Konflikti për Aeroportin e Vlorës kalon në Arbitrazh, pasi shteti ka nisur procedurat për prishjen e koncesionit për shkak të vonesave në përfundimin e punimeve. Arbitri i Emergjencës nuk pezulloi zgjidhjen e kontratës, por urdhëroi ruajtjen e status quo-së, deri në ngritjen e tribunalit të arbitrazhit.
Aeroporti i Vlorës/ Shteti e Pacolli përballen në Arbitrazh, Ministria: Fitore e jona, zgjidhet kontrata koncesionare! Gjykata urdhër MIE: Mos ushtroni të drejta në terrenProjekti i aeroportit të Vlorës
Një vendim i marrë nga Arbitrazhi i Emergjencës në Londër për konfliktin shtet-privat në lidhje kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës, po lexohet ndryshe nga palët e përfshira.
Behgjet Pacolli, pronar i MABCO që dërgoi shtetin në arbitrazh dhe kërkoi të pezullohej procedura e prishjes së kontratës njoftoi sot se “arbitri i Emergjencës nxori një urdhër paraprak që i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të përmbahet, gjatë procedurës së emergjencës, nga çdo veprim lidhur me ndërprerjen e koncesionit që mund të përkeqësojë mosmarrëveshjen ose të cenojë këtë procedure”.
Sipas ministrisë, më 16 shtator, Arbitri i Emergjencës rrëzoi tërësisht dy nga tri kërkesat e VIA-s dhe nuk pranoi kërkesën kryesore atë të pezullimit të zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit.
“E vetmja masë e urdhëruar ishte ruajtja e kufizuar dhe e përkohshme e status quo-së, derisa të konstituohet tribunali i arbitrazhit dhe të jetë në gjendje ta shqyrtojë çështjen”, thotë ministria.
Në deklaratë Ministria e Infrastrukturës thotë se “Arbitri i Emergjencës ra dakord me MIE se as Kontrata, as provat e paraqitura nuk ofronin bazë të mjaftueshme ligjore për ta pezulluar prishjen e kontratës”.
Në këto kushte “kontrata koncesionare është zyrtarisht e zgjidhur, ndërsa MIE ka njoftuar për hyrjen në fuqi të prishjes së saj këtë të enjte edhe VIA-n. Por pavarësisht këtij vendimi, arbitri i emergjencës ka urdhëruar ministrinë, se nuk do të ushtrojë të drejta të caktuara që lindin pas zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit. Pra ministria nuk mund të veprojë në kantier, dhe as ta tenderojë për punime tek pakë të trete.
Ky urdhër do të jetë në fuqi derisa të caktohet trupa e arbitrazhit dhe të jetë në gjendje ta shqyrtojë çështjen.
Më tej ministria sqaron se arbitri rrëzoi gjithashtu kërkesat e VIA-s për të detyruar MIE të marrë pjesë në ndërmjetësim si dhe për të shtyrë fillimin e arbitrazhit për dy muaj të tjerë. “Rrëzimi i këtyre kërkesave konfirmon se mosmarrëveshja, në të cilën MIE do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri qëndrimin e saj, tani mund të kalojë menjëherë te tribunali i arbitrazhit”, thekson ministria.
Për shkak të shkeljes së afateve për dorëzimin e aeroportit, i cili duhet të kishte mbaruar në fund të shkurtit të këtij viti, më 29 maj Ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi u ofroi palëve edhe 30 ditë kohë për zgjidhjen e konfliktit mes tyre. Një përpjekje që rezultoi pa ndonjë efekt. Kështu më 4 gusht ministria nisi procedurat e prishjes së koncesionit, vendim që më tej u shoqërua me paralajmërime arbitrazhi nga Pacolli.
Një konflikt i gjatë për kuotat e aksioneve mes shoqërisë Mabco të Behgjet Pacollit dhe 2A Group-it të Valon Ademit, ortakët e Vlora International Airport, u kthye në një pengesë për punimet në aeroport. Palët nisën një sagë gjyqësore nëpër gjykatat e vendit, por që në fakt nuk e zgjidhën por i thelluan më tej mosmarrëveshjet.
Ndërsa me përfshirjen e Arbitrazhit, fati i vënies në funksion të Aeroportit të Vlorës, mbetet edhe më i paqartë.
Njoftimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë:
Arbitrazhi i Emergjencës rrëzon kërkesat kryesore të VIA-s dhe nuk pranon të pezullojë zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit
Më 16 shtator 2026, Arbitri i Emergjencës nxori Urdhrin në kuadër të procedurave të arbitrazhit të urgjencës të nisura nga VIA, Koncesionari sipas Kontratës së Koncesionit të Aeroportit të Vlorës.
Vendimi përbën një fitore të rëndësishme për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Arbitri i Emergjencës rrëzoi tërësisht dy nga tri kërkesat e VIA-s dhe nuk pranoi kërkesën kryesore të VIA-s, përkatësisht pezullimin e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit. E vetmja masë e urdhëruar ishte ruajtja e kufizuar dhe e përkohshme e status quo-së, derisa të konstituohet tribunali i arbitrazhit dhe të jetë në gjendje ta shqyrtojë çështjen.
Më e rëndësishmja, Arbitri rrëzoi kërkesën kryesore të VIA-s për të pezulluar si zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit, ashtu edhe zbatimin e Njoftimit për Zgjidhje, sipas kushteve të gjerësisht jashtëkontraktore të kërkuara nga VIA. Arbitri i Emergjencës ra dakord me MIE se as Kontrata, as provat e paraqitura nuk ofronin bazë të mjaftueshme ligjore për ta bërë këtë.
Si rrjedhojë, zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi.
Arbitri rrëzoi gjithashtu kërkesat e VIA-s për të detyruar MIE të marrë pjesë në ndërmjetësim dhe të caktojë një ndërmjetës, si dhe për të shtyrë fillimin e arbitrazhit për dy muaj të tjerë. Rrëzimi i këtyre kërkesave konfirmon se mosmarrëveshja, në të cilën MIE do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri qëndrimin e saj, tani mund të kalojë menjëherë te tribunali i arbitrazhit.
I vetmi lehtësim i dhënë ishte një masë e përkohshme afatshkurtër. Arbitri i Emergjencës urdhëroi MIE që, përkohësisht, të mos ushtrojë të drejta të caktuara që lindin pas zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit. Arbitri theksoi se masa është afatshkurtër dhe do të mbetet në fuqi vetëm derisa të konstituohet tribunali i arbitrazhit dhe të jetë në gjendje ta shqyrtojë çështjen. Masa afatshkurtër nuk cenon vlefshmërinë apo efektshmërinë e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit.
Në dritën e këtyre konstatimeve, Arbitri i Emergjencës urdhëroi gjithashtu VIA-n të përballojë shpenzimet e procedurave të arbitrazhit të urgjencës.
Vendimi përfaqëson, pra, një dështim të qartë të VIA-s për të siguruar vendimin që përbënte thelbin e kërkesës së saj. VIA kërkoi të pengonte hyrjen në fuqi të zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit dhe të vononte fillimin e arbitrazhit nëpërmjet një procesi të zgjatur ndërmjetësimi. Nuk arriti asnjërën prej tyre. Zgjidhja e Kontratës nuk u pezullua, kërkesat lidhur me ndërmjetësimin dhe shtyrjen e afatit u rrëzuan, dhe e vetmja kërkesë e pranuar është një masë afatshkurtër që ruan status quo-në derisa të konstituohet tribunali i arbitrazhit dhe të mund ta shqyrtojë vetë çështjen.
Vendimi i mundëson MIE të përgatisë hapat e mëtejshëm që rrjedhin nga zgjidhja e Kontratës së Koncesionit, të cilët janë të nevojshëm për të mbrojtur interesin publik, duke respektuar plotësisht masën e kufizuar dhe afatshkurtër të urdhëruar në pritje të konstituimit të tribunalit të arbitrazhit dhe të vendimmarrjes së tij për këtë çështje.
Në përputhje me vendimin e Arbitrit të Emergjencës, MIE do ta njoftojë sot VIA-n se zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi.

