Kryebashkiaku: “Berisha non grata”…ka forcuar marrdhëniet Shqipëri-SHBA?! I jep “Çelsin e Artë” të qytezës së vogël të njohur dikur si strehë e banditëve në “Perëndimin e egër”!

Kryebashkiaku: “Berisha non grata”…ka forcuar marrdhëniet Shqipëri-SHBA?! I jep “Çelsin e Artë” të qytezës së vogël të njohur dikur si strehë e banditëve në “Perëndimin e egër”!

Sali Berisha duket se më në fund ka marrë diçka nga vizita e tij në Amerikë.

Pas ditësh të tëra triumfalizmi për “rikthimin” në SHBA dhe takimesh imagjinare me senatorë e kongresmenë, ndërkohë që sallat e takimit me diasporën kanë qenë thuajse bosh, turi amerikan i kreut të PD-së ka prodhuar më në fund një objekt konkret, çelësin e një qyteze të vogël periferikë në Teksas.

Ironikisht, qyteza njihet si vendstrehim legjendar i të jashtligjshmëve dhe banditëve të Perëndimit të Largët.

Pra, pas gjithë zhurmës për rikthimin triumfal në Amerikë, Berisha ka përfunduar me një çelës nga Mesquite. Jo ndonjë çelës politik, natyrisht, atyre nuk iu afrohet dot as në ndonjë periferi të Tiranës, por thjesht një çelës ceremonial nga një qytezë teksane që dikur strehonte banditë dhe sot organizon konkurse për lopçarët.

Për një politikan që prej vitesh kërkon të rikthehet në pushtet, është një lloj suksesi me përmasa të kontrolluara. Uashingtoni nuk i ka hapur ndonjë derë, por Mesquite po. Dhe kjo, me sa duket, mjafton që propaganda e PD-së ta paraqesë si një kapitull të ri në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Ka edhe një ironi tjetër që është vështirë të shpërfillet. Berisha është ende publikisht i lidhur me një përcaktim amerikan për korrupsion madhor, ndërsa tani del në fotografi duke marrë çelësin e një qyteti. Pra, SHBA-ja e madhe e ka mbajtur larg nga dera, ndërsa një bashki e vogël i ka dhënë çelësin.

Duket se kulmi i vetëm i turit aq të përfolur amerikan të Berishës do të mbyllet me një detaj që edhe propaganda e PD-së nuk mund ta kishte shkruar më mire.

Ndoshta ky është në mënyrën e vet, vlerësimi më i sinqertë që Berisha mund të merrte në SHBA: çelësin e një qyteti të njohur historikisht si strehë e banditëve.