Deri para pak ditësh Vlora Hyseni ishte një ndër anëtaret më të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit, por sot ajo ishte shkaku për të cilin presidenti Bajram Begaj thirri herët në mëngjesin e së hënës këtë këshill.
Në orën 8:30 makina e kryeministrit Edi Rama hyri në Pallatin e Brigadave, ku edhe do të mbahej takimi. Para tij kishin hyrë të 13 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, si dhe 2 përfaqësuesit e drejtësisë, kreu i SPAK Klodian Braho si dhe përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Kostaq Beluri, i cili është Prokuror / Drejtor te Drejtoria e Koordinimit Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme.
Ajo që u vu re ishte mungesa në mbledhje e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në vend të të cilit shkoi zv.drejtori i Policisë, Sokol Bizhga.
Për herë të parë, Rama e Braho u ulën përballë njëri tjetrit për të diskutuar mbi këtë çështje, ndërsa Presidenca zbuloi këto detaje.
“Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional”, tha Presidenca në reagim.
Konkluzionet e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, duken në të njëjtën gjatësi vale me shqetësimet e shprehura një ditë më parë nga kryeministri, për ekspozimin e institucionit ndaj një dëmi të mundshëm.
“Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë. Institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi di të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik. Detyra jonë është të forcojmë standardet, kontrollin, transparencën, llogaridhënien dhe bashkëpunimin institucional”, deklaroi Presidenca.
Mbledhja sekrete (me dyer të mbyllura) zgjati një orë e gjysmë dhe nuk dihet për çfarë është folur, përveç mesazheve të Bjram Begajt që u shpërndanë nga zyra e shtypit përmes një deklarate për mediat.
E hapur është edhe çështja e zgjedhjes së ri kreut të ri të SHISH për të cilën Rama ka deklaruar se do të bëhet në konsultim me presidentin, me propozim të tij e dekret të kreut të shtetit por kjo ndodh vetëm pas verifikimeve nga institucionet në vend dhe me bekimin e ndërkombëtarëve.

