Nga burgu famëkeq në një institucion me palestër dhe joga: Aktori Russell Brand transferohet vetëm katër ditë pas dënimit me mbi 10 vite

Nga burgu famëkeq në një institucion me palestër dhe joga: Aktori Russell Brand transferohet vetëm katër ditë pas dënimit me mbi 10 vite

Russell Brand është transferuar në një burg të sigurisë më të ulët, vetëm pak ditë pasi u dënua me 10 vite e gjashtë muaj burg për përdhunim dhe sulme seksuale.

Aktori dhe komediani britanik, 51 vjeç, është larguar nga burgu Wandsworth në Londër dhe është dërguar në HMP Littlehey, në Cambridgeshire, një institucion i kategorisë C që strehon edhe të dënuar për krime seksuale.

Transferimi është kryer të premten, vetëm katër ditë pas shpalljes së dënimit të tij. Lajmi u bë publik të dielën, ndërsa bashkëshortja e tij, Laura Brand, konfirmoi se kishte komunikuar me të dhe se ai ishte mirë.

Burgu i ri ku do të vuajë dënimin Brand ofron kushte dhe aktivitete të ndryshme për të burgosurit. Mes tyre janë palestra, ambiente sportive, joga, këndim në kor dhe aktivitete të tjera kulturore. Institucioni ka gjithashtu një fushë futbolli me bar artificial dhe ambiente për bowling.

Transferimi ka tërhequr vëmendjen në Britani, pasi Brand kaloi brenda pak ditësh nga një burg i kategorisë B në një institucion me nivel më të ulët sigurie.

Sipas raportimeve të mediave britanike, autoritetet kishin shqyrtuar edhe mundësinë e dërgimit të tij në HMP Wakefield, një burg i njohur për të dënuarit për krime të rënda. Megjithatë, siguria e tij dhe rreziku i mundshëm nga të burgosurit e tjerë kanë qenë ndër faktorët e diskutuar në lidhje me vendosjen e tij.

Ndërkohë, Mail on Sunday ka publikuar pretendime për sjelljen e aktorit në ditët e para pas arrestimit, duke ngritur pikëpyetje mbi sinqeritetin e besimit të tij të deklaruar të krishterë. Gazeta ka raportuar gjithashtu për një plan të dyshuar që ai mund të përdorë për të komunikuar me ndjekësit e tij përmes bashkëpunëtorëve jashtë burgut. Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Russell Brand u shpall fajtor më 5 nëntor për një akuzë përdhunimi dhe tri akuza për sulm seksual ndaj katër grave, për vepra të kryera mes viteve 2004 dhe 2009. Më 9 nëntor, Gjykata e Kurorës në Southwark e dënoi me gjithsej 10 vite e gjashtë muaj burg.

Ai u shpall i pafajshëm për dy akuza të tjera përdhunimi dhe një akuzë për tentativë sulmi të pahijshëm. Ndërkohë, policia britanike po vijon hetimet edhe për dy akuza të tjera të pretenduara për përdhunim.