Sali Berisha ka nisur përpjekjet për të siguruar një vizë amerikane dhe për të realizuar udhëtimin e paralajmëruar prej muajsh drejt Shteteve të Bashkuara.
Gazeta TemA ka siguruar dokumentin që tregon se kryetari i Partisë Demokratike është përfshirë në delegacionin e International Democracy Union për Konventën Kombëtare Republikane, që do të mbahet në Dallas më 9 dhe 10 shtator.
Ftesa e IDU-së duket se është bërë pjesë e përpjekjeve për t’i krijuar Berishës bazën formale për të kërkuar hyrjen në SHBA dhe pjesëmarrjen në aktivitetin e republikanëve amerikanë.
Dokumenti, i datës 7 gusht 2026, i drejtohet Berishës në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike dhe liderit të opozitës. Në të konfirmohet pjesëmarrja e tij si anëtar i delegacionit të IDU-së në Konventën Kombëtare Republikane.
Në letër thuhet se IDU është e kënaqur që Berisha do t’i bashkohet delegacionit dhe se pjesëmarrja e tij në këtë aktivitet do të jetë “me vlerë” për të dhe për Partinë Demokratike të Shqipërisë. Sekretariati i IDU-së pritet t’i komunikojë më pas detajet e akreditimit, lëvizjeve të delegacionit dhe programit të aktivitetit.
Por ftesa, në vetvete, nuk përbën vizë dhe as nuk provon se ndaj Berishës është hequr statusi që i pengonte hyrjen në SHBA.
TemA ka theksuar edhe më herët se mundësia që Berishës t’i jetë lejuar hyrja në SHBA në një rast të caktuar nuk do të thotë automatikisht heqje e statusit “non grata”. Autoritetet amerikane mund të japin viza ose autorizime të posaçme për raste të veçanta, përfshirë udhëtime për aktivitete ndërkombëtare.
Sipas informacioneve të publikuara më herët, pas marrjes së këtij konfirmimi kanë nisur edhe lëvizjet në Tiranë për të mbështetur procedurën. Gazment Bardhi, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, mësohet se i është drejtuar Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për një notë verbale shtetërore që do të mund të përdorej në funksion të udhëtimit të Berishës.
Kjo tregon se, përtej deklaratave publike se “së shpejti” do të udhëtojë në SHBA, Berisha tashmë ka hyrë në fazën konkrete të përpjekjeve për të siguruar dokumentacionin dhe autorizimet e nevojshme.
Në thelb, rruga e zgjedhur është ajo e IDU-së: Berisha synon të hyjë në Konventën Republikane jo përmes një ftese të drejtpërdrejtë nga Partia Republikane, por si pjesë e delegacionit të organizatës ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë.
Mbetet për t’u parë nëse kjo ftesë do të jetë e mjaftueshme për t’i siguruar vizën dhe hyrjen në SHBA, si dhe nëse autoritetet amerikane do ta trajtojnë udhëtimin si një përjashtim të posaçëm apo si një ndryshim më të gjerë të statusit të tij.


