Gjatë konferencës së sotme për shtyp u krijua një situatë delikate. Doktori e kishte të nevojshme të sulmonte ata që e tallnin për mosheqjen e “non grata”. Këtë detyrë ia ngarkoi Lelos.
Lelo bisedoi me Mulin se si mund ta inskenonin këtë momentin ku Doktori duhet t’u turrej atyre që talleshin me këtë punën e “non grata”.
Muli thirri zonjën Karo dhe i dha urdhër që t’ia lexonte si pyetje Doktorit.
Zonja Karo refuzoi. Unë jam profesioniste, tha. Nuk mund t’i lexoj pyetjet e sajuara vetë. Duhet të më vijë nga një vartës.
Dakord, i tha Muli, do caktosh atë Gertën që ke vartëse të të shkruajë një pyetje ty dhe ti t’ia lexosh Doktorit.
Pastaj përgjigjen e Doktorit do ta zbardhësh sot, t’ia japësh Gertës dhe ta shpërndajë për shtypin.
-Kështu po, tha zonja Karo. Kjo është punë profesioniste.
Dhe ashtu u bë. Gerta bëri pyetjen, zonja Karo e lexoi, Doktori u përgjigj.
-Stop, Doktor, i tha zonja Karo. Ta bëjmë dhe një dubël ta kemi, se nuk doli mirë zëri në fund.
-Dakord, tha Doktori. Desha t’i mallkoj këta që gëzohen me fatkeqësinë e tjetrit, por po u them: ju marrtë pas Lubia.
-Jo, jo, hiqe këtë, i tha zonja Karo, se na duhet e pastër kjo skena. Mos na përziej me emra të tjerë. Duhet të sqarojmë që tani nuk je non grata as ti, as teta Lili, as Gita, as Zeni.
-E vërtetë, tha Doktori. Nuk jemi non grata. Ata e kanë akoma të vështirë të marrin vizë, por do ta zgjidhim. Unë e zgjidha timen, por shkoi diku tek 12 milionë euro, 6 LaCivita, 6 kjo kompania e lobimit. Tani për këta vetë duhen rreth 50 milionë euro. Besoj do t’i gjejmë. Demokratët janë të mobilizuar.
-Atëherë e fillojmë dhe një herë, tha zonja Karo. Vazhdo përgjigjen se pyetjen e kemi.
-Dua t’u them të gjithë atyre që u gëzuan më 2021 për non gratën time, veçanërisht Lul Bashës dhe Ramës: mos bëfshi hajër dhe ju marrtë pas Lubia.
-E the një herë këtë, tha zonja Karo.
-Po a the dubël ti?, pyeti Doktori.
-E thashë, tha zonja Karo, por që të mos thoshe këtë fjalinë e fundit. Dhe një dubël tjetër e s’të biem më në qafë.
-Dakord, tha Doktori. Po e përsëris që nuk kam qenë non grata dhe se ai njoftimi në Departament të Shtetit do të hiqet sapo të kthehet nga pushimet IT e Departamentit të Shtetit, se ka ikur në Florida dhe atje ka uragane dhe është vonuar ca. Gjithë të tjerat janë në rregull./Tema

