Për dekada me radhë, Lihtenshtejni ka qenë një nga destinacionet më të preferuara për të pasurit e botës që kërkonin siguri, stabilitet dhe mbi të gjitha fshehtësi.
Principata e vogël mes Zvicrës dhe Austrisë ndërtoi reputacionin e saj mbi një premtim të thjeshtë: pasuria mund të menaxhohej në struktura ligjore të sofistikuara, pa e bërë të dukshëm publikisht emrin e pronarit.
Por ky premtim tashmë është tronditur. Në fund të korrikut, hakerët arritën të depërtonin për disa orë në regjistrin zyrtar që përmban identitetet e personave pas kompanive, fondacioneve dhe strukturave të tjera të krijuara ose administruara në Lihtenshtejn.
Sipas të dhënave të raportuara nga Bloomberg, sulmi preku rreth 31 mijë subjekte. Nuk ka prova se hakerët kanë marrë para, kanë hyrë në llogari bankare apo kanë vjedhur të dhëna financiare.
Por ajo që morën ishte ndoshta edhe më e vlefshme për një sistem të ndërtuar mbi fshehtësinë: emrat e njerëzve që qëndrojnë pas pasurive shumëmilionëshe.
Në botën e financave ndërkombëtare, pasuria shpesh nuk regjistrohet drejtpërdrejt në emër të një individi.
Një vilë miliona euroshe mund të jetë në pronësi të një kompanie, aksionet e së cilës kontrollohen nga një tjetër kompani, ndërsa kjo e fundit mund të menaxhohet nga një fondacion me përfitues të ndryshëm.
Për vite me radhë, këto struktura kanë krijuar një labirint juridik që e bënte shumë të vështirë identifikimin e pronarit real. Regjistri që u sulmua nga hakerët, ishte pikërisht çelësi që lejonte ndjekjen e kësaj zinxhiri deri te personi përfundimtar.
Lihtenshtejni ka një histori të gjatë si qendër financiare e lidhur me fshehtësinë bankare dhe ka qenë në qendër të disa skandaleve.
Rasti më i madh shpërtheu në vitin 2008, kur autoritetet gjermane siguruan një listë klientësh të bankës LGT që përdornin fondacione në Lihtenshtejn për të fshehur pasuri.
Hetimi preku qindra persona të pasur europianë dhe pati pasoja edhe në Spanjë, ku autoritetet kontrolluan investime të padeklaruara.
Presioni ndërkombëtar nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane, e detyroi principatën të ndryshojë kurs. Rregullat kundër pastrimit të parave dhe shkëmbimi i informacionit fiskal e bënë sistemin më transparent.
Në vitin 2015, Lihtenshtejni arriti një marrëveshje me Bashkimin Europian për shkëmbimin e informacionit mbi llogaritë financiare.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se vendi humbi joshjen për të pasurit. Ndryshimi ishte se autoritetet filluan të bashkëpunojnë me vendet e tjera, ndërsa privatësia vazhdoi të mbetej një element kyç.
Ligji i vitit 2021, në përputhje me standardet europiane kundër pastrimit të parave, kërkoi që kompanitë dhe fondacionet të deklaronin pronarët përfitues. Por këto të dhëna mbetën të kufizuara për publikun dhe të aksesueshme vetëm për autoritetet apo institucionet e autorizuara.
Shifrat tregojnë rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij sistemi. Në fund të vitit 2025, Lihtenshtejni kishte rreth 22.927 struktura ligjore, një numër i jashtëzakonshëm për një vend me vetëm rreth 41 mijë banorë.
Gjatë gjithë vitit, vetëm 35 kërkesa për akses në regjistër u paraqitën, shumica nga banka dhe institucione financiare.
Fondacionet janë veçanërisht tërheqëse për familjet e pasura sepse lejojnë ndarjen mes personit që jep kapitalin, atij që administron pasurinë dhe atyre që përfitojnë prej saj.
Kjo i bën ato një mjet të përdorur për ruajtjen e pasurisë familjare ndër breza. Megjithatë, ekzistenca e një fondacioni në Lihtenshtejn nuk është në vetvete e paligjshme.
Pasuritë mund të menaxhohen në mënyrë legale për sa kohë deklarohen dhe detyrimet fiskale përmbushen.
Por për një vend që e ka ndërtuar reputacionin mbi privatësinë, humbja e kontrollit mbi informacionin më të ndjeshëm është një goditje e madhe.
Sulmi kibernetik nuk preku paratë e miliarderëve, por pikërisht atë që për dekada ishte produkti kryesor i Lihtenshtejn: sekretin.

