Edmond Spaho-Berishës: Kur kishim 1,2 milionë turistë, euro ishte 120 lekë! Sot kemi 12 milionë, pse çuditesh që është 90 lekë?

Edmond Spaho-Berishës: Kur kishim 1,2 milionë turistë, euro ishte 120 lekë! Sot kemi 12 milionë, pse çuditesh që është 90 lekë?

Nga Edmond Spaho

Doktor, po të mashtrojnë, ose mediat nuk po e japin të saktë atë që ke thënë. Përndryshe, kështu ngjet kur llogaritë i bën me gishta dhe nuk kupton që sa më shumë turistë të hyjnë në Shqipëri, aq më shumë euro do të hyjnë në vend dhe kursi i këmbimit do të bjerë.

Pra, nëse në vitin 2007 ne kishim 1,2 milionë turistë dhe euro këmbehej me 120 lekë, është krejt normale, doktor, që në 2026-ën, me 12 milionë turistë, euro të bjerë në kufirin ku jemi sot. Nga një kapule e vogël në kohën tonë, sot eurot janë bërë mullar.

Kot i bie në qafë Bankës së Shqipërisë. Ata vetëm me politikën monetare merren. Me politikat e tjera merren partitë.

Kot i bie në qafë Bankës së Shqipërisë.

Nuk është ndonjë çudi e madhe që euro ka arritur 90 lekë, po të marrësh në konsideratë të ardhurat nga turistët, remitancat e emigrantëve dhe ato që ti, doktor, i quan produkte të narkoshtetit.

Këtë elementin e fundit po e quajmë si thua ti, megjithëse këta të Evropës thonë që për tre vjet do të na fusin në BE kështu si jemi, me një fjalë, si narkoshtet.

Pavarësisht asaj që po argumentoj unë, rritja nga 1,2 milionë turistë në kohën tonë në 12 milionë turistë sot nuk na lejon që rënien e kursit të euros t’ia dedikojmë vetëm faktorit “narkoshtet”. Kjo mund të ndodhë vetëm në zyrat dhe analizat e Flamurit.

Unë gjithmonë të kam mbështetur, doktor, por jo deri në këtë pikë. Shiko kush të këshillon dhe për ekonominë mos i beso Flamurit, se po të ngatërron keq, dhe kam përshtypjen që ta bën me qëllim, ngaqë me ekonominë dhe financat gjithmonë ke pasur më shumë vështirësi se ai.