Kombëtarja nuk fal, mposht pastër Bjellorusinë dhe ngjitet në Ligën B

Kombëtarja nuk fal, mposht pastër Bjellorusinë dhe ngjitet në Ligën B

Shqipëria e mbyll në mënyrën më të mirë aventurën në Grupin 1 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë kanë mposhtur Bjellorusinë, duke siguruar vendin e parë në grup dhe u ngjitur në Ligën B pas një fushate pozitive, ku regjistruan një humbje dhe pesë fitore.

Skuadra kuqezi arriti të imponojë lojën e saj dhe të marrë një sukses të rëndësishëm, me dy gola të shënuar nga Rey Manaj dhe Elseid Hysaj, të cilët vulosën fitoren ndaj bjellorusëve.

Goli i parë erdhi në minutën e 28-të. Rey Manaj mori një top në kufijtë e zonës dhe lëshoi një goditje të fuqishme, duke mposhtur portierin kundërshtar dhe duke kaluar Shqipërinë në avantazh. Sulmuesi kuqezi ishte pranë golit edhe më herët, ndërsa Kristjan Asllani provoi me një goditje spektakolare nga distanca në minutën e 17-të, por topi u përplas në traversë.

Në pjesën e dytë, Bjellorusia u përpoq të reagojë, duke marrë më shumë kontrollin e lojës dhe duke kërkuar golin e barazimit. Megjithatë, Shqipëria arriti të godasë sërish në minutën e 57-të. Elseid Hysaj depërtoi nga krahu i djathtë dhe provoi me një goditje drejt portës, me topin që u devijua dhe përfundoi në rrjetë për golin e dytë të kuqezinjve.

Një moment i rëndësishëm i takimit ishte edhe minuta e 63-të, kur arbitri akordoi një penallti për Shqipërinë pas rrëzimit të Laçit në zonë. Megjithatë, pas ndërhyrjes së VAR-it, vendimi u anulua për pozicion jashtë loje gjatë aksionit.

Në minutat e mbetura, kuqezinjtë administruan avantazhin, ndërsa trajneri bëri edhe ndryshimet e fundit, me Uzunin dhe Hasën që zbritën në fushë në vend të Laçit dhe Hoxhës.

Përtej fitores dhe vendit të parë në grup, kjo ndeshje kishte një rëndësi të veçantë edhe për Rey Manajn. Sulmuesi realizoi golin e tij të 15-të me fanellën e Kombëtares shqiptare, duke kaluar Alban Bushin në renditjen e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave.

Manaj ngjitet kështu në vendin e dytë të kësaj renditjeje, duke pasur tashmë vetëm një emër përpara: Erjon Bogdanin, i cili ka tre gola më shumë.

Bjellorusi-Shqipëri 0-2
Manaj 28′, Hysaj 57′