Deputetja Elisa Spiropali u pyet nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp edhe për procedimin që SPAK ka regjistruar ndaj saj. Deputetja tha kjo është bërë për shantazh dhe foli për kallëzim nga njerëz anonimë.
Spiropali nuk dha detaje kur u pyet nga Report Tv nëse një restorant në bllok i bashkëshortit të saj është objekt hetimi nga SPAK. Ajo nuk e mohoi, por nuk foli as për pronësinë.
“Jo një kallëzim të ketë në SPAK, por të gjithë ata, se dihet kush janë, anonimë ose jo, të vihen në rresht e të bëjnë 100 kallëzime, se s’e kam pikën e problemit. Kur e kam nisur këtë betejë, e kam ditur mirë se çfarë vjen. Një, pesë, dhjetë kallëzime, le të bëjnë çfarë të duan. Mos e përfshini SPAK-un në këtë diskutim. Sa të duan të bëjnë kallëzime, unë nuk kam asgjë për të fshehur. Këtë betejë e kam bërë se nuk jam e shantazhueshme. Nuk më bëjnë dot mua asnjë shantazh.
Çështja që unë kam ngritur nuk ka qenë personale. Edhe çështjet administrative zgjidhen në gjykata. Unë kam folur vetëm për përdorimin e institucioneve në funksion të shtypjes së çdo lloj zëri dhe qëndrese. Më shumë mund t’i vlejë atij që merr gjobë 5 milionë. Zgjidhja ishte presioni, të merreshe me njerëzit për t’i kontrolluar, apo t’i dëgjoje, të reagoje ndaj ndjeshmërive, të uleshe e të gjeje zgjidhje me opozitën? Këtu, ata që humbin treten, ikin nga vendi se s’kanë më asnjë mundësi.
Unë kam qenë drejtuese politike në shumë vende. Kam edhe unë përgjegjësitë e mia. Ka ikur koha kur drejtuesi politik vendoste se kush do të shkonte infermiere në bashki, se kujt do t’i jepej titulli i këshilltarit. O do të zgjedhim më shumë demokraci, o autokraci. O liri, o kontroll.
Tymnaja që është ngritur në publik për një kallëzim anonim s’ka lidhje fare. Unë jam krenare për familjen time. Këtë luftë politike e kemi marrë përsipër dhe do ta bëjmë. SPAK-u është një aset i çmuar i Shqipërisë. Patjetër që duhet mbrojtur. Patjetër që i duhen garantuar të gjitha kushtet për çdo punë që ka të bëjë me drejtësinë. SPAK-u është një institucion që duhet ruajtur nga ndikimi politik. Emri i tij s’duhet të përmendet në sulme politike nëpër portale e televizione nga media që paguhen nga interesa të errëta e të dyshimta. Paratë që ua marrin shqiptarëve i hedhin në kanale të tilla për të sulmuar kundërshtarët e rivalët politikë”, tha Spiropali.

