Pritjes i erdhi fundi! Sot Haga shpall vendimin për katër ish-krerët e UÇK-së: Prishtina e pret verdiktin në shesh: Na i ktheni djemtë n’shpi!

Pritjes i erdhi fundi! Sot Haga shpall vendimin për katër ish-krerët e UÇK-së: Prishtina e pret verdiktin në shesh: Na i ktheni djemtë n’shpi!

Katër orë ndajnë Kosovën nga një prej momenteve më të rëndësishme që prej përfundimit të luftës. Në orën 10:00, Dhomat e Specializuara në Hagë do të shpallin aktgjykimin e shkallës së parë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, pas një procesi që zgjati afro gjashtë vjet nga arrestimet dhe më shumë se tre vjet gjykim.

Për shumë qytetarë në Kosovë, kjo nuk është thjesht një seancë gjyqësore. Që prej mbrëmjes së djeshme, sheshet janë mbushur me qytetarë, flamuj të UÇK-së dhe pankarta në mbështetje të katër ish-drejtuesve. Sikurse raporton edhe gazetari i Report TV Isa Myzyraj, në Prishtinë është vendosur një ekran gjigant ku mijëra qytetarë pritet ta ndjekin drejtpërdrejt leximin e vendimit, ndërsa në Hagë qindra shqiptarë kanë kaluar natën pranë ndërtesës së Gjykatës Speciale.

Si do të zhvillohet seanca?

Seanca nis në orën 10:00 deri në orën 12:00 dhe do të jetë publike. Transmetimi në shqip, anglisht dhe serbisht do të transmetohet me rreth 10 minuta vonesë, ndaj publiku do ta ndjekë praktikisht nga ora 10:10.

Një detaj i rëndësishëm është se aktgjykimi nuk do të lexohet me një vendim të vetëm. Trupi gjykues do ta trajtojë çështjen veçmas për secilin të akuzuar.

I pari do të jetë Hashim Thaçi, më pas Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe në fund Jakup Krasniqi. Për secilin do të lexohet verdikti për secilën nga 10 pikat e aktakuzës, çka do të thotë se procesi do të jetë më kompleks sesa një shpallje e vetme “fajtor” ose “i pafajshëm”.

Çfarë vendos gjykata?

Katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për 10 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në thelb, gjykata duhet të vendosë nëse Prokuroria ka arritur të provojë, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, përgjegjësinë penale individuale të secilit prej tyre.

Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burg për secilin, por kjo është vetëm kërkesa e saj dhe jo dënimi që do të japë domosdoshmërisht gjykata.

Një nga proceset më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë

Procesi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka qenë një nga më voluminozët e zhvilluar nga Dhomat e Specializuara.

Gjatë gjykimit janë dëgjuar rreth 270 dëshmitarë, janë administruar 5.467 prova materiale dhe mbi 29 mijë faqe transkripte. Vetë trupi gjykues ka pranuar se ky volum i madh provash ndikoi në kohën e gjatë të vendimmarrjes.

Prishtina pret në shesh

Pika kryesore e grumbullimit sot do të jetë sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë.

Komuna dhe platforma “Liria ka Emër” kanë vendosur një ekran gjigant ku qytetarët do të ndjekin drejtpërdrejt seancën.

Që prej mbrëmjes së djeshme, rrugët e kryeqytetit janë mbushur me fotografi të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, flamuj të UÇK-së dhe pankarta me mesazhe si “Sillini në shtëpi”, “Heronj të luftës dhe paqes” dhe kërkesa që ata të shpallen të pafajshëm.

Edhe Haga nuk ka fjetur

Gjatë gjithë natës, jashtë ndërtesës së Gjykatës Speciale kanë qëndruar qindra shqiptarë të ardhur nga Kosova dhe vende të tjera të Evropës.

Platforma “Liria ka Emër” organizoi aktivitetin “Nata e Pritjes”, i cili nisi në orën 22:00 dhe vazhdoi deri në mëngjes, në pritje të verdiktit.

Masa të forta sigurie

Policia e Kosovës ka hartuar një plan të posaçëm operacional për aktivitetet e sotme dhe është koordinuar me KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën amerikane, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në.

Janë paralajmëruar kufizime të përkohshme të trafikut në zonat ku priten grumbullime të mëdha.

Edhe SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre në Kosovë të shmangin tubimet dhe lëvizjet e panevojshme gjatë ditës.

Çështja nuk mbyllet domosdoshmërisht sot

Vendimi që shpallet sot është aktgjykimi i shkallës së parë. Nëse do të ketë dënime, mbrojtja do të ketë të drejtën ta ankimojë vendimin në apel.