Nga Ylli Pata
Një ngjarje tragjike ka tronditur gjithë opinionin publik italian prej disa ditësh. Bëhet fjalë për një tragjedi që përfshin një nga personazhet më të rëndësishëm dhe ikonik të shtetit Italian.
Gianni De Gennaro, njeriu që themeloi policinë gjyqësore antimafia dhe një protagonistët e parë të luftës ndaj krimit të organizuar, drejtues i policisë, i shërbimeve sekrete dhe i institucioneve të ndryshme në vend, i dha fund jetës duke vrarë veten pak ditë më parë në moshën 76 vjeçare.
Vetëvrasja ndodhi, pasi një prokuror i qytetit të Caltanissetta-s në Siçili, ka nisur një hetim ndaj tij, duke e akuzuar për prishje të hetimeve për vrasjen e prokurorit tashmë mitik Paolo Borselino në vitin 1992 nga Cosa Nostra.
Prokurori, madje kërkoi edhe arrestin në shtëpi të ish-kryepolicit më të famshëm në Itali, por një gjyqtare e refuzoi kërkesën.
Megjithatë, dosja rrodhi si në modelin e diarreve të hetimeve që e kemi parë edhe këtu, duke nxjerrë versione sipas të cilave një i penduar i mafias kishte të dhëna se De Gennaro ka dekonspiruar dhe prishur hetimet, duke ju referuar mitikut “blloku i kuq”.
Një fabul shumë e famshme ku mendohej se Borselino kishte shënuar se kush fshihej pas vrasjes së prokurorit Giovani Falcone, nga radhët e politikës italiane.
Por edhe pse kanë kaluar 37 vjet, ende nuk ka dalë asnjë fakt mbi këtë piste, edhe pse ka pasur shumë hetime, edhe pse ka pasur mjaft të hetuar e arrestuar.
Por kjo ngjarje konsiderohet një shock i madh për institucionet dhe publikun në vend, e ku thuajse nga të gjitha palët ka mesazhe të forta.
Një nga emrat më autoritarë të luftës antimafie; ish-prokurori dhe ish-deputeti Luciano Violante, njeriu që hartoi ligjet e mëdha antimafia si 41/bis apo ai për të penduarit, ka dalë në televizione me dhimbje të madhe, duke goditur prokurorin që ka kryer këtë akt duke përdorur mediat për të linçuar ikonën e shtetit në Itali.
Violante tha se Gianni de Gennaro ishte njeriu më i afërt dhe i besuar i Falcone-s në luftën ndaj Cosa Nostra-s. Në fakt, pamjet flasin vetë, pasi ishte ai që uli në aeroportin e Fiumicinos, të penduarin e madh Tomasso Buschetta, i cili gozhdoi të gjithë kupolën e mafia-s siçiliane.
De Gennaro është themeluesi i një nga policive gjyqësore më ekselente në botë, e cila edhe sot është një brand i madh. Bëhet fjalë për Direzione Investigative Antimafia, e cila ka një record fantastik në aksionet mbi 30 vjeçare në luftën ndaj krimit të organizuar, jo vetëm në Itali, por edhe në Nju Jork, kur në bashkëpunim me FBI-në dh eish-prokurorin Rudy Giuliani u thërrmuan pesë familjet e Cosa Nostra-s së Shtetevet ë Bashkuara të Amerikës.
De Gennaro, më pas drejtoi Policinë e Shtetit në Itali, drejtoi DIS, që përfaqëson agjencinë e shërbimeve secrete, drejtoi Leonardo-n, ndërmarrjen e prodhimeve ushtarake e detare, si dhe institucione të tjera.
Kishte kohë që kishte dalë në pension, e tërhequr në jetën private. Vëllai i tij Andrea është një general, drejtues i Guardia di Finanza-s. Një familje, që i përket asaj elite që shteti Italian e ka mjaft të rëndësishme për të mbajtur afër.
Siç bëjnë të ditur mediat italiane, përpara se të vrasë veten, Gianni De Gennaro, ka lënë si dëshmi një hard disk me dokumente dhe dëshmi, me synimin që policia ta zbulojë e ta ketë si provë. Si dhe një letër ku bën të ditur se ai ka qenë gjithmonë një shërbyes shteti që ka punuar me një përkushtim maksimal.
Natyrisht që ditët në vijim do të ketë zhvillime të tjera e opinione mbi ngjarjen. Por reflektimi është i madh e është mbi të gjitha për Shqipërinë.
E cila ka zgjedhur modelin Italian të prokurorit fuqiplotë për të hapur një dosje. Model që erdhi me reformën në drejtësi, ku hoqi fuqinë e Prokurit të Përgjithshëm që të drejtojë e supervizojë hetimet.
Një nga juristët më të mira që ka Shqipëria, professor Fehmi Abdiu, nga duart e të cilit ka dalë Kushtetutaq ë ne kemi dhe ligjet më bazike të shtetit, në një intervistë të dhënë për TemA, vite më parë, e shprehte me dyshim lirinë e shfrenuar të prokurorëve për të hetuar pa një koordinim të Prokurorisë së Përgjithshme.
Ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri me të gjitha prokuroritë, por posaçërisht edhe me SPAK, po i japin të drejtë tezës së professor Abdiut, i cili beson dhe mbështet sistemin francez të organit të akuzës. i cili nuk është kaq i decentralizuar si ai italian dhe ai shqiptar.
Rasti i hetimit të De Gennaros, po diskutohet në opinionin italian, jo thjesht për hetimin, pasi ai nuk ka një problem, por linçimin publik me materjalet e rrjedhura nga dosja. i cili vijon edhe pas vdekjes, pikërisht për arsye politike dhe elektorale. Fiks siç ka ndodhur edhe në Shqipëri me hetimet e rëndësishme të SPAK.
TemA

