Tre persona janë arrestuar dhe 18 të tjerë janë proceduar penalisht nga Policia e Tiranës, në vijim të hetimeve për aktet e dhunës të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet.
Sipas njoftimit të policisë, një 33-vjeçar, me inicialet E.K., është arrestuar pasi dyshohet se ka dëmtuar trafikndarëset dhe ka thyer stendat e reklamave në rrugën “Muhamet Gjollesha”.
Në pranga ka përfunduar edhe një 23-vjeçar, me inicialet I.R., i cili dyshohet se ka goditur një punonjës policie gjatë shoqërimit në komisariat.
Ndërsa personi i tretë i arrestuar është një 15-vjeçar, i dyshuar për disa vepra penale, mes tyre organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme, prishja e rendit dhe qetësisë publike, pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit, shkatërrimi i pronës dhe mosbindja ndaj urdhrave të punonjësve të rendit.
Përveç arrestimeve, 18 shtetas të tjerë janë proceduar penalisht për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.
Ndërkohë, policia ka vendosur edhe 44 masa administrative, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026. Dy prej këtyre masave janë në vlerën 500 mijë lekë secila.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Arrestohen 3 shtetas dhe procedohen penalisht 18 të tjerë për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të djeshëm.
Vendosen 44 masa administrative, në bazë të Aktit Normativ, dy prej tyre në vlerën 500 000 lekë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe veprimeve të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
-E. K., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka dëmtuar trafikndarëset, si dhe ka thyer stendat e reklamave në rrugën “Muhamet Gjollesha”;
-I. R., 23 vjeç, pasi gjatë shoqërimit në Komisariat ka goditur një punonjës policie, për shkak të detyrës;
-Një i mitur, 15 vjeç, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”.
Gjithashtu, 18 shtetas të tjerë u proceduan penalisht.
Ndërkohë, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 44 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të djeshëm, dy prej të cilave janë në vlerën 500 000 lekë.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

