pak nacionalistë. Përkundrazi, mesazhi i tyre do të jetë: ne kemi synime nacionale ndaj Kosovës, por jo qëllime kriminale të maskuara si patriotizëm, siç i kishte Vuçiqi me banditët e vet.

Pra, një klasë e re politike në Serbi, me dy-tri lëvizje strategjike, mund ta fusë Kosovën në defensivë të plotë. Qeveria e re në Beograd thjesht duhet ta luftojë krimin dhe t’ia kthejë, sado pak, shpinën Rusisë. Gjithçka tjetër do të jetë e tolerueshme për Perëndimin. Kjo do t’ia hapte Serbisë rrugën për një integrim jashtëzakonisht të shpejtë në Bashkimin Evropian.

Serbia po ndryshon me një shpejtësi marramendëse. Ende nuk e dimë a po lind një Serbi e re demokratike, apo thjesht një Serbi e vjetër me fytyrë të re. Por një gjë e dimë me siguri: një Serbi që e lufton korrupsionin dhe afrohet me Perëndimin, pa hequr dorë nga pretendimet për Kosovën, është sfidë diplomatike shumë më e vështirë sesa Serbia e Vuçiqit.

E ne, në këtë moment, çka po bëjmë?

Përgjigjja jonë ndaj këtyre zhvillimeve ishte një video me inteligjencë artificiale, ku Agim Bahtiri dhe Albin Kurti bisedojnë me Isa Boletinin. Kurse kryeministri po e vazhdon turneun nëpër Francë, duke u ankuar se Bashkimi Evropian nuk ia vlerëson sa duhet të arriturat e qeverisë.

Fjalë për fjalë: a e dini çka po bëjmë? I kemi ndalur edhe trenat.

Serbia po e ndërron fytyrën. Kosova po e ndërron vetëm temën.