Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se familjet e të miturve që marrin pjesë në aktet e dhunës gjatë protestave do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara, nëse nuk marrin përgjegjësinë për fëmijët e tyre. Rama tha se edhe studentët që lënë shkollën për të sulmuar efektivët e Policisë do të përballen me pasoja administrative, duke paralajmëruar se nuk do të përfitojnë më arsim falas, bursa apo mbështetje financiare nga shteti.
“Kush i është vënë në dispozicion këtij plani ogurzi, do të paguajë. U them të gjitha familjeve të atyre të miturve: Do të paguani në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë, në rast se nuk dini ju t’i mbroni fëmijët tuaj dhe i lini rrugëve, nga 15, 14, 13 apo 16 vjeç, që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa. Atëherë, fatura financiare për të gjitha këto dëme do t’ju përndjekë deri në fund.
U them të gjithë atyre të tjerëve që ikin nga shkolla për të dhunuar Policinë, që nuk do të kthehen në shkollë normalisht, pa pasoja administrative për këtë. Nuk do të kenë arsim falas. Ata studentë që dalin dhe dhunojnë Policinë e Shtetit nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti.
Nëse duan të vazhdojnë universitetin, pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë të Shqipërisë, që janë fëmijët e efektivëve të Policisë apo që janë fëmijët e kujtdo që është në anën e shtetit, asnjë kokërr leku nuk do të marrin ata nga taksat e shqiptarëve, për asgjë.
Sepse me taksat e shqiptarëve do të riparojmë trotuaret, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë semaforët, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë kamerat që ata shkatërruan, tabelat, stolat. Me taksat e shqiptarëve do të zëvendësojmë pemët.
Nuk do të paguajmë nga taksat e shqiptarëve për ca djem dhe vajza që kujtojnë se u bë deti kos për Antifa-n dhe për gjithë çfarëdolloj delirantësh.
Edhe për gropën e madhe të fshehjes së të ardhurave të shtetit, News24, pronari i së cilës duhet të jetë përpara drejtësisë dhe për të cilin janë kapicë dosjet për evazion fiskal me miliona e miliona euro, dhe të cilit Prokuroria e Tiranës i ka dhënë imunitet, apo për lavatriçen e parave të zeza, Syri-n, burimet e propagandës më të shëmtuar kundër Policisë së Shtetit.
Si do t’i dorëzohet shteti, si do t’i dorëzohet qeveria, si do t’i dorëzohet Parlamenti, si do t’i dorëzohet Shqipëria këtij vulgariteti, kësaj të keqeje, këtyre që qajnë për studentët, këtyre që duan arsim më të financuar dhe që të tërë… Më saktë, ndjesë për futjen e të gjithëve në një thes, se s’janë të gjithë në një thes, por shumica e tyre marrin paratë nën dorë, grabisin pensionet, nuk deklarojnë të ardhurat, sepse janë të ardhura nga paratë e zeza për të bërë analiza dhe deklarojnë sikur janë punonjës në fason, dhe pastaj u qajnë hallin punonjësve në fason.
Ju qajnë hallin pensionistëve, duan më shumë për pensionistët dhe nuk kanë zemër që të kontribuojnë të paktën me tatimin mbi pagën e tyre të vërtetë në të zezë”, tha Rama.

