Albatros Rexhaj
Kur e pyeta Edi Ramën pse Klodiana Spahiu, përgjigjja erdhi në tre fjalë: e përulur, profesioniste, besnike.
Sa më shumë e mendoj përgjigjen, aq më pak më duken tri cilësi të rastësishme. Më duken si përshkrimi i ministres që Rama po kërkon për këtë fazë të qeverisjes së tij. Dhe Shëndetësia është ndoshta vendi më i mirë për të parë nëse e ka gjetur.
Spahiu vjen me një avantazh që nuk blihet me seminar. E njeh spitalin nga brenda. Ka qenë mjeke në pavion, ka drejtuar për një periudhë spitalin e Durrësit dhe e di çfarë ndodh midis një vendimi të marrë në ministri dhe pacientit që pret në korridor.
Ajo distancë është një nga sëmundjet e vjetra të shëndetësisë sonë. Në letër ke mjek; në spital nuk e gjen. Në inventar ke aparaturën; kur të duhet, të thonë se është prishur dhe të dërgojnë matanë rrugës te privati. Buxheti e ka paguar ilaçin; pacienti del nga spitali me recetën në dorë për ta blerë jashtë. Investim, kontratë, reformë, statistikë, gjithçka ekziston, vetëm shërbimi mungon. Ministrja e Shëndetësisë nuk matet me atë që shteti thotë se ka ndërtuar. Matet me atë që qytetari gjen kur i dhemb diçka.
Prandaj fjala “e përulur” këtu nuk është zbukurim karakteri. Për këtë fjalë nuk u mjaftova me vlerësimin e kryeministrit; pyeta poshtë e lart njerëz që e njohin nga spitali dhe nga Kuvendi, dhe përgjigjja ishte pothuajse kudo e njëjta: po, është grua me këmbë në tokë. Në shëndetësi ajo cilësi është mënyrë pune. Ministrja e përulur nuk beson se sistemi funksionon sepse raporti që i ka ardhur në tavolinë thotë se funksionon. Shkon, ulet në spital, flet me mjekun, infermieren dhe pacientin, dhe pyet pse ka radhë, pse aparatura rri, pse ilaçi mungon, pse dikush nga Kukësi apo Gjirokastra duhet të vijë në Tiranë për diçka që duhet ta marrë afër shtëpisë. Jo për fotografi.
Profesionalizmi ka po aq kuptim praktik. Spahiu është mjeke. Nuk ka nevojë t’ia shpjegojë kush se çfarë do të thotë një ekzaminim i vonuar, një specialist që mungon apo një repart që funksionon vetëm në organikë. E ka parë anën tjetër të sportelit, dhe kjo e bën më të vështirë që sistemi ta mashtrojë.
Por fjala që më intereson më shumë është e treta.
Jo se dua të bëj filozofi me besnikërinë politike. Rama ka të drejtë të zgjedhë ministra të cilëve u beson; çdo kryeministër e bën. Pyetja është çfarë prodhon ai besim.
Rama po përpiqet të fusë në qeverisje një ide që e ka quajtur BESA dhe një mënyrë pune që e ka quajtur Prania Besnike. Në thelb është e thjeshtë: qytetari nuk duhet të ketë përballë një shtet që flet me veten, por dikë që dëgjon, dikë që përgjigjet dhe dikë që nuk e lëshon problemin derisa të marrë zgjidhje.
Unë e besoj Ramën kur thotë se këtë herë e ka seriozisht. Jo nga ndonjë besim i veçantë te fjala e kryeministrave. Thjesht nuk i duhet kjo manovër. Pushtetin e ka. Opozitë që t’ia marrë nuk ka përpara. BESA nuk i duhet për të mbijetuar as edhe një muaj në zyrë. Kjo nuk e provon sinqeritetin e tij; një lider me pushtet të sigurt mund të bëjë edhe komunikim, edhe trashëgimi. Por është arsyeja kryesore pse jam i prirur ta besoj, dhe pse mendoj se nisma vjen nga një pyetje tjetër: tani që e ka përsëri pushtetin, çfarë do të bëjë me të? Jo si të fitojë zgjedhjet e radhës, por si ta bëjë administratën që drejton të sillet ndryshe me qytetarin.
Nëse është kështu, Klodiana Spahiu nuk është thjesht ministre e re e Shëndetësisë. Është një nga provat e para nëse ai reflektim mund të bëhet mënyrë qeverisjeje. Dhe në shëndetësi prova është brutalisht konkrete, sepse pacienti nuk kërkon leje ndërtimi apo përgjigje administrative. Ka frikë, ka dhimbje, ndoshta ka një fëmijë të sëmurë në krah, dhe organigrama nuk i hyn në punë.
Prania Besnike në Shëndetësi nuk është Spahiu që shfaqet çdo javë në një spital. Është spitali që punon kur ajo është në Tiranë: mjeku në turn, laboratori me reagentë, aparatura që nuk të çon te privati sapo të duhet, ilaçi që gjendet aty ku shteti thotë se e ka blerë, dhe një drejtues që përgjigjet kur diçka dështon. Kaq është testi i saj: sa nga diferenca midis shëndetësisë në letër dhe shëndetësisë që gjen pacienti do të arrijë ta mbyllë.
Nuk do të jetë e lehtë. Shëndetësia është fushë minash dhe minat kanë pronarë. Këto nuk i di vetëm nga raportet. Hyj e dal nëpër spitale prej vitesh, pres në korridore, dëgjoj njerëzit dhe shoh si funksionon sistemi kur nuk ka kamera. Nga ato korridore më është formuar prej kohësh një bindje: farmaceutika funksionon si buxhet paralel, me marrëdhënie financiare që arrijnë deri te mjeku; çmimet e importit fryhen sepse depot e bëjnë tregun; paratë publike paguhen për shërbime që pacienti nuk i merr; dhe pronarë privatë kanë më shumë ndikim mbi një emërim sesa duhet të ketë një interes privat mbi një sistem publik.
Shqipërisë i duhen kompanitë farmaceutike, i duhen spitalet private, i duhet sektori privat. Por sistemi publik i shëndetësisë ka vetëm një arsye për të ekzistuar, pacientin, dhe kur interesi i dikujt tjetër fillon të përcaktojë se çfarë shërbimi merr ai, ministrja duhet të dijë të thotë jo.
Këtu do të kuptojmë nëse Rama e ka lexuar drejt Spahiun. Nuk ka zgjedhur një figurë nga jashtë sistemit që duhet të mësojë ku janë dyert. Ka zgjedhur një mjeke që e njeh spitalin, një politikane me peshë të vetën dhe një njeri për të cilin ai vetë thotë se ka besim. Tani është radha e saj. Përulësia do t’i duhet për të dëgjuar gjërat që vartësit nuk kanë qejf t’ia thonë ministres. Profesioni do t’i duhet për të kuptuar kur po i japin shpjegim dhe kur po i shesin justifikim. Pjesa tjetër është më e thjeshtë: një problem që është vetëm përcjellë nuk është problem i zgjidhur.
Mbetet kushti i madh. BESA dhe Prania Besnike nuk mund të bëhen një nga ato çuditë shqiptare që zgjasin tri ditë. Entuziazmi i parë është pjesa e lehtë: ministrat dalin në terren, deputetët dëgjojnë, telefonat hapen, kamerat regjistrojnë. Prova fillon kur kjo nuk është më lajm. Pas gjashtë muajsh, pas një viti, kur drejtori ka kuptuar se vala nuk po kalon, kur ministri e di se nuk mjafton të thotë “e përcolla”, kur qytetari fillon të kërkojë përgjigje jo sepse kryeministri sapo ka shpallur një nismë, por sepse kështu funksionon shteti.
Nëse Rama e ka seriozisht, dhe unë besoj se e ka, duhet ta mbrojë këtë standard edhe nga njerëzit e vet. Sidomos nga njerëzit e vet. Jo duke shkarkuar një ministër sa herë prishet një aparat apo gabon një drejtor; kjo do të ishte teatër. Por kur një ministër e braktis frymën, kur zyra bëhet përsëri më e rëndësishme se terreni dhe raporti më i rëndësishëm se realiteti, kur qytetari kthehet përsëri në bezdi dhe jo në arsyen e punës, aty nuk ka më çfarë të diskutohet. Kush devijon nga ky standard, largohet. Pa negociata politike, pa muaj justifikimesh, pa mbrojtjen automatike që pushteti u jep njerëzve të vet.
Klodiana Spahiu duhet ta dijë këtë, dhe bashkë me të çdo ministër tjetër. Vetëm atëherë “besnike” merr peshë: jo ndaj karriges, jo ndaj ministrit, as edhe ndaj kryeministrit, por ndaj asaj që qeveria ka marrë përsipër t’i japë qytetarit.
Qytetari nuk do t’ia dijë sa takime ka bërë ministrja, sa reforma ka prezantuar apo sa kilometra ka përshkuar. Do të dijë nëse, kur i dhemb diçka, shteti është aty. Nëse Klodiana Spahiu e arrin këtë, Rama ka gjetur ministren që po kërkon. Nëse pengesa është sistemi, Rama duhet t’i japë fuqinë për ta thyer. Nëse pengesa bëhet vetë ministrja, duhet të kërkojë tjetrën.
BESA dhe Prania Besnike nuk do të gjykohen nga mënyra si nisën. Do të gjykohen nga një gjë shumë më e thjeshtë: nëse, këtë herë, nuk mbarojnë pas tri ditësh.

