Thethi çel sot siparin e festivalit “Ah Theth”, që për tri ditë me radhë do të kthejë një nga destinacionet më të bukura turistike të vendit në qendrën e muzikës, sportit dhe aventurës.
Nga 21 deri më 23 gusht, vizitorët do të përjetojnë dy net dhe tri ditë aktivitete, nga perëndimi deri në lindjen e diellit, mes peizazheve të Alpeve, mikpritjes së banorëve vendas dhe atmosferës që premton të bashkojë natyrën me argëtimin.
Kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët të bëhen pjesë e festivalit, duke e cilësuar Thethin si një vend ku “natyra është spektakli më i bukur”.
“Në Thethin magjik, aty ku natyra është spektakli më i bukur, kjo fundjavë vjen me muzikë, sport, aventurë dhe plot energji. 21-23 gusht, festivali “Ah Theth” sjell dy net e tri ditë, nga perëndimi në lindje të diellit, mes bukurive të Alpeve, mikpritjes së vendasve, shijeve të traditës dhe kreativitetit që i jep jetë këtij destinacioni unik”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Programi i festivalit përfshin DJ set-e, performanca live dhe artistë të zhanreve të ndryshme, ndërsa nuk do të mungojnë aktivitetet sportive dhe aventurat në natyrë, të organizuara mes peizazhit karakteristik të Thethit.
Përmes këtij organizimi synohet promovimi i mëtejshëm i Thethit si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të Shqipërisë, duke ndërthurur bukuritë natyrore me kulturën, traditën dhe ofertën e turizmit aktiv.

