Rregullorja censuruese! Shtator pa gjyqe në GJKKO: Gjobiten avokatët e Veliajt! Kryebashkiakut i pezullohen afatet e paraburgimit

Rregullorja censuruese! Shtator pa gjyqe në GJKKO: Gjobiten avokatët e Veliajt! Kryebashkiakut i pezullohen afatet e paraburgimit

Tre javët e fundit në Gjykatën e shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është zhvilluar asnjë gjyq. Pas gushtit të pushimeve, vetëm javën e parë të muajit u zhvilluan disa seanca gjyqësore, ndërsa që prej 9 shtatorit, kur avokatët nisën bojkotin kundër rregullores censuruese të GJKKO, kanë dështuar të gjitha proceset, përfshi edhe ato ndaj emrave ‘vip’ të politikës dhe krimit të organizuar.

E fundit ajo e kësaj të marte ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt. Gjyqtarja Elsa Ulliri jo vetëm që gjobiti avokatët me nga 10 mijë lekë të reja për shkak të mungesës por edhe pezulloi afatet e paraburgimit për Veliajn, i vetmi me masë sigurie arrest me burg nga dosja e tij.

Pra, pasoja e zbatimit të një rregulloreje po bien mbi të pandehurit, jo vetëm me zvarritjen e proceseve ndaj tyre por edhe me rëndë, si në rastin e Veliajt apo Metës me pezullim të afateve të paraburgimit. Të arrestuarit penalizohen edhe me moshqyrtim të kërkesave të tyre për rishikim të masave të sigurisë.

LEXO EDHE:
Avokatët në bojkot ndaj rregullores, ish-ministri Beqaj shkon në GJKKO për gjyqin e Sterilizimit (VIDEO)
Për avokatin Ledio Braho situata është absurde dhe e paprecedentë, duke pasur parasysh se prej dy ditësh janë bojkotuar edhe seancat për masat e sigurisë, ndaj kërkohet urgjent ndërhyrje e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të ndërhyjë në këtë situatë dhe është kërkuar edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Dhoma e Avokatisë i ka dërguar shkresë edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka kërkuar reagim edhe nga KLGJ-ja, por edhe atje krejtësisht heshtje dhe nuk ka asnjë reagim për ta zgjidhur këtë çështje”, thotë Braho.

I ftuar në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv Braho tha se vetëm vullneti nga ana e drejtuesit në GJKKO po pengon zgjidhjen e situatës.

“Situata është krejtësisht e zgjidhshme. Ajo që është kërkuar nga Dhoma e Avokatisë është pezullimi i përkohshëm i këtyre dispozitave, i atyre dispozitave që kanë të bëjnë me ndalimin dhe me sekuestrimin e telefonit nga punonjësit e gjykatës përpara se të nisë seanca gjyqësore, dhe të ketë një konsultë me përfaqësues të Dhomës së Avokatisë, në mënyrë që të gjejmë zgjidhjen e duhur se si, në vijim, edhe gjykata të garantojë sigurinë, sepse ky është argumenti që është përdorur sa i përket rregullores, pra që cenohet siguria në gjykatë nga përdorimi i telefonit, por edhe që avokatëve të mos u cenohet e drejta e mbrojtjes dhe të mos cenohen në mbajtjen e telefonit të lëvizshëm në seancat gjyqësore. Pra, mjafton një vullnet i mirë nga gjykata për t’u konsultuar. Bojkoti i avokatëve pikërisht këtë ka për synim, që sjellje të tilla arrogante të mos lejohen të vijojnë edhe në të ardhmen, sot nga GJKKO-ja, nesër nga një gjykatë tjetër, sepse situata të tilla po bëhen rrugë”, vijoi ai.

Me nisjen nga e hëna edhe të bojkotit të masave të sigurisë, gjë që çon në lirimin e çdo të arrestuari rishtas nëse gjykata nuk e shqyrton brenda 72 orësh, edhe në GJKKO ka pasur thirrje për arsyetim. Report Tv mësoi, se në mbledhjen e gjyqtarëve të GJKKO, disa prej togave të zeza dolën kundër Banit dhe kërkuan dialog me avokatët për situatën që është krijuar.