Rreth zjarrit deri në agim! Kështu e kaluan natën qytetarët e Kosovës në pritje të vendimit të Hagës ndaj ish krerëve të UÇK-së

Rreth zjarrit deri në agim! Kështu e kaluan natën qytetarët e Kosovës në pritje të vendimit të Hagës ndaj ish krerëve të UÇK-së

Nata në Prishtinë kaloi ndryshe. Që pas mesnate, sheshi “Skënderbeu” nuk u boshatis asnjë moment. Rreth zjarrit u mblodhën burra e gra, djem e vajza, të ardhur nga qytete të ndryshme të Kosovës, për të pritur bashkë mëngjesin e vendimit të Hagës për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Dikush i binte kitarës, tjetri çiftelisë të gjithë ia merrnin këngës. Herë dëgjohej “Mora fjalë”, herë këngët patriotike kushtuar ish-drejtuesve të UÇK-së.

Në kor këndohej: “T’fala Parisit e t’fala Brukselit, jem ushtar të Kadri Veselit…”, ndërsa flamujt e UÇK-së shpaloseshin me krenari.

Nuk munguan as kafeja e ngrohtë, as bisedat që zgjatën deri në agim. Disa u ulën pranë zjarrit, të tjerë qëndruan në këmbë për orë të tëra. Askush nuk kishte ardhur vetëm për të kaluar natën. Të gjithë prisnin të njëjtin moment: orën 10:00, kur nga Haga do të lexohet vendimi.