Sekuestrimi i pasurive të biznesmenit Ilir Shehu, i njohur edhe si Ilir Pasholli, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, ka rikthyer në qendër të vëmendjes tregun farmaceutik në Shqipëri. Goditja ndaj kompanive “Medicamenta”, “Mega Store”, “Unipharma” dhe “Italialbania Pharma”, në kuadër të një hetimi pasuror që lidhet me dyshime për veprimtari të paligjshme, ngre pikëpyetje më të gjera mbi transparencën, kontrollin dhe mënyrën e funksionimit të këtij sektori.
Por ndërsa Prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë masa ndaj pasurive të Pashollit, një tjetër emër që meriton vëmendje është ai i biznesmenit Petrit Maho. Pretendimet e publikuara mbi tenderat miliona euro, lidhjet e mundshme politike dhe pagat e raportuara të tij dhe bashkëshortes shtrojnë një pyetje: A do të verifikojnë SPAK dhe institucionet përgjegjëse burimin e të ardhurave dhe kontratat publike të kompanive të Mahos? Dy rastet nuk rezultojnë të lidhura në të njëjtin hetim, por transparenca dhe zbatimi i barabartë i ligjit duhet të vlejnë për çdo operator të tregut farmaceutik.
Petrit Maho, është një emër jo pak i lidhur me disa kompani që operojnë në tregun farmaceutik dhe laboratorik në Shqipëri, i cili rikthehet në qendër të vëmendjes për shkak të pretendimeve mbi përfitimin e fondeve publike, marrëdhëniet me politikën dhe pagat e larta që raportohet se përfiton së bashku me bashkëshorten e tij.
Sipas informacioneve konfidenciale, aktiviteti ekonomik i Mahos është zgjeruar ndër vite përmes një rrjeti kompanish, të cilat kanë përfituar kontrata me vlera të konsiderueshme nga institucionet shtetërore, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë.
Në qendër të këtyre pretendimeve qëndrojnë kompanitë “INTERMED, Noval, Noval Laboratory, Vetal, Beata dhe Medica-vet”, të cilat lidhen me aktivitetin e biznesmenit në tregun e barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve laboratorike.
Një nga çështjet që ngrihet në artikullin origjinal lidhet me kompaninë “Noval”, e cila u bë e njohur gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19. Për këtë subjekt janë ngritur akuza mbi mënyrën e realizimit të testimeve dhe përfitimin e kontratave publike, përfshirë shërbimet e ofruara në pikat kufitare.
Pretendimet shkojnë më tej, duke e lidhur kompaninë edhe me shërbimet e analizave laboratorike për produktet ushqimore në kuadër të veprimtarisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Sipas burimit, pozicioni i kompanisë në këtë treg ngre dyshime për konkurrencën dhe ndikimin e interesave të operatorëve të mëdhenj të sektorit ushqimor.
Lidhjet me politikën dhe kontratat publike
Një tjetër element i artikullit lidhet me marrëdhëniet që pretendohet se Petrit Maho ka ndërtuar me figura të rëndësishme politike.
Petrit Maho dyshohet se është personi “prestanome” që mbulon formalisht në letra vilën 760 mijë euro në Gjirin e Lalzit, për të cilën përflitet se është në pronësi të Flamur Nokës, e cila po hetohet pa arsye, prej me shumë se 4 vitesh nga Prokuroria e Posaçme.
Gjithashtu, lidhje të pretenduara me “Tom Doshin”, figurë politike ndaj së cilës Shtetet e Bashkuara kanë vendosur masa kufizuese, si dhe me individë të tjerë me ndikim në politikën shqiptare.
Në këtë kontekst janë persona të rëndësishëm pranë qeverisë, për të cilin burimi pretendon se ka ndërhyrë në raste të caktuara për të lehtësuar marrëdhëniet e biznesmenit me administratën shtetërore dhe përfitimin e kontratave publike.
Në sektorin e shëndetësisë, vëmendja përqendrohet te kompania “INTERMED”, për të cilën ka pretendime se ka përfituar tendera publikë me vlera që arrijnë në dhjetëra milionë euro.
Mënyra e përfitimit të këtyre kontratave, konkurrenca në procedurat e prokurimit dhe marrëdhëniet me institucionet përgjegjëse janë çështje që meritojnë transparencë nga SPAK.
Pagat milionëshe të Petrit dhe Anila Mahos
Përtej tenderave dhe marrëdhënieve me politikën, një tjetër aspekt që tërheq vëmendjen janë të ardhurat mujore që Petrit Maho dhe bashkëshortja e tij, Anila Maho, përfitojnë nga kompanitë e lidhura me aktivitetin e tyre ekonomik.
Burimi pretendon se të ardhurat e përbashkëta nga pagat arrijnë mbi 90 milionë lekë në muaj, ndërsa paraqet një ndarje të tyre sipas subjekteve tregtare.
Në kompaninë “INTERMED”, Petrit Maho përfiton një pagë mujore prej rreth 40 milionë lekësh, ndërsa bashkëshortja e tij, Anila Maho, rreth 33 milionë lekë në muaj.
Në “Noval”, kompania e përfshirë në shërbimet laboratorike dhe testimet për COVID-19, paga e raportuar e Petrit Mahos është 5 milionë lekë në muaj, ndërsa ajo e bashkëshortes së tij rreth 3.7 milionë lekë.
Edhe në “Noval Laboratory”, sipas të dhënave, të dy bashkëshortët rezultojnë me paga prej 3 milionë lekësh secili në muaj.
Lista vijon me kompaninë “Vetal”, ku Petrit Maho raportohet se merr rreth 1.3 milionë lekë në muaj.
Në kompaninë “Beata”, paga e pretenduar mujore e biznesmenit është rreth 3.7 milionë lekë, ndërsa në “Medica-vet” raportohet një tjetër pagë prej afërsisht 1 milion lekësh në muaj.
A duhet të hetohen kontratat dhe burimi i të ardhurave?
Përmasat e aktivitetit ekonomik të kompanive të përmendura, vlerat e pretenduara të kontratave publike dhe niveli i pagave të raportuara ngrenë pyetje mbi transparencën e marrëdhënieve financiare me institucionet shtetërore.
Sigurisht, për të ndihmuar në këtë heshtje dhe mungesë transparence një rol të rëndësishëm luan dhe SPAK, i cili po shndërrohet në një institucion që perceptohet si selektiv në ushtrimin e kompetencave të tij, ku intensiteti i hetimeve duket se ndryshon sipas emrit të biznesmenit apo peshës së lidhjeve të tij politike.
Pyetja që mbetet është: A do të verifikojë SPAK pretendimet për aktivitetin e Petrit Mahos, apo do të vazhdojë heshtja institucionale që ushqen dyshimet për drejtësi selektive?

