Protestuesja e “Revolucionit të Flamingove”, Fatime Paja, është kapur nga policia me një arsenal molotovësh e shkopinjsh, me të cilët dyshohet se furnizonte protestuesit që sulmuan efektivët në protestën e dhunshme Ditën e Pavarësisë. Paja është piktore dhe bashkëkrijuese e simbolit të lëvizjes dhe që prej nisjes së “Revolucionit Flamingo” ka marrë pjesë në protestat poshtë kryeministrisë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Por tashmë, emri i saj lidhet edhe me protestat e dhunshme që kanë përfshirë vendin si një prej furnizuesve të grupeve me maska.
Një arsenal i tërë, me shishe të mbushura me benzinë lidhur me lëndë piroteknike me fitil, mjete që lëshojnë breshëri fishekzjarrësh, shkopinj druri dhe metalikë, maska antigaz, etj u gjetën në makinën e saj me xhama të zinj mbrëmjen e 28 nëntorit. Automjetin e kishte në drejtim vetë artistja Fatime Paja, e cila u arrestua në flagrancë në rrugën “Qemal Stafa”, në automjetin tip “Fiat”. Zona ku ajo u kap është jo shumë larg qendrës, çka do të thotë se furnizimi me këto mjete të ndaluara dhe të rrezikshme ka ndodhur pranë vendit të protestës së të shtunës, e cila nisi në sheshin “Skënderbej”.
Nga kontrolli i makinës, blutë sekuestruan 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 59 tuba metalikë, kapsolla, 2 maska kundragaz, veshje të ndryshme, doreza, 2 aparate celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme. Policia thotë se shpalli në kërkim edhe 2 djem, 28 vjeç dhe 39 vjeç, bashkëpunëtorë të vajzës, por dyshimet janë se ka të tjerë persona të përfshirë.
Policia thotë se kishte siguruar informacione se persona të ndryshëm siguronin dhe shpërndanin sende të kundërligjshme për tua vënë në dispozicion pjesëmarrësve për akte të dhunshme gjatë protestës së 28 nëntorit, si ndaj punonjësve të Policisë ashtu dhe ndaj institucioneve shtetërore.

