Saranda, “miniera e floririt” me 170 hotele

Saranda, “miniera e floririt” me 170 hotele

Në 3 muaj arkëtohen 120 milionë Euro vetëm për akomodim e turistëve. Norvegjezë, suedezë, finlandezë, danezë, islandezë, shijojnë bregdetin, si 1 mijë vjet më parë kur paraardhësit e tyre vikingët, e pushtuan tokën tonë. Nga makina serbe që futet kundërvatje në bulevard, te danezja topless, familja italiane që ikën pa paguar, e deri te shezlongët specialë për 8 mijë lekë të rinj. Udhëtim në bregdetin më të frekuentuar në Shqipëri.

Nga ROLAND QAFOKU

Të zgjedhësh Sarandën për të pushuar në muajin gusht na duhet të kapërcejmë disa tabu. Ajo mizëria e njerëzve në xhiron e mbrëmjes të lë një shije se të pushosh aty do të thotë edhe të lodhesh njëkohësisht. Por qyteti me të cilin u dashurua mbreti Zog dhe e pagëzoi me mbiemrin e vet Zogaj dhe Benito Musolini që e pagëzoi me emrin e të bijës, Porto Edda, është dashuria vetë për turistë nga e gjithë bota. Nuk duan t’ia dinë shumë pse nga ora 20.00 dhe deri në 00.00 bulevardi i qytetit me emrin “Naim Frashëri” është ding me njerëz. Të gjithë e mvajnë frymën aty dhe e gjithë pamja duket pothuajse një mirazh i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë i viteve ‘80-të.

Provojmë të futemi në rrjedhën e një rruge që ske shans që të mos prekesh me bërryla nga ai me të cilin këmbehesh majtas dhe me atë që të parakalon djathtas. “Sorry” (më fal), është fjala që dëgjohet më shpesh aty. Shumica të rinj, në grupe 3-4-5 persona ecin me një hap të shpenguar. Disa me lëkurë të bardhë, për të cilët vendi nga vijnë, dielli është një gjë e rrallë, janë bërë si gogozhare nga e skuqura e lëkurës që në fytyrë madje. Të tjerë që ecin duke lëpirë akulloren me shijen e preferuar. Të tjerë që mbajnë në dorë një kriko birrë dhe e rrëkëllejnë duke ecur, a thua se pa atë qelqe të mbushur jeta nuk ka kuptim. Të tjerë akoma zhgërryejnë dhëmbët në një kalli misri të pjekur në qymyrgur dhe të tjerë e të tjerë që flasin e flasin po me shpengim për bëmat që kaluan ditën.

Por, a është kjo panoramë një bezdi, apo turli internacionale? Fare. Cep e më cep Saranda është një mikrokozmos ku gjen njerëz nga e gjithë bota. Turistë këtu janë nga çdo shtet: SHBA, Spanjë, Portugali, Norvergji, Suedi, Danimarkë, Itali, Greqi, Bullgari, Rumani, Moldavi, Letoni, Lituani, Rusi, Ukrainë, Gjermani, Zvicër, Austri… U lodhëm duke numëruar shtetet dhe me këtë mënyrë nuk vijohet më. Pyetja më e zakonshme në Sarandë tani është nëse ka ndonjë shtet, banorët e të cilit nuk kanë ardhur si turist këtu? Këtë kuriozitet na e heq një miku ynë që pasi pyet i thonë se turistët më të largët kanë ardhur nga Australia dhe Zelanda e Re dhe nga vendi më i rrallë janë nga Somalia e Afrikës. Na mbetet të themi se ia arritëm edhe kësaj dite.

Të gjithë turistët në Sarandë janë të barabartë, por mes tyre disa janë më të barabartë se të tjerët. Një anije me emrin “Vikingen” ankorohet në breg pranë qendrës së qytetit. Që nga larg dëgjohen zëra rinorë që çakërrqejf mezi presin të lidhen litarët dhe të shtrohet ura portative për të zbritur në tokë. 1,2,3, rreth 300 të rinj. Të gjithë norvegjezë, suedezë, finlandezë dhe danezë po “pushtojnë” para syve tanë Sarandën. Kanë kohë që kanë lënë shtëpinë e tyre në gadishullin e Tigrit dhe frymën e kanë mbajtur në Sarandën shqiptare. Shpërndahen nëpër qytet pa asnjë kompleks dhe dynden nëpër hotele ku të mundin. Bulevardi kryesor tanimë është në dorën e tyre. Duket absurde dhe e rrallë kur dynden vikingët në Shqipëri, por në fakt nuk është kështu. Historia na mëson se në vitin 1081 trupat vikinge pushtuan Butrintin, më pas Vlorën, Durrësin dhe për rreth 5 vjet ishin pushtues në tokën e të parëve tanë. Imagjinojmë një moment kur anijet vikinge iu afruan Sarandës dhe vendasit dëgjuan me veshët e tyre thirrjet ROË të marinarëve që u jepnin rremave me krahë në sinkron. Këta veriorë të Evropës të quajtur normanë, e kanë shënuar emrin në listën e atyre 15-20 popujve pushtues të tokës sonë. Në vitin 2026 na pushtojnë përsëri. Por këtë herë, pas më shumë se një mijë vjetësh, si turistë.

Megjithatë, vikingët nuk janë të vetmit “pushtues” të Sarandës që ndjehen si në shtëpinë e tyre. Dallimi me të tjerë është se ata janë më të shumtë në numër dhe tashmë këtë qytet e quajnë të tyre në verë. Nuk janë të paktë ata që kanë blerë shtëpi dhe quhen edhe zyrtarisht banorë vendas. Kjo ka bërë që numri i popullsisë së Sarandës të jetë më i madhi në histori. Këtë dendësi njerëzish unë e kam parë vetëm në Shangai. Për çudi, edhe pse bëhet një bezdi e sikletshme, ditën tjeter, në të njëjtin bulevard shikon të njëjtët njerëz. Është pak të themi se me këtë çmenduri mësohesh si ata që jetojnë në zona tërmetesh. Një arsye më shumë për të qenë pjesëtar i kësaj rrokopuje turistike është një pamje panoramike e qytetit nga një ballkon të improvizuar. Aty radha për të bërë një foto është si në restorante. Deti përpara, anijet të ankoruara, qyteti përballë dhe dritat e kësaj mbrëmje duken si një shesh xhirimi i një filmi. Dhe si për ta mbyllur me variacion xhiron sarandeze, mendon Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore. Është duke dhënë koncert në një skenë të improvizuar në bulevard. Nuk është ndonjë uau por mizëria e njerëzve në bulevard kthehen edhe andej kur dëgjojnë tingujt e disa këngëve dhe valleve.

VIJA BREGDETARE

Pamja kur çohesh nga gjumi në mëngjes, kur del në ballkon dhe të shfaqet përpara deti i paanë ngjyrë blu, është terapi për sytë. Uji i tij është kristal në kuptimin më real të fjalës. Pasi kryejmë ritet e mëngjesit, rreth orës 10.00 provojmë të ecim përgjatë gjithë bregdetit nga njëri cep në tjetrin në Sarandë. E nisim nga zona që quhet Pllaka. Aty ku është porti i jahteve. Në fakt aty duket ose fillimi ose mbarimi i plazhit sarandiot. Një anije qendron aty gjithë kohën dhe herë pas here zëvendësohet me një jaht luksi. Jahti i radhës kur jemi ne aty është një gjigand bardh e zi. Ka ardhur nga skandinavia, na thonë. Afrohet ngadalë, ankorohet dhe qendron aty disa orë. Ndoshta furnizohet se çmimi i karburantit është për qejfin e vetë për ta. Më pas aty futet një peshkarexhë e cila përpunohet dhe kur ikën lë pas edhe mbeturina. Dikur këtë lloj krimi që e bënin anijet greke në ujërat tona për ne gazetarët ishte lajm i parë në gazetat e muajit gusht. Tani që e bëjnë shqiptarët nuk shkruhet asnjë fjalë. As lajm nga gazetarët e asnjë njoftim nga instancat shtetërore. Luspat e peshqëve lëshohen në ujë dhe plazhistët dhe turistët habiten se si për pak minuta ai uji kristal i pastër përzihet me këto mbeturina.

Udhëtimi ynë në këmbë përgjatë vijës bregdetare nuk është edhe aq lehtë. Shapkat na tërheqin zhavorr dhe guraleca që na futen në këmbë dhe na duhet që herë pas here t’i heqim në ujë. Por problemi nuk janë guralecët, por pengesat gjatë vijës bregdetare. Në të gjithë gjatësinë nuk ka ku të hedhësh kokrrën e mollës nga plazhe plot e për plot. Çdo parcel është pothuajse njësoj. Shezlongët ngjitur me njëri-tjetrin dhe në mes të tyre një çadër kashte. Më afër ke komshiun në shezlongun tjetër se sa njeriun e familjes tënde. Nuk bëhet fjalë për privatësi. Shpejt bëhesh koshient se çdo fjalë që do thuash ti njeriut tënd do dëgjohet po aq qartë nga fqinji yt. Dhe anasjelltas, çdo fjalë që nxjerr nga goja komshiu yt do dëgjohet po aq qartë edhe nga ty. Ndërkohë, plazhi plot me turistë të shtrirë në shezlong dhe deti plot me notarë. Të gjithë bëjnë të njëjtën gjë. Lahen të gjithë, thahen të gjithë, marrin rreze të gjithë. Bie lehtë në sy që shumica janë të huaj. Tatuazhet janë pjesa më masive te turistët. I kanë stampuar në krah, në këmbë, në kurriz. Por edhe në kokë, qafë e deri te mollaqet.

Shqiptarët janë të rrallë këtu. Edhe kamarierët dhe mirëmbajtësit e çadrave dhe shezlongëve janë të huaj. Disa janë me ngjyrë. Pyesim për çmimet e shezlongëve në të gjithë parcelat. Është e unifikuar për të gjithë që ata që janë bujtës të hotelit shezlongët i kanë falas. Të tjerët duhet të paguajnë çmime po të unifikuara. Në radhët e para vlera shkon 2000 dhe 2500 lekë të rinj. Ka edhe pak më të shtrenjtë, por rrallë. Na bie në sy një lloj shezlongu special. Vendi ku mund të shtrihesh është si një rrjetë e trashë që del nga hapësira e plazhit dhe që qendron mbi ujin e detit. “Aaa, më vjen keq. Ky shezlong kushton 8 mijë lekë të rinj” të thotë mirëmbajtësi i tyre. A do pranonim ne të merrnim një shezlong të tillë? Kurrën e kurrës! Por ja, djem dhe vajza, shumica te të 20-tat, bëhen pronarë për disa orë të atyre. Mësojmë se shumica e frekuentuesëve të tyre, për ironi, janë shqiptarë që kapardisen dhe nuk i kanë problem ato zerot e parave. Të huajtë pothuajse nuk i preferojnë. Kjo skenë më kujton shkrimin e një bashkëpunëtori të gazetës “Panorama” që e drejtoja dikur kur shkruajti: Këta të rinj që e harxhojnë paranë lumë, janë djemtë dhe vajzat e babit dhe mamit hajdut. Qesha me vete. Nuk ka mundësi që të shkosh me para djerse në një plazh dhe për tangërllëk të prenotosh një shezlong 8 mijë lekë të rinj.

Në atë pak hapësirë mes shezlongëve tek-tuk duken edhe shitësit ambulantë. Kryesisht janë gra. Janë për t’ua respektuar përpjekjen titanike që bëjnë në zhegun e këtij gushti për të shitur, por jo me ato që u servirin turistëve çadër më çadër. Në një tepsi alumini mbajnë në duar disa gota plastike dhe aty kanë futur nga një petull. Sipër saj është hedhur një lëng kremoz çokollate që ndriçon keq në rrezet e diellit. Merret me mend që mjafton një pluhur i lehtë dhe përzjerja shndërrohet në një masë që do tu kërcasë kërr-kërr në gojë. Megjithatë, ato këmbëngulin me biznesin e tyre dhe tek-tuk ka edhe ndonjë danez që ble. Një grua tjetër shet byrek me gjizë. Këta i blejnë ama. Turistët skandinavë duken se kanë një afeksion për këtë produkt shqiptar. Dhe këtu jam shumë dakord me mikun tim, bosin e hotel “Mondial” në Tiranë, Zak Topuzi, kur shpesh ironizon me togëfjalëshin “turizmi i byrekut”. Pasi konsumon byrekun dhe e shoqëron me dhallë, ky turisti viking që po shullohet në diell dhe kridhet në ujë nuk shkon në restorant. Ai e mbaroi ditën e vetë. Me pak fjalë ajo shitësja ambulante e byrekëve ia ka marrë klientelën hoteleve me 4 dhe 5 yje. A është ky një turizëm normal? Unë mendoj se për Shqipërinë po. Nuk mund të shkojmë ne në një turizëm elitar pa kaluar më parë turizëm masiv, pse jo edhe turizmin e byrekëve me gjizë. E për të kaluar në një etapë më art, duhen strategji reale të mençura dhe mbi të gjitha transparente. Zvërneci shkaktoi një revolucion pikërisht për këtë arsye dhe një gabim i tillë nuk duhet të përsëritet.

Ecim më tej. Në një kanal i improvizuar në ujë janë ankoruar disa motora uji dhe skafe. Çmimi është 4 mijë lekë të rinj. Për habi aty kishte dyndje. Ajo adrenalina që të jep udhëtimi me shpejtësi në det është magnet për të rinjtë. Hipin një e nga një dhe vetëm kur i shikon sikur fluturojnë në deti të hapur. E gjithë pamja e Gjirit të Sarandës shndërrohet në një pistë ku motorrat e ujit dhe skafet e qefit çajnë detin dhe lënë pas shkumën e bardhë të dallgëve si gjurmë. Dallgët e formuara nga spektaklet e tyre vijnë deri në breg të detit dhe situata bëhet deri në bezdi nga dallgët artificiale. Në përgjithësi e zbatojnë largësinë. Por ka edhe nga ata që për të përshendetur mamanë me dorë në breg, afrohen deri atje ku lahen turistët. “O ma, o ma, o ma” – thërriste në kupë të qiellit një fëmijë jo më shumë se 10 vjeç duke përshëndetur me njërën dorë mamanë, ndërsa me dorën tjetër mbahej te drejtuesi i motorrit të ujit që çante detin. Dhe mamaja e papërgjegjshme në breg e përshëndeste edhe ajo me dorë të birin, duke treguar publikisht krenarinë për trimërinë e djalit të vetë. Gati jemi në një lloj frike se mund të ndodhë diçka nga kjo skenë. Për fat nuk ndodhi, por jo se nuk mund të mos ndodhë një ditë.

TURISTJA TOPLESS DHE FAMILJA ITALIANE QË IKU PA PAGUAR

Ecim më tej. Mes dy parcelave të hoteleve dallohet një rrip i ngushtë bosh. Një tokë që nuk është e askujt. As e hotelit majtas dhe as atij djathtas. Vetëm 10 metra dhe aty denduria e plazhistëve është maksimale. Pothuajse të gjithë të huaj. Pa çadra dhe shezlongë dhe pa shtroje. Vetëm një peshqir në tokë. Ata bëjnë plazh aty pa harxhuar asnjë lekë apo euro. Dallohen që nuk janë shqiptarë. Se ne e kemi hundën përpjetë. Ne që vetëquhemi populli më i varfër i Evropës, por edhe më krenarët njëkohësisht, nuk mund t’ia lejojmë vetes që të shtrihemi në këto kushte. Por ata të shkretët janë norvegjezë, danezë, suedezë, islandezë dhe nuk kanë as komplekse dhe as probleme, edhe pse janë popujt më të pasur të kontinentit. Ndërsa ne shqiptarët po.

Ecim më tej. Sytë e të gjithë plazhistëve përqendrohen tek një shezlong. Një grua jo më shumë se të 30-tat shfaqet topless. Shqiptarët janë gati t’i hidhen në grykë. Të huajtë as që duan t’ia dinë. Kamarierët as që i thonë një fjalë, të zotët e hotelit po ashtu. Në fakt pamja është skandaloze kur shikon se përreth ka edhe fëmijë. Turistja që mesa duket është skandinave nuk do t’ia dijë se çfarë mendojnë përreth saj. Ka mbyllur sytë dhe shijon diellin e Sarandës. Asgjë nuk ndodh. Ajo për qef të vetë dhe pushuesit e tjerë për qef të tyre.

Pak më tej shquajmë një monument të gorillës në breg që turistët presin radhën të dalin në fotografi. Nuk arrijmë të kuptojmë pse një monument i tillë dhe përse pikërisht aty. Por kureshtarët vijojnë të dalin në foto për kujtim nga Shqipëria. Ngrejmë sytë nga qyteti në kodër. Edhe kjo pamje është vetëm me ndërtime, ndërtime, ndërtime. Beton-beton dhe vetëm beton. Syri nuk të kap asgjë ndryshe. Vetëm paralelopipede prej betoni që janë ose hotele, ose pallate. Prej tyre dalin grupe-grupe ose bujtës të hotelit, ose pronarë të shtëpive ose ata që i kanë marrë me qira.

Përhumbjen që na jep betoni na e ndërpret një alarm i pronarëve të një hoteli aty pranë. Një familje nga Italia që qendroi 10 ditë është larguar pa paguar. Për të qeshur dhe për të qarë. Nëse kjo do ndodhte me shqitarë në Itali, do ishte lajm i parë për të gjithe mediat. Këtu as e merr vesh njeri dhe media nuk e publikon fare. Italianët kishin shijuar për qejf plazhin dhe detin shqiptar, por nuk ishin turistë, por mashtruesë profesionistë. Pyetjes sonë përse nuk ia kishit marrë pagesën që në ditën e parë, pronari i hotelit tha se u dukeshin njerëz me kulturë. Ec e merr vesh këtë shpjegim. Ne si gazetarë nuk po bëjmë atë që bënin kolegët tanë matanë detit kur një shqiptar bën një vjedhje apo krim duke etiketuar “shqiptarët”. Jo. Kjo familje italiane mashtruese nuk përfaqëson Italinë. Ata përfaqësojnë vetëm veten e tyre. Ata thjeshtë janë mashtrues që rastësisht janë italianë.

Në këtë moment deti është plot me njerëz që notojnë. Futemi edhe ne në ujë. Një ujë për merak. Kristal i pastër. Vetëm se në hyrje të detit duhet të kesh jo pak kujdes. Një nënë e lë fëmijën e saj pa mbathje dhe të habit ky rit. Por e kupton shpejt arsyen se higjiena e saj është në ekstrem e shpifur. Sapo i ka hequr bebelinën, pastrimin e mbetjeve të tij e bën në det. Nuk e di çfarë emri tu vësh këtyre njerëzve. Vetë dorëzohem dhe duhet ta pranojmë se për një pjesë të shoqërisë sonë higjiena vetjake është akoma në epokën e gurit. Në një nga zhytjet, një djalë gjeti një lines në fund të detit dhe e nxori në breg duke ua treguar të gjithëve. Nuk kishte skenë më të turpshme. Jooo! Vajza dhe gra, higjena juaj duhet të lidhet me ujin në tualet ku laheni vetëm ju dhe jo me ujin e detit ku lahen të gjithë. Nuk duam të kryqëzojmë një grua. Edhe burrat nuk janë më ndryshe. Por ama marrim me mend se çfarë higjiene shpirtërore mund të ketë kjo grua apo vajzë kur nuk ka higjienë në trup. Lëre pastaj se çfarë higjene u transmeton fëmijëve.

170 HOTELE PLOT ME TURISTË, NJË MINIERË FLORIRI NË SARANDË

Sapo takon njerëzit e parë dhe sapo mësojnë që po vjen nga Tirana të gjithë pyesin për fatin e revolucionit Flamingo. E mo gazetar si do shkoj protesta? A do rrëzohet Rama? A e ka kapur Saliu protestën? Përse ata nuk krijuan parti? Në fakt jemi ne që duhet të pyesim. Dhe pyetja kryesore është nëse turizmi në Sarandë e ka ndjerë apo jo revolucionin e flamingove. Të gjithë thonë njëzëri po. Na kanë marrë në telefon dhe pyesin ata që kishin rezervuar se ç’po ndodh në Shqipëri, më thotë një pronar hoteli. Por mua më duket në fakt një frikë joreale. Hotelet janë plot, dyqanet plot, rrugët plotë dhe flamingot mund të kenë ndikuar vetëm për mire, se për keq nuk bëhet fjalë fare. Por si është ky turizm këtë verë? I futemi llogarive. Në vitin 2000 Saranda kishte vetëm 4 hotele private dhe shtetërin e famshëm “Butrinti”. Një nga përfaqësuesit e shoqatës së turistëve na tregon se sot në Sarandë operojnë gjithsej 170 hotele. Shqyej sytë nga kjo shifër. Nxjerr celularin dhe shtyp ikonën calculator. Bëj disa llogari dhe del se vetëm në një ditë-natë këto 170 hotele me rreth 50 dhoma secili, dhe duke llogaritur që një dhumë mesatarisht mban 2 persona, akomodojnë rreth 17 mijë persona. Nëse llogarisim se çmimi mesatar i një ditë-nate është 160 Euro, arkëtohen 1.360.000 Euro. Nëse e llogarismin këtë shifër për 3 muajtë e verës, ose 90 ditë, gjithsej arkëtohen rreth 122.400.000 Euro. Të gjithë këto shifër është vetëm akomodimi në hotel. Këtu nuk përfshihen ushqimi, argëtimi, udhëtime me anije, skafe, motorrë uji, udhëtime me taksi, autobus dhe linja detare. Shifra shumatore e shfaqur ekranin e celularit na kujton frazën lapidare të Viancones, pronarit italian të hotel “Kontinental” në Tiranë në vitet 20-të që me një sinqeritet të admirueshëm e quante hotelin e tij “miniera ime e floririt”. (Kuaroni Pietro, Valixhja diplomatike, faqe 138). Kemi të drejtë që Sarandën, për muajt qershor, korrik dhe gusht, ta quajmë miniera e floririt. Sigurisht që në Sarandën e sotme nuk ka sinqeritetin e admirueshëm të italianit të viteve 20-të. Madje mund të mërziten me këtë frazë dhe me këtro shifra. E marrim me mend se do ketë edhe nga ata që do kërcejnë pupthi nga ky përcaktim. Por shifrat janë shifra dhe nuk janë të miat. Ato nuk janë opinione, por fakte. Merak më i madh është se këtë arritje mund ta marrim politikisht se kjo është realizuar në kohën tonë. O njerëz, kjo është në kohën e këtyre njerëzve që bëjnë biznes dhe që vënë në lëvizje një industri dhe kaq.

PAS 24 VJETËSH NË HOTELIN E FIGALISË

Figali Kallojeri është një zonjë shumë e njohur në Sarandë. Në vitin 2000 ishte ndër të parat që ndërtoi një hotel. Në fillim modest dhe dalëngadalë, tashmë ka një minikompleks, nga të rrallët në Sarandë, me emrin “Epirus”. Ka katër godina si hotel për akomodimin e turistëve, dy beach bar, dy restorante, një verandë me pamje spektakolare nga deti dhe një zonë të gjerë të plazhit me çadra e zhezlongë. Kisha mundësinë të isha aty për here të parë në vitin 2002. Pas 24 vitesh provova ta frekuentoj perseri me familjen. Jam befasuar shumë, për mirë sigurisht. Gjithçka i ngjan një resorti dhe shumica aty janë të huaj. Familja ime është nga të rrallët bujtës nga Shqipëria. Fjalët e mira që po shkruaj për të nuk vlejnë për reklamë. As zonja në fjalë nuk ka nevojë për reklamë dhe as unë nuk futem te ata që gjuajnë për qyl. E vërteta është se unë dhe familja ime te Figalia jemi ndjerë përherë si në shtëpi dhe besoj se këtë raport ruan i gjithë stafi me klientët.

“Kam patur klientë që më janë kthyer, por pas 24 vjetësh ti je kampion” më thotë.

“Epo kjo ka më shumë rëndësi”, i them.

“Më kujtohet se më ngacmoje për emrin “Epirus”. Vajza që studionte aso kohe në Athinë ta shpjegonte dhe t’i me një libër i tregoje ca harta” shton më tej.

Por e vërteta është se asnjëherë në këtë hotel nuk është bërë politikë, e aq më tepër nacionalizëm. Aty shikon vetëm punë dhe shërbim. Pastërtia është elementi i parë dallues i hotelit të Figalisë. Ngado gjithçka është xixë. Bashkëshorti i saj, Jani, është krahu i djathtë i shefes. Me gërshërë në dorë ai mban për merak gjithë ambjentin. Në punë janë rreth 60 persona që punojnë nga mëngjësi në mbrëmje. Mes tyre shquajmë edhe tre djem me ngjyrë dhe një vajzë nga Filipinet. Punëtorë dhe kokëulur, por me thënë të drejtën kamarierët dhe kuzhinierët shqiptarë janë shumë herë më të mirë se ata. Sardi është një student i inxhinierisë nga Kukësi që punon këtu në muajt e verës. I duhet që përveç anglishtes dhe italishtes te ketë si një gjuhë prioritare dhe ato skandinavet. Për fat, danezët, suedezët dhe norvegjezët flasin 100 për qind anglisht dhe ai ia del. Ia del dhe Edi që merret me çadrat dhe barin. Ka nga ata turistë që ngrihen herët dhe zënë vendet duke lënë si shenjë një peshqir dhe kjo rrjedhimisht do të thotë se çadra është e tyre. Ka një konflikt të vogël, por Edi di si ta zgjidh paqësisht. Sapo mbërrijnë një grup prej 10 turistësh nga Danimarka. Si fillim një shoqërues u shpjegon ku ndodhen dhe përmes një harte i bën edhe një histori të shkurtër të Shqipërisë. Mësojmë se pak ditë më vonë do mbërrijnë 30 gjermanë dhe do qendrojnë 10 ditë. Figalia është shndërruar në qendrën e një bote të përmbledhur në hotelin “Epirus” për të shijuar pushimet.

SERBË, RUSË DHE UKRAINAS

Serbët, rusët dhe së fundi edhe ukrainasit janë tre kombe që nuk janë miqësorë me ne shqiptarët. Serbët vijojnë ta quajnë Kosovën të tyren. Rusët vazhdojnë ta quajnë Serbinë viktimë në raport me shqiptarët kur në fakt është e kundërta. Dhe ukrainasit që na këputën shpirtin me luftën që po u bëjnë rusët na zhgënjyen me frazën e presidentit të tyre Volodymir Zelensky se nuk do ta njohin Kosovën. Por ama qytetarët e tij vdesin që pushimet ti bëjnë në Shqipëri. Më saktë akoma, në Sarandën tonë të bukur. Ukrainasit deri pak më parë i trajtonim me merak. Por me atë të skifon e Zelenskit e fëlliqën. “Nuk di ç’të them”,- më thotë një prej tyre. Ato që thotë Zelenski i di Zelenski. Ne vijmë për pushime këtu” sqaron ai që nuk ka asnjë lidhje me një vend që është në luftë. “Po mo po” mendojmë ne. Shqipërisë dhe shqiptarëve ia doni bregun e detit, ia doni edhe mbështetjen në luftë, por kjo që bëri ai gaztori juaj president ishte në rastin më të mirë mosmirënjohje dhe në rastin më të keq një thyerje në besë ndaj gjithë shqiptarëve. Dhe ja tek dallojmë një ukrainas ndryshe nga të tjërët. Është me një krah të prerë. Ka qenë në luftë dhe tashmë po pushon në Sarandë. Keqardhje e madhe, por tashmë ai po shijon jetën. Duket se me mungesën e një krahu ai e ka mbyllur sakrificën ndaj vendit të vetë dhe po shikon diellin dhe detin e një vendi tjetër si Shqipëria.

Serbishtja të vret veshin teksa e dëgjon në rrugë, në zhezlongun ngjitur dhe teksa jemi duke u larë në det. Provoj të flas me dikë prej tyre. Por nuk para kanë dëshirë. Nuk di anglisht më thotë një mesoburreë dhe një vajzë gjë që nuk kuptohet fare përse e bëjnë. Në pamje të parë rusët duken më miqësorë, por nuk të japin muhabet. Lëre kur u thua se jam gazetar, të marrin si të prekur me Covid 19. Mua më duket se rusët janë dominant në Sarandë veçanërisht kur mësojmë se kanë blerë shumë apartamente. A duhet të marrim këtë si një shenjë të keqe? Sigurisht. Sot nuk kemi statistika sa është numri i apartamenteve të blera prej tyre? Çfarë përfaqësojnë ata? A merren me aktivitete të tjera përveçse shullohen në diell? Ky do ishte një temë e mirë investigimi për gazetarinë, por media jonë është duke u marrë me çështje madhore dhe këto I duken të vogla.

Kulmin e guidës me “turistë armiq” po e mbyllim me një incident me disa serbë. Ndodhemi në xhiron e bulevardit në mbrëmje kur vëmë re një makinë me targa Serbe që hyn në mes të njerëzve pa e shqetësuar kush. Nëse këtë do ta bëntë aty ndonjë shqiptar do t’i hiqej patenta përjetë. Po në timon është një grua serbe dhe 3 pasagjerët e saj janë po gra. Në fakt duket qartë që ka ngatërruar rrugë, por ne shqyejmeë sytë se si dhe nga u fut në bulevard. Nga hyri dhe si u fut? Si nuk e pa asnjë polic? Si ka mundësi që nuk e ndaloi kush dhe si nuk i fliste as edhe ndonjë qytetar i zakonshëm? Ndoshta për shkak të habisë së njerëzve mori menjëherë kthesëm dhe iku. Por pas la një tym të çuditshëm, por më të çuditshme akoma la targën SRB në mes të bulevardin “Naim Frashëri” në Sarandë.

TE FILIPI, APOSTULLIN E GASTRONOMISË NË SARANDË

Na thonë se “Taverna Filipi” është me nam në Sarandë. Të lëpish gishtat me një fjalë. Pse mos ta provojmë? Nuk u zhgënjyem. Si fillim rezervuam një ditë përpara. Së dyti mësuam se lokali ndodhej pranë kryqëzimit të dy rrugëve Ismail Qemali dhe Vasil Llaçi. I pari ishte burri që themeloi shtetin dhe i dyti që kreu atentatin ndaj Vittore Emmanuele në Luftën e Dytë Botërore. Gjithë jetën e kemi mësuar se mbiemri i djaloshit nga Piqerasi ishte Laçi dhe tani këtu na del Llaçi. Së treti, te dera e lokalit ku u shfaqëm radha ishte si në kohën e Enverit për të blerë qumësht ose vajguri. Së katërti, Filipi ynë ishte shndërruar në Sarandë si një nga 12 apostujt e Jezusit, por për bujtësit një lloj apostulli për gastronominë. Ç’të të themi? Sardelet në pjatë ngjanin sikur i kishte vizatuar dikush me dorë. Janë peshqit më me shije që mund të provosh. Merluci dhe barbuni një shije më vete. Edhe këtu klientët shqiptarë janë të rrallë. Majtas anglezë. Djathas danezë. Përpara suedëzë. Të gjithë gati prezantoheshin që në hyrje. Një rit i çuditshëm. Dhe Filipi rrinte në këmbë për tu shërbyer të gjithëve.

Pas 7 ditësh largohemi nga Saranda. Ishin pushime të këndshme. Pse jo edhe një aventurë e këndshme.

Diciturat:

1. Saranda në mbrëmje. Dallohen qartë numri i madh i godinave hotele dhe i pallateve në të njëjtin stil.

2. Bulevardi “Naim Frashëri” në Sarandë në kulmin e zhiros së mbrëmjes.

3. Bulevardi “Naim Frashëri” në Sarandë në kulmin e zhiros së mbrëmjes.

4. Autovetura tip benz me targa SRB VR 148-OT dhe e drejtuar nga një grua duke kryer një kundërvatje duke u futur në bulevardin “Naim Frashëri”.

5. Plazhi te zona e Pllakave ku ndodhet hotel “Epirus” dhe shumë të tjerë.

6. Plazhi i tejmbushur me turistë në zonën e Pllakave.

7. Shpikja më e re e shezlongëve. Qendrojnë në ajër duke patur poshtë detin. Kushtojnë 8 mijë lekë të rinj. “Po deshe” të thonë.

8. Porti i Sarandës në një moment kur sapo ka mbërritur një traget I huaj.

9. Një jaht duke u ankoruar në portin e Jahteve në Sarandë.

10. Anija “Vikingen” me turistë nga vendet skandinave.

11. Rruga Ismail Qemali dhe rruga Vasil Llaçi në Sarandë.

12. Varka dhe anije të vogla në qendër të Sarandës dhe pamja natën e qytetit.