Ministria e Brendshme britanike mund të pengohet të deportojë shumë djem të rinj, viktima të trafikimit, drejt Shqipërisë, pas një vendimi të fundit gjyqësor.
Mijëra djem shqiptarë janë identifikuar si viktima të mundshme të trafikimit në Mbretërinë e Bashkuar gjatë viteve të fundit. Shumë prej tyre dërgohen përsëri në vendin e tyre edhe nëse janë viktima të mundshme ose të konfirmuara të trafikimit, pasi Ministria e Brendshme argumenton se ata do të jenë të sigurt në Shqipëri.
Vendimi pritet të jetë goditje e madhe për qeverinë, e cila po përpiqet të rrisë numrin e personave që dëbon nga vendi.
Shqiptarët kryesojnë shifrat e personave të larguar me forcë nga Mbretëria e Bashkuar gjatë pesë viteve të fundit. Sipas shifrave të qeverisë britanike, 2,247 shqiptarë u deportuan në 12 muajt deri në fund të marsit, duke përbërë një të katërtën e kthimeve të detyruara.
Të dhënat e bëra publike gjatë çështjes gjyqësore tregojnë se, ndërsa më parë viktimat kryesore shqiptare të trafikimit ishin grate, kryesisht të trafikuara drejt industrisë së seksit në Mbretërinë e Bashkuar, ato tashmë janë tejkaluar nga meshkujt, kryesisht djem të rinj, të trafikuar për të punuar në tregtinë e drogës, qoftë për shpërndarjen e saj, qoftë si “kopshtarë” në fermat e kanabisit.
Në vitin 2022, 4,107 meshkuj shqiptarë iu referuan shërbimeve britanike për shkak të dyshimeve për trafikim, krahasuar me 502 gra. Në vitin 2023, shifra ishte 3,463 meshkuj dhe 588 femra.
Gjithçka nisi nga një 21-vjeçar, viktimë e trafikimit nga Shqipëria, i cili u shfrytëzua për herë të parë nga një bandë shqiptare në Belgjikë, kur vizitoi vendin së bashku me babanë e tij në moshën 16-vjeçare. Ai iu shit një bande tjetër shqiptare, e cila e solli në Mbretërinë e Bashkuar dhe e detyroi të punonte në kultivimin e bimëve të kanabisit. Më vonë ai u arratis dhe u njoh si viktimë e trafikimit, por iu refuzua azili, pasi iu tha se do të ishte i sigurt nëse kthehej në Shqipëri.
Një trup gjykues prej tre gjyqtarësh të lartë në Tribunalin e Lartë të emigracionit pranoi kërkesën e tij për azil dhe konstatoi se, edhe pse kishin kaluar pesë vjet që nga koha kur ai ishte trafikuar për herë të parë, ai vazhdonte të ishte në “rrezik real” nga trafikantët e tij dhe nuk mund të kthehej në mënyrë të sigurt në Shqipëri.
Gjyqtarët nxorën udhëzime të reja për Britaninë, të cilat qeveria duhet t’i marrë në konsideratë dhe Ministria e Brendshme duhet t’i zbatojë përpara se të vendosë nëse do t’i kthejë në Shqipëri djemtë që janë viktima të trafikimit.
Vendimi konstatoi se, megjithëse Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, ai vazhdon të jetë një problem i përhapur. Gjykata gjithashtu vuri në dukje se nuk ka streha të posaçme për viktimat e trafikimit dhe se rreziku që të ritrafikohen pas kthimit në Shqipëri është i konsiderueshëm.
Qendra Ligjore e Islingtonit e cila ka ekspertizë të veçantë në përfaqësimin e viktimave shqiptare të trafikimit, vuri në dukje një sërë praktikash shqetësuese që bandat përdorin ndaj viktimave të tyre. Këto përfshijnë filmimin e qëllimshëm të abuzimit seksual, përfshirë përdhunimin e fëmijëve viktima të trafikimit, dhe kërcënimin për publikimin e pamjeve në rrjetet sociale; atyre gjithashtu u shfaqin të rinjve video të njerëzve të tyre të dashur në Shqipëri, për t’u bërë të ditur se e dinë se kush janë familjarët e tyre; ndërsa bandat u shkaktojnë fëmijëve dhe të rinjve edhe dëmtime fizike, si thyerje të kockave.
Burime nga Ministria e Brendshme thanë se po shqyrtojnë nëse do të kërkojnë leje për apelimin e vendimit./The Guardian

