Kryeministri Edi Rama është nderuar me çmimin “CER Lord Jakobovits”, nga Konferenca e Rabinëve Europianë. Njoftimin e bëri vetë kreu i qeverisë duke ndarë disa fotografi nga momenti i akordimit të çmimit, gjatë punimeve të “Forumit të II-të të Zgjerimit” që u mbajt dje në Bruksel.
Çmimi iu dha për kontributin në promovimin e tolerancës dhe dialogut ndër fetar.
“Bruksel, Belgjikë – I nderuar me Çmimin CER Lord Jakobovits për kontributin në promovimin e tolerancës dhe dialogut ndërfetar, një çmim europian që forcon profilin e Shqipërisë”, ka shkruar Rama krahas fotografive në rrjetet sociale.
Çmimi mban emrin e kryerabinit të Britanisë, Lord Immanuel Jakobovits një prej figurave më të njohura të judaizmit europian që promovonte respektin për njerëzit e besimeve të tjera.
Me çmimin “CER Lord Jakobovits” janë nderuar ndër vite edhe Presidenti i Francës Emanuel Macron, ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, Mbreti i Spanjës Felipe VI dhe ish-kryeministri francez Manuesl Valls, veçanërisht për mbështetjen ndaj komuniteteve hebraike dhe luftën kundër antisemitizmit.
Në themel të çmimit qëndrojnë tema si bashkëjetesa fetare, respekti për komunitetet hebraike dhe dialogu ndërmjet besimeve.
Shqipëria është një vend ku komunitetet myslimane, katolike, ortodokse dhe besimtarë të traditave të tjera kanë bashkëjetuar për një kohë të gjatë, duke e bërë pluralizmin fetar pjesë të kulturës shoqërore.
Një dimension veçanërisht domethënës është historia e mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Familje shqiptare, myslimane dhe të krishtera, strehuan dhe mbrojtën hebrenj, përfshirë ata që kishin ardhur nga vende të tjera për t’i shpëtuar përndjekjes naziste. Kjo trashëgimi përbën një pjesë të rëndësishme të kujtesës historike dhe të marrëdhënieve të Shqipërisë me komunitetet hebraike.
Bashkimi Europian është ndërtuar mbi parime që përfshijnë respektin për dinjitetin njerëzor, lirinë e besimit, mosdiskriminimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Për Shqipërinë, kjo përbën një mundësi për të kontribuar në diskutimin europian jo vetëm si një vend kandidat që përafron legjislacionin me standardet e BE-së, por edhe si një shoqëri me një përvojë historike të dialogut ndërmjet besimeve.

