Një objekt i vogël në hapësirë ka rikthyer në vëmendje një mister që daton prej vitit 1988. Bëhet fjalë për asteroidin 1998 KY26, për të cilin disa studiues kanë ngritur një hipotezë të pazakontë: ai mund të jetë sonda sovjetike Phobos 1, e cila humbi kontaktet me Tokën gjatë misionit të saj drejt Marsit.
Hipoteza është paraqitur nga një grup studiuesish ku bën pjesë edhe astrofizikani i Universitetit të Harvardit, Avi Loeb. Ata kanë krahasuar të dhënat e objektit me karakteristikat e sondës së zhdukur dhe kanë gjetur disa ngjashmëri që, sipas tyre, meritojnë të hetohen më tej.
1998 KY26 ka një diametër të vlerësuar rreth 11 metra dhe kryen një rrotullim të plotë rreth vetes në vetëm 5.35 minuta. Ai reflekton gjithashtu një pjesë të konsiderueshme të dritës së Diellit. Studiuesit kanë ndërtuar një model të sondës Phobos 1 dhe kanë krahasuar mënyrën se si ajo do të reflektonte dritën gjatë rrotullimit me vëzhgimet e asteroidit. Sipas analizës së tyre, modeli përputhet me tetë grupe të dhënash fotografike.
Phobos 1 u lëshua më 7 korrik 1988 drejt Marsit, por më 2 shtator të po atij viti humbi kontaktet me Tokën, pasi një komandë e gabuar çaktivizoi sistemin e orientimit të sondës. Komunikimi nuk u rikthye më dhe fati i saj mbeti i pazgjidhur.
Megjithatë, jo të gjithë shkencëtarët janë të bindur se objekti është një pajisje e ndërtuar nga njeriu. Një shpjegim tjetër e klasifikon atë si një “kometë të errët”, një objekt që shfaq përshpejtim të pazakontë pa lënë pas gjurmët tipike të gazit dhe pluhurit. Një studim tjetër ka vënë në dyshim mundësinë që akulli të jetë shkaku i këtij fenomeni, ndërsa presioni i rrezatimit diellor mbetet një shpjegim alternativ.
Përgjigjet mund të vijnë në korrik të vitit 2031, kur sonda japoneze Hayabusa2 pritet t’i afrohet 1998 KY26 për ta studiuar nga afër. Vëzhgimet dhe matjet e saj mund të ndihmojnë në përcaktimin e natyrës së objektit.
Deri atëherë, lidhja mes asteroidit dhe sondës sovjetike mbetet një hipotezë shkencore, jo një zbulim i konfirmuar./Euronews

