Nga Toni Gogu
Mbi besimin si provë e vërtetë e reformës në drejtësi
Ky është i pari nga tri shënimet që dua të ndaj këtë verë, larg vorbullës së reagimit të përditshëm. Do të nis me besimin si provë të reformës; do të vazhdoj me derën e parë që qytetari duhet të gjejë përpara se të arrijë te gjyqtari; dhe do ta mbyll me shtetin që duhet të dijë ta shohë veten dhe të përmirësohet.
Ka një radhë të heshtur në çdo proces integrimi, të cilën diplomacia rrallë e thotë me zë të lartë, por që çdo qytetar e ndien: kapitujt që hapen të parët janë ata që mbyllen të fundit. Shqipëria e nisi rrugën duke hapur Grupkapitullin e parë, “Themeloret” — ku bëjnë pjesë Kapitulli 23 për gjyqësorin dhe të drejtat themelore dhe Kapitulli 24 për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. Këta do të mbyllen ndër të fundit. Nuk është rastësi procedurale. Është mënyra se si Europa na thotë, me gjuhën e vet institucionale, një të vërtetë që ne e dimë prej kohësh: drejtësia nuk certifikohet me një vendim. Ajo provohet çdo ditë.
Këtë verë Shqipëria mbylli përkohësisht negociatat për tre kapitujt e parë, 25, 26 dhe 30. Është arritje reale dhe meriton të thuhet qartë. Por vetë ata që na përgëzuan na kujtuan diçka të matur: në këtë fazë të re, progresi nuk matet më vetëm me miratimin e ligjeve apo reformave, po gjithnjë e më shumë me zbatimin e tyre efektiv, me një bilanc të konsoliduar dhe të qëndrueshëm. Me fjalë të tjera — jo me atë që shkruajmë në letër, po me atë që jeton qytetari kur troket në derën e një gjykate.
Sektori ku besimi ose ndërtohet ose vdes
Çdo institucion i shtetit i shërben qytetarit. Por drejtësia bën diçka që asnjë tjetër nuk e bën: ajo gjykon qytetarin. Një ministrí që ndërton një rrugë ose një shkollë i jep diçka njeriut. Një gjykatë vendos mbi lirinë, pronën, të drejtat, fatin e tij. Prandaj drejtësia është terreni më i pamëshirshëm i besimit publik. Aty ku shërbimi mund të falet kur vonon, gjykimi nuk falet kur gabon. Aty ku një investim i keq kushton para, një vendim i padrejtë kushton besim — dhe besimi, ndryshe nga betoni, mblidhet me shumë vështirësi dhe avullon shumë kollaj.
Kjo është arsyeja pse reforma në drejtësi ka qenë gjithmonë më shumë se një kapitull teknik. Ajo është prova e vërtetë nëse shteti shqiptar mund t’i besojë qytetarit të vet dhe qytetari shtetit. Vetting-u, strukturat e reja, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar — të gjitha këto nuk maten përfundimisht me numrin e dosjeve apo me shpejtësinë e miratimeve. Maten me një pyetje shumë më të thjeshtë dhe shumë më të vështirë: a e beson qytetari se drejtësia është e njëjtë për të gjithë?
Nga transparenca te kuptimi
Për vite me radhë ne kemi besuar se transparenca ishte publikimi: publiko vendimin, procedurën, të dhënat, dhe procesi konsiderohej i mbyllur. Por transparenca që nuk kuptohet nuk prodhon besim — prodhon terren të lirë për keqinterpretim. Në një kohë kur informacioni dhe dizinformacioni qarkullojnë në të njëjtin lumë, një vendim i pashpjeguar nuk mbetet neutral: ai mbushet menjëherë me interpretimet e atyre që kanë interes ta errësojnë.
Drejtësia e ndien këtë më shumë se kushdo. Një vendim gjyqësor i pakuptueshëm për qytetarin e zakonshëm nuk humbet vetëm një betejë komunikimi. Ai lëkund vetë idenë se drejtësia është e arsyeshme, e shpjegueshme, njerëzore. Prandaj detyra jonë nuk është thjesht të publikojmë atë që bëjmë, po të bëjmë të kuptueshme arsyet pse e bëjmë. Jo për të kërkuar miratimin e qytetarit për çdo vendim — pavarësia nuk është referendum — po për t’i dhënë atij të drejtën elementare të kuptojë shtetin që e gjykon.
Këtu qëndron edhe kufiri që një Ministër Drejtësie nuk e kapërcen kurrë. Të bësh drejtësinë të kuptueshme nuk do të thotë të ndikosh se çfarë vendos ajo. Ministri i Drejtësisë nuk gjykon asnjë çështje; ai ndërton kushtet që drejtësia të funksionojë, të shpjegohet dhe të matet — dhe pastaj tërhiqet, sepse aty ku vepron gjyqtari dhe prokurori, ekzekutivi hesht. Besimi te drejtësia ndërtohet duke e respektuar këtë vijë, jo duke e cenuar.
Dhe besimi nuk mund të kërkohet me deklarata — duhet të provohet me përvojën reale të qytetarit: sa pret, sa lehtë hyn në sistem, sa e kupton atë që shteti vendos për të. Një sistem që nuk e sheh veten nga këndvështrimi i njeriut mund të prodhojë aktivitet, por jo domosdoshmërisht besim.
Prova për qytetarin është prova për Europën
Ja pse besimi te drejtësia nuk është një temë e brendshme që mund ta shtyjmë për më vonë, ndërsa merremi me kapitujt “e lehtë”. Është vetë ura mes qytetarit shqiptar dhe Brukselit. Sepse të dy kërkojnë, secili nga këndvështrimi i vet, të njëjtën gjë: jo vetëm premtime, po funksionim të provueshëm. Një drejtësi që nuk shpjegohet bindshëm te qytetari në Tiranë, vështirë se mbrohet bindshëm në raportet e Komisionit Europian. Dhe një drejtësi që qytetari e beson, është edhe argumenti më i fortë që mund të paraqesim në tryezën e negociatave.
Mbyllja e një kapitulli është ditë krenarie, dhe kemi të drejtë ta festojmë. Por asnjë kapitull i drejtësisë nuk mbyllet vërtet ditën kur firmoset dokumenti. Ai vendim nuk vjen nga Brukseli; vjen me mijëra vendime të vogla, të drejta, të shpjegueshme, të marra çdo ditë në çdo cep të vendit.
Kapitulli 23 nuk do të mbyllet vërtet ditën kur ta mbyllë Bashkimi Europian. Do të mbyllet ditën kur qytetari, para se të trokasë në derën e drejtësisë, të mos pyesë më veten nëse do të dëgjohet. Atë ditë nuk e firmos askush. E ndërtojmë së bashku: secili brenda përgjegjësisë së vet, duke respektuar kufijtë që Kushtetuta dhe ligji i caktojnë. Jo nesër. Duke filluar sot.
Por besimi te drejtësia nuk nis në sallën e gjyqit. Nis te ajo derë e parë që qytetari duhet të gjejë, të hapë dhe të kuptojë. Për atë derë do të shkruaj në shënimin e dytë.

