“Burimi”, personazhi shqiptar i GTA VI: Një referencë ndaj hakerit shqiptar që theu sistemet e kompanisë “Rockstar Games”!

“Burimi”, personazhi shqiptar i GTA VI: Një referencë ndaj hakerit shqiptar që theu sistemet e kompanisë “Rockstar Games”!

“Grand Theft Auto VI”, një prej lojërave më të shumëpritura të viteve të fundit, ka edhe një personazh shqiptar. Ai quhet Burim dhe, megjithëse nuk është protagonist kryesor, luan një rol të rëndësishëm në pjesën e parë të historisë.

Burimi shfaqet në misionin “Day Release”, ku prezantohet si një prej njerëzve të besuar të Mattia-s, një personazh me ndikim në zonën e Leonida Keys. Detyra e tij është kryesisht teknike dhe lidhet drejtpërdrejt me protagonisten Lucia.

Pas daljes nga burgu, Lucia mban një byzylyk elektronik në kyçin e këmbës, i cili monitoron lëvizjet e saj. Gjatë takimit me Mattia-n në zonën e Rusty Anchor, është pikërisht Burim ai që ndërhyn dhe ia heq pajisjen, duke i krijuar mundësinë të lëvizë pa kufizimet e mëparshme.

Pas këtij momenti, Burimi udhëton së bashku me Mattia-n, Jason dhe Lucia drejt jahtit të Mattia-s pranë Vice City, duke u bërë pjesë e një prej segmenteve të para që e çojnë historinë përtej zonës fillestare të Leonida Keys.

Vetë Rockstar Games e përshkruan historinë e GTA VI si të përqendruar te Jason dhe Lucia dhe rrjeti kriminal që shtrihet në të gjithë shtetin imagjinar të Leonida-s. Loja u publikua më 19 nëntor 2026 për PlayStation 5 dhe Xbox Series X|S.

Prania e një personazhi me emrin tipik shqiptar “Burim” ka tërhequr menjëherë vëmendjen, sidomos për shkak të rolit të tij si person që manipulon një sistem elektronik sigurie.

Kjo ka nxitur edhe një teori mes fansave se personazhi mund të jetë një referencë për Arion Kurtajn, hakerin shqiptar që depërtoi në sistemet e Rockstar Games dhe publikoi materiale të papërfunduara të GTA VI.

Kurtaj ishte pjesë e grupit të njohur si Lapsus$ dhe pranoi përgjegjësinë për sulmet ndaj Rockstar Games dhe kompanive të tjera të mëdha. Autoritetet britanike konfirmojnë se ai ishte përgjegjës për publikimin e 90 videove të papërfunduara të GTA VI pas depërtimit në sistemet e kompanisë.

Pikërisht për këtë arsye, fakti që Rockstar ka përfshirë në lojë një personazh me emër shqiptar, i cili merret me çaktivizimin e një pajisjeje elektronike sigurie, është interpretuar nga disa lojtarë si një “easter egg” apo shaka e fshehtë ndaj historisë së sulmit kibernetik.

Megjithatë, deri më tani Rockstar Games nuk ka konfirmuar se Burim është frymëzuar nga Arion Kurtaj dhe lidhja mes dy emrave mbetet një interpretim i komunitetit të lojtarëve.