Nga Mitro Çela
Gusht. 2006. Qerret, Golem. Fundjavë. Nga ora 22:00 ra telefoni.
– Alo! Jam Tani (komshiu). Po shoh ca hije në shtëpinë tuaj… Nuk ka njeri?…
Do ketë hyrë hajduti…
Me kuç e me maç i hipëm makinës e drejt e në Tiranë.
Ngjitëm shkallët. Hapëm derën.
– Hajduti paska përmbysur shtëpinë – tha Ezmerka. – Nuk ka lënë bizhuteri pa marrë…
Në mēngjes bëra tre telefonata.
Së pari Sokol Olldashin, ministrin e Rendit.
– …Më kanë vjedhur shtëpinë…
– Çdo e keqe ka një të mire, – ma ktheu. – Vjedhja është e keqja. Fakti që të bën vizitë hajduti, tregon se je i kamur… Gjë e mirë, apo jo?
Telefonin e dytë ia bëra Gjergj Lezhjes, zëvendësministër i Brendshëm.
– Alo! Mitro pse merr ministrinë? Nuk e ke lexur ligjin? Policia është e pavarur nga ministria.
– Uaa?!! Shyqyr që m’u vodh shtëpija dhe e mësova… Do mbetesha injorant!!!
Telefonatën e tretë ia bëra Agron Koliqit, zëvëndësdrejtor i Policisë.
– Alo! Më dërgo me sms adresën e shtëpisë, – tha Agroni.
Pa kaluar ora ra dera. Erdhën katër policë bashkë me qenin.
Pasi i hodhi një sy shtëpisë, foli shefi:
– Kam dy vërejtje.
Së pari, pse e kini hapur shtëpinë? Kanë humbur gjurmët.
Së dyti, pse shqetësuat udhëheqjen?!
– Nuk njoh njeri tjetër në polici – ia ktheva.
Qeni nisi nga puna. Në fillim i mori erë vjehrrit.
– Ky zotnia kush është dhe ku banon?
– Babai im, – tha Ezmerka.
Qeni la vjehrrin dhe iu drejtua Ezmerkës. Ajo ulëriti dhe u nis me vrap nga shkallët. Qeni tërhoqi zvarr inspektorin.
– Po të mos ishte Ezmerka me mua në Qerret, edhe unë do të dyshoja me nuhatje si qeni.
Gratë… edhe bëjnë prapësi të tilla.
– Ky qeni mbeti në klasë, – më tha mënjanë një polic që njiheshim. – Sipas rregullit e priste pushkatimi, por drejtorit i erdhi keq. E morëm në punë, por nuk ka zbuluar asnjë hajdut…!
– Sipas qenit dhe gjurmëve të mbetura, del se hajduti ka qenë i droguar. Kush do të firmosi? Brenda javës do t’u njoftojmë…
– Bën humor, – tha polici mik. – Nuk do të ketë haber…
Epo kur i doli fjala!!!…

