Me 84 votat pro të mazhorancës, Kuvendi miratoi formulën e re për pagat e magjistratëve. Votimi nuk i dha fund përplasjes mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë. Magjistratët e kanë kundërshtuar projektligjin e socialistëve, i cili parashikon një rritje të pagës referuese me rreth 8,500 lekë, ndërkohë që kërkesa e tyre, e miratuar edhe nga KLGJ dhe KLP, është rreth nëntë herë më e lartë, afro 80 mijë lekë.
Vetë kryeministri Edi Rama ngriti kartonin jeshil në sallë, ndërsa Sali Berisha mungoi në momentin e votimit. Gjatë debatit, Rama u përplas ashpër me opozitën, e cila kishte paralajmëruar votën kundër projektligjit të PS-së, duke e cilësuar atë “puç kushtetues”.
Për t’i dhënë fund kësaj situate, qeveria ka nisur punën për hartimin e një ligji të ri për ribalancimin e piramidës së pagave. Sipas Ramës, me reformën në drejtësi, pagat e magjistratëve u rritën në mënyrë “stratosferike”, duke prishur raportin me pagat e tjera. Ai e cilësoi “lajthitje” kërkesën që pagat e magjistratëve të rriten automatikisht sa herë rriten pagat e punonjësve të tjerë
Por për opozitën, formula e socialistëve nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. PD e cilësoi projektligjin ‘puç kushtetues’ dhe votoi kundër tij.
“Gjykata Kushtetuese i dha Kuvendit katër muaj kohë që ta zgjidhte çështjen përpara se vendimi i saj për shfuqizimin e ligjit të pagave të hynte në fuqi. Pra, u tregua tërësisht e përgjegjshme, ndryshe nga ty dhe nga ky Kuvend që u tregua tërësisht i papërgjegjshëm”. tha Bardhi.

