Nga Hermes Kafexhiu
Mora shkas nga një shkrim i Birn Albania ditën e sotme për këtë çështje. Ka një paradoks të bukur në këtë histori. Për të kuptuar nëse Veliaj ka bërë ndonjë gjë të paligjshme, na thuhet se duhet të kthehemi në vitin 2003. Të shohim apartamente, pagesa, transaksione, njohje, udhëtime, të ndjekim gjurmët e parave dhe të rindërtojmë një histori që nis shumë përpara se ai të ulej në zyrën e kryebashkiakut.
Sipas logjikës së hetimit, është krejt normale. Patjetër që është. E kaluara nuk skadon.
Pastaj vjen pyetja për Ols Dadon dhe papritur e kaluara bëhet një vend i ndaluar.
Mos shko atje, thonë. Mos pyet çfarë ndodhi në 2007-2008.
Po pse?
Çfarë ndodhi me parimin magjik që na lejon të kthehemi njëzet vjet pas për njërin dhe na ndalon të kthehemi tetëmbëdhjetë vjet pas për tjetrin?
Këtu nuk është problemi te Veliaj. As te Dado. Problemi është standardi. Nëse e kaluara mund të përdoret për të ndërtuar një tablo mbi një politikan, ajo nuk mund të shpallet papritur “e parëndësishme” kur pyetja bie mbi një prokuror. Sidomos kur pyetja nuk është se me kë ka pirë kafe Dado në vitin 2007.
Pyetja është nëse rruga përmes së cilës ai arriti të bëhej prokuror ka qenë në përputhje me rregullat e kohës.
Nëse pretendimi është i pavërtetë, aq më mirë. Dokumentet e mbyllin muhabetin.
Nëse ka pasur vërtet një mënyrë për t’iu shmangur një kriteri ligjor për të marrë një funksion që sot ushtron pushtetin penal në emër të shtetit.
Megjithatë, Gjykata Administrative nuk e shqyrtoi këtë pyetje në themel. Ajo rrëzoi padinë për mungesë legjitimimi dhe interesi të drejtpërdrejtë. Kjo është një përgjigje procedurale dhe duhet respektuar si e tillë. Por nuk është përgjigje për pyetjen nëse pretendimi mbi emërimin është i vërtetë apo i pavërtetë.
Veliaj nuk arriti ta bëjë procesin, megjithëse ai do ta apelojë atë. Po as Dadoja nuk mori nga kjo gjykatë një certifikatë mbi të vërtetën e historisë së emërimit të tij.
Nëse SPAK ka të drejtë të pyesë “çfarë ka bërë Veliaj në vitin 2003?”, atëherë shoqëria ka të drejtë të pyesë “si u bë prokuror Dadoja në vitin 2008?”.
Jo për t’i dhënë imunitet Veliajt. Jo për të rrëzuar SPAK-un.
Po për të mos krijuar një drejtësi ku e kaluara është provë kur hetohet tjetri dhe është ndryshe kur pyetja kthehet nga ana tjetër. Ligji nuk ka palë, ai ose i sheh të gjithë, ose nuk sheh askënd.

