Komisioni Evropian po heton dyshimet për ndërhyrje të huaja dhe fushata dezinformimi në rrjetet sociale, pas trazirave dhe akteve të dhunës e grabitjeve në Francë dhe vende të tjera evropiane. Sipas zyrtarëve të sigurisë dhe ekspertëve, llogari në rrjetet sociale të lidhura me fushata të mëparshme ruse dhe me qarqe të ekstremit të djathtë kanë shpërndarë pamje të dhunshme, duke nxitur tensionet dhe përhapur pretendime të rreme. Në hetimet përmenden gjithashtu dyshime për operacione ndikimi të lidhura me Iranin dhe Algjerinë.
France, Italia dhe Belgjika por edhe Shqiperia janë ndër vendet që po shqyrtojnë ndikimin e këtyre përmbajtjeve në përhapjen e trazirave. Autoritetet evropiane po kërkojnë nga platformat digjitale të shpjegojnë se si funksionojnë algoritmet e tyre dhe nëse ato po u japin më shumë shikueshmëri videove që nxisin urrejtje dhe dhunë.
Në Itali, ministri i Mbrojtjes , i cilësoi trazirat si pjesë të një lufte hibride, e cila, sipas tij, zhvillohet përmes mjeteve jo konvencionale, si TikTok-u, YouTube-i dhe rrjetet e tjera sociale. Ndërkohë, në Francë, autoritetet kanë kërkuar nga agjencitë e inteligjencës të hetojnë nëse persona të lidhur me Rusinë kanë luajtur rol të drejtpërdrejtë në nxitjen e dhunës. Ekspertët kanë identifikuar edhe përmbajtje të rreme që kanë arritur miliona shikime. Një video e publikuar në platformën X, ku shfaqeshin protestues duke hedhur fishekzjarrë, u pa afro gjashtë milionë herë, megjithëse pamjet ishin regjistruar në vitin 2024, gjatë protestave në Tbilisi të Gjeorgjisë, dhe jo në Francë. Një tjetër video, e publikuar nga influenceri franko-iranian Shahin Hazamy, ku pretendohej se policia po dhunonte protestuesit, arriti rreth katër milionë shikime.
Sipas studiuesit David Colon, nga Instituti I Shkencave Po në Paris, rrjete ndikimi të lidhura me Rusinë, përfshirë Storm-1516 dhe Matryoshka, kanë përforcuar përhapjen e disa narrativave të rreme rreth protestave. Ai përmendi gjithashtu dyshimet për operacione ndikimi të lidhura me Iranin dhe Algjerinë.
Shërbimet evropiane të sigurisë paralajmërojnë se aktorët e huaj mund të shfrytëzojnë pakënaqësitë reale të qytetarëve për të thelluar ndarjet shoqërore dhe politike. Sipas një zyrtari të inteligjencës evropiane, mobilizimi i qytetarëve buron edhe nga pakënaqësitë e tyre ndaj institucioneve, ndërsa aktorët e huaj përpiqen t’i shfrytëzojnë këto rrethana përmes përhapjes së përmbajtjeve në internet.
Komisioni Evropian ka zhvilluar takime me autoritetet franceze dhe rregullatorët kombëtarë për të diskutuar bashkëpunimin me platformat sociale, përfshirë X, Instagram dhe TikTok. Në fokus është edhe përgjegjësia e algoritmeve, të cilat mund t’u japin shikueshmëri më të madhe videove që përmbajnë mesazhe raciste, nxitje të dhunës apo informacione të rreme. Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu bashkëpunimin me platformat e shitjeve online për të ndaluar tregtimin e sendeve të grabitura gjatë trazirave. Sipas Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, Franca është vendi i dytë më i shënjestruar në Evropën kontinentale, pas Ukrainës, nga operacionet e manipulimit të informacionit të mbështetura nga shtete.


