Sali Berisha, i ftuar në “Opinion”, ka komentuar vizitën në SHBA.
Berisha ka pranuar se ka paguar para dhe ka lobuar për të marrë një vizë si dhe për heqjen e “Non Grata”-s, por që këtë të fundit nuk ka arritur dot ta heq.
“Ka lobuar “Continental”. Ata i kanë të ndara gjërat: nëse ti merresh me lobim, duhet të regjistrohesh në gjykatë. Ligji është shumë i rreptë atje. LaCivita nuk ka pasur lidhje.
Mund të them, meqë më pyet, ka qenë çmimi më i ulët që është paguar nga një person. “Continental” është legale dhe besoj se ka lobuar në Departamentin e Shtetit. Vendimi është marrë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe ka qenë vendim i sekretarit”, tha Berisha.
Po ashtu, kryedemokrati tha se i ka dërguar një letër presidentit Trump kur ky i fundit ishte në opozitë, për të cilën tha se e ka lexuar.
“Unë i kam dërguar një letër informimi Trumpit, kur ishte ai në opozitë. Siç i kam dërguar të gjithë liderëve që njihja dhe kishin peshë, dhe jam i sigurt që letra i ka shkuar.
Unë e informova me një letër dhe jam i sigurt që ai e ka lexuar atë letër. Këtë ma ka thënë një person i njohur”, tha Berisha.

