Më keq se krim, është gabim

Më keq se krim, është gabim

aritmetika e zhurmës dhe protesta që po humbet njerëzit e vet

Nga Flogert Muça/

Çdo protestë, para se të jetë politikë, është aritmetikë. Erica Chenoweth, studiuesja e Harvardit që bashkë me Maria Stephan kanë analizuar 323 fushata civile nga viti 1900 e në vazhdim, dhe kanë arritur në dy përfundime që e ndryshuan mënyrën se si e kuptojmë protestën.

I pari është se fushatat paqësore kanë dy herë më shumë gjasa të fitojnë se ato të dhunshme, 53 për qind kundrejt 26 për qind. I dyti njihet sot si “rregulli i 3.5 përqindëshit”: asnjë qeveri nuk i ka rezistuar një lëvizjeje që ka arritur të nxjerrë aktivisht në rrugë 3.5% të popullsisë, dhe të gjitha lëvizjet që e arritën këtë prag ishin paqësore.

Për Shqipërinë kjo do të thotë që në shesh duhej të ishin të paktën 80 mijë qytetarë paqësorë, pra në politikën e rrugës fuqia nuk matet me decibelë, por me koka.

Ajo që shohim këto ditë në Bulevard është pikërisht e kundërta e kësaj aritmetike, sepse pjesëmarrja është modeste (krahasuar me Flamingot apo protestat e mëdha të PD apo PS) dhe shumë larg atyre tetëdhjetë mijëve, ndërsa zhurma është e madhe. E vërteta është se kjo nuk ndodh rastësisht, sepse të dy përfundimet e Chenoweth-it janë të lidhura mes tyre: fushatat paqësore fitojnë më shpesh pikërisht sepse tërheqin më shumë njerëz, ndërsa dhuna i largon.

Kur nuk ke masivitet, të mbetet vetëm zhurma, dhe pafuqia e numrave mbulohet me fuqinë e molotovit.

Për ta kuptuar këtë protestë, mjafton ta shohësh siç është, e ndarë në tre rreshta.

Në rreshtin e parë janë ata që e bëjnë lajmin, të maskuar dhe nën adrenalinë, me gurë, molotovë dhe fishekzjarre në duar. Shumë prej tyre janë gjimnazistë që flasin me zhargonin e TikTok-ut dhe e jetojnë përplasjen me policinë si nivelin e radhës të një videoloje. Ky rresht është i vogël në numër, por zë të gjithë ekranin e TV-ve e social median si heronj.

Në rreshtin e dytë janë spektatorët, kuriozët që kanë ardhur për të parë dhe sidomos “punonjësit” e rrjeteve sociale, të cilët e filmojnë zjarrin nga çdo kënd dhe e kthejnë në përmbajtje brenda pak minutash si biznes. Ky rresht nuk sulmon, por pa të rreshti i parë nuk do të kishte audiencë, dhe pa audiencë nuk do të kishte as arsye për të hedhur gurë e molotov.

Në rreshtin e tretë, gjithnjë e më larg, janë qytetarët e qetë: aktivistët e flamingove, studentët, njerëz të zakonshëm që kanë arsye të vërteta për të qenë të zemëruar. Ata ishin zemra e protestës në fillim, por sot janë rreshti që po zbrazet më shpejt.

Pikërisht këtu qëndron drama e vërtetë e kësaj historie. Çdo molotov i rreshtit të parë largon disa njerëz nga rreshti i tretë, ndaj çdo dyqan i djegur, çdo bankë e thyer dhe çdo polic i plagosur e bëjnë protestën njëkohësisht më të zhurmshme dhe më të vogël. Qyteti mund të mos e dojë Ramën dhe as Berishën, por shumë më pak se të dy qyteti do dhunën.

Prandaj, kur i duhet të zgjedhë mes politikës që e zhgënjen dhe zjarrit që e tremb, qytetari i zakonshëm zgjedh shtëpinë.
Pra, dhuna nuk po dëmton vetëm biznesin privat dhe qytetin, por po vret vetë protestën, duke e shkëputur nga njerëzit që i jepnin legjitimitet dhe duke e lënë në duart e atyre që i japin vetëm pamje. Rreshti i parë po e bën protestën të humbasë pikërisht atë gjë që, sipas Chenoweth-it, e bën një protestë të fitojë: numrin.

Martin Luther King e ka thënë këtë më mirë se kushdo në vitin 1967, kur e quajti trazirën “gjuha e atyre që nuk dëgjohen”, duke pranuar se pas dhunës fshihet shpesh një padrejtësi e vërtetë. Por në të njëjtin fjalim ai shtoi se trazirat janë shkatërruese për shoqërinë dhe vetëshkatërruese për ata që i bëjnë. Zemërimi mund të jetë i drejtë, por kur flet me molotov, e humb pikërisht atë që kërkon, dëgjuesin.

Nga ana tjetër, mbetet një pyetje që askush nuk po e bën me zë të lartë: kush i paguan fishekzjarret? Një fishekzjarr profesional nuk kushton pak, ndërsa në bulevard ato digjen me qindra çdo natë. Nuk ka nevojë për teori konspirative për ta bërë këtë pyetje, mjafton logjika e thjeshtë, sepse kur një protestë nuk ka numra, por ka mjete të shtrenjta, dikush po investon në zhurmë. Dhe askush nuk investon në zhurmë pa pritur ndonjë fitim.

Por për të qenë i drejtë, edhe policia duhet parë me të njëjtët sy. Ajo ka të drejtë dhe detyrim të mbrojë rendin, institucionet dhe qytetarët nga dhuna, dhe asnjë shtet në Evropë nuk e lë bulevardin në duart e molotovëve. Policia shqiptare po ndjek, në fakt, modelet e menaxhimit të protestave që përdorin Franca apo Gjermania, me gaz, me ujë dhe me reparte të specializuara. Por pikërisht në ato vende kemi parë edhe pamje që nuk janë njerëzore, protestues të rrahur kur janë tashmë përtokë dhe njerëz të goditur kur nuk përbëjnë më asnjë rrezik, dhe pamje të tilla kemi parë edhe këtu.

Një goditje mbi një njeri që nuk mbrohet më nuk është mbrojtje e rendit, por dhuratë për rreshtin e parë, sepse i jep atë që kërkon më shumë se gjithçka: një viktimë për kamerat e rreshtit të dytë.

Si përfundim, kjo protestë rrezikon të përfundojë si një nga gabimet më të njohura të historisë politike. Në mars të vitit 1804, Napoleoni urdhëroi rrëmbimin dhe pushkatimin brenda një nate të Dukës së Enghien-it, një princi që, siç doli më vonë, nuk kishte asnjë lidhje me komplotin për të cilin u akuzua. Evropa u ngrit kundër tij, dhe pikërisht atëherë u tha fjalia që i atribuohet Talleyrand-it, ose një bashkëkohësi të tij: “Është më keq se krim, është gabim.” Kuptimi i saj është i thjeshtë dhe i pamëshirshëm. Krimi godet viktimën, ndërsa gabimi godet atë që e kryen. E njëjta gjë po ndodh sot në bulevard. Dhuna, si krim, po godet qytetin, bizneset dhe institucionet. Por si gabim, ajo po godet vetë autorët e saj, vetë protestën, sepse po djeg të vetmen pasuri që kishte, njerëzit e rreshtit të tretë.

Dhe aritmetika nuk gënjen: një protestë që rritet me njerëz mund ta ndryshojë një vend, ndërsa një protestë që rritet vetëm me zhurmë mund vetëm ta djegë.