Arbitrazhi me biznesmenin Francesco Becchetti solli një përplasje në Kuvend mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të PD-së, Blendi Himçi. Akuzave të deputetit, Rama iu përgjigj duke thënë se e njeh vendimin e arbitrazhit, por qeveria e ka kundërshtuar përmes rrugëve ligjore. Ai këmbënguli se Becchetti nuk ka marrë para nga shteti shqiptar dhe ironizoi opozitën, duke e krahasuar me “zhelet e gabit”, një shprehje që, siç tha Rama, e përdorte ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli.
“Zoti kryeministër, ju e dini shumë mirë se vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit, ku Shqipëria është aderuese, janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Tani më dëgjoni deri në fund, ju dëgjova me shumë vëmendje. Po pse e keni gjithë këtë acarim? Vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit as ankimohen dhe as janë thjesht të zbatueshme për atë shtet. Ju si qeveri, pavarësisht se thoni ‘do të marrë zero lekë’, nënkuptoni me këtë shprehje që nuk e njihni atë vendim ndërkombëtar të Gjykatës së Arbitrazhit.
Në vazhdën e kësaj mosnjohjeje, po të njëjtën histori po përdorni edhe sot me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pagat e punonjësve. Jeni po në të njëjtën vazhdë, po i jepni këtë lloj fryme Parlamentit: që të mos zbatojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, ajo që ju citova, dhe meqë përdorët ironi nëse jemi juristë të famshëm apo të pafamshëm, ajo që konstatohet është se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i zbatueshëm dhe i detyrueshëm dhe ju jeni të detyruar ta zbatoni. Jua kemi sjellë si Kuvend në qershor dhe ju nuk morët asnjë masë deri më 31 korrik. Pse nuk morët asnjë masë? Pse nuk bëtë përllogaritjen? Po vini tani dhe na sillni artifica për një projektligj, i cili nuk ka as bazë ligjore në lidhje me atë që ka shprehur Gjykata Kushtetuese”, tha Himçi.
“E para, nuk thashë ‘juristë të famshëm’, se unë ju personalisht as nuk ju njoh kush jeni. Bile, sot realisht nuk e di fare. Ishim në anën tjetër atje duke parë dhe pyeta: ‘Kush është ky?’, se m’u duk si një deputet i Partisë Demokristiane.
Tani, ajo që unë thashë edhe njëherë, se ju ngulni këmbë në të njëjtën gjë dhe me të njëjtën mendësi: unë e njoh vendimin e arbitrazhit dhe pikërisht pse e njoh, e kemi sulmuar në të tjera instanca. Dhe nëse do të ishte siç thoni ju, që unë po them ‘nuk e njoh vendimin e arbitrazhit’, në kaq vite ai vendim do të ishte ekzekutuar dhe paratë e shtetit shqiptar do të ishin marrë.
E vërteta është që ai vendim nuk është ekzekutuar, i dashur jurist i panjohur, sepse ne jemi në disa procese, e kemi kontestuar në rrugët që kemi gjetur dhe deri tani subjekti jo vetëm nuk ka marrë asnjë kokërr leku dhe nuk ka për të marrë asnjë kokërr leku, por ka hyrë në një telash shumë të madh me Republikën e Shqipërisë, sepse nga një kundërshtar në arbitrazh është objekt i së drejtës penale, qoftë këtu, qoftë edhe jashtë.
Kjo është e vërteta për këtë pjesë dhe paratë e bllokuara të Albcontrol-it janë në një fond të ngrirë dhe do të preken vetëm kur të mbarojë sqarimi i çështjes. Ndërkohë, po ju përsëris që edhe vetë SPAK ka hyrë aktivisht në këtë çështje, pikërisht sepse ne qysh në krye të herës kemi qenë shumë të qartë.
Unë ju kam thënë qysh në krye të herës që mos e tallni dhe mos e merrni për budalla popullin shqiptar, duke i treguar se ‘ikën 100 milionë, ikën 450 milionë, ikën 45 milionë, ikën 70 milionë’, sepse, po qe puna për llogari, siç i bën ky popull, nuk i bën njeri. Prandaj aq mirë e llogarit edhe sa vleni ju, sa në çdo zgjedhje jua ul çmimin dhe jua ka bërë si rroba të gabit. Kështu jeni bërë ju në politikën shqiptare: rroba të gabit ose, siç thoshte fort e nderuara Jozefinë, ‘zhele të gabit’”, tha Rama.

