Kryeministri Edi Rama deklaroi se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk do të thotë që ajo mund t’i diktojë Kuvendit se si të votojë. Duke folur në Kuvend për krizën me pagat e magjistratëve, ai tha se veprimet e hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve ndaj zyrtarëve të Financave dhe Thesarit tregojnë nevojën për të përcaktuar qartë kufijtë mes pushteteve.
“Ne nuk vëmë në diskutim që do të respektojmë mendimin e Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç ne e kuptojmë dhe Gjykata Kushtetuese këtë diskrecion ia lë Kuvendit. Madje, Gjykata Kushtetuese përcakton edhe kornizën e mundësive që janë në dispozicion në këtë pikë. Por unë mendoj që Kuvendi i tëri do t’i japë Gjykatës një mesazh shumë të qartë: me këtë rast, detyra juaj është që të mos lejoni që ne ta ngremë dorën gabim, por detyra jonë është t’ju themi që ju nuk na e thoni dot kurrë se si ne ta ngremë dorën. Nëse këto të dyja ngatërrohen, ne kemi një problem shumë të madh, i cili nesër mund të bëhet shumë më i madh. Dhe këtu nuk ka absolutisht asnjë lloj sfide, asnjë lloj lufte të asnjë natyre me sistemin e drejtësisë, asnjë lloj presioni, absolutisht asgjë të tillë.
Se po ju kujtoj edhe diçka tjetër, nëse i shkojmë fillit të logjikës së atyre që e paraqitën këtë si një tentativë për presion, Prokuroria e Posaçme nuk ka kërkuar rritje pagash. SPAK nuk ka kërkuar rritje pagash, as ka çuar listëpagesën përveçse sipas formulës së vjetër. Kështu që kjo bie si logjikë, edhe sikur po e marr për një moment të mirëqenë, që s’është. Këtu është një çështje shtetbërjeje europiane.
Ne kemi hyrë në një fazë të re. Ne qartësisht e kemi një pushtet të ri të pavarur në këtë qytet dhe pikërisht pse është një pushtet i ri i pavarur, po shohim gjëra që janë të paimagjinueshme në një demokraci të konsoliduar: me hetues që shkojnë në Ministrinë e Financave, me prokurorë që shkojnë në dyert e Thesarit, me gjykatës që kërcënojnë zyrtarët e Thesarit. Pra, jemi në kushtet e një trupe e cila po shijon pavarësinë e vet. Këtë duam ne? Këtë duam? Këtë doni ju? Unë nuk besoj se këtë duam ne.
Unë besoj që ne kemi përgjegjësi që ta forcojmë këtë dinamikë të ndarjes së pushteteve, por kemi njëkohësisht përgjegjësi që të tregojmë se ku mbaron njëri dhe ku fillon tjetri pushtet. Kushtetuta nuk flet për dy autoritete dhe një pushtet të pavarur. Kushtetuta flet për tre pushtete të pavarura. Janë reciprokisht të pavarura dhe reciprokisht të ndërthurura”, tha Rama.

