Në sallën e parlamentit të Shqipërisë në fillim të vitit 1993, ndërsa numëroheshin viktimat e diktaturës komuniste, deputeti Azem Hajdari ngrinte një problematikë që do të ndiqte për vite procesin e trajtimit të ish-të përndjekurve: si mund të ndërtohej drejtësia për viktimat, nëse edhe dokumentet që duhej ta provonin atë vuajtje mund të falsifikoheshin apo të përvetësoheshin?
Në një seancë parlamentare në vitin 1993, ministri i Punës, Dashamir Shehi, jepte shifrat me të cilat institucionet po punonin në hartimin e statusit të ish-të përndjekurve politikë.
Azem Hajdari solli në vëmendje raste ku, sipas tij, ish-komunistë apo ish-drejtues të pushtetit të mëparshëm kishin arritur të ndryshonin emrat dhe mbiemrat në gjendjen civile dhe më pas të siguronin dokumente si ish-të burgosur apo të përndjekur politikë. Akuzat e Hajdarit nuk lidheshin vetëm me një përfitim financiar. Nëse dikush që kishte qenë pjesë e sistemit represiv arrinte të merrte statusin e viktimës, atëherë përmbysja e së vërtetës historike bëhej edhe më e rëndë: viktima dhe përgjegjësi rrezikonin të vendoseshin në të njëjtën anë të historisë. Hajdari përmendi edhe raste kur persona të pajisur me dokumente të tilla kishin përfituar bursa jashtë shtetit, duke e shtrirë debatin nga kompensimi ekonomik tek besueshmëria e vetë procesit të demokratizimit.
Sipas ministrit Shehi, rreth 25 mijë persona kishin bërë burg politik, ndërsa rreth 30 mijë të tjerë kishin kaluar në kampet e përqendrimit gjatë periudhës 45-vjeçare. Por numri i atyre që mund të përfshiheshin në kategoritë e ndryshme të statusit parashikohej të arrinte në 80–90 mijë, e në maksimum rreth 100 mijë persona.
Shifrat nuk ishin thjesht çështje statistikore. Pas tyre qëndronin burgje, internime, familje të ndara, jetë të shkatërruara dhe breza të privuar nga të drejtat. Në atë kohë, shteti i ri në kushtet e pluralizmit po përpiqej të ndërtonte një mekanizëm ligjor për t’i njohur këto vuajtje dhe për të përcaktuar format e kompensimit. Dashamir Shehi shpjegonte në Kuvend se statusi do të parashikonte kategori të ndryshme përfituesish, në varësi të shkallës së vuajtjes. Kompensimi nuk do të ishte i njëjtë për familjen e dikujt që kishte kaluar 25 vite në burg dhe për atë të një personi që kishte vuajtur vetëm një ose dy vite. Përfitimet do të përfshinin pensione, kompensime për vitet e burgimit dhe lehtësi për fëmijët e familjeve të përndjekura.
Në fillim të pluralizmit, shifrat e burgimeve dhe internimeve ishin ende duke u mbledhur, dokumentet po verifikoheshin dhe shteti po përpiqej të përcaktonte kategoritë e viktimave. Por bashkë me këtë proces lindi edhe nevoja për një tjetër lloj verifikimi: kush ishte realisht viktimë dhe kush po përpiqej të përfitonte nga statusi i saj? Shehi la të hapur ndryshimin e shifrave, pasi nuk ishin konsultuar të gjitha dokumentet për të arritur në një përfundim final për shifrën zyrtare.
Në të vërtetë, kanë kaluar 36 vjet dhe ende nuk e kemi një listë apo shifër zyrtare për viktimat e diktaturës komuniste. Nuk është çështje pamundësie, por është çështje e mungesës së seriozitetit dhe angazhimit për t’i shkuar deri në fund përballjes me të shkuarën diktatoriale.
TemA sjell pjesë nga fjala e Shehit dhe Hajdarit në atë seancë parlamentare, ku po diskutohej projektligji për viktimat e diktaturës komuniste.
Dashamir Shehi
Se sa veta mund të quhen të përndjekur politikë, numri ekzakt do të dalë kur të hartohet statusi për këtë punë, i cili po përpunohet. Projektligji për statusin e ish-të përndjekurve politikë do të dalë brenda janarit dhe pikërisht atëherë do të saktësohet. Unë mund t’ju them shifrat e përafërta, me të cilat operojmë sot. Në Shqipëri, sipas dokumenteve që ndodhen pranë Ministrisë së Rendit dhe atyre prej të cilave kemi pasur mundësi të marrim informacion, të dënuar politikë, që kanë bërë realisht burg, janë rreth 25 mijë persona. Rreth 30 mijë persona kanë qenë gjatë kësaj periudhe 45-vjeçare nëpër kampet e përqendrimit që ka pasur Shqipëria. Ideja është që statusin e ish-të përndjekurit politik, pas verifikimit të dokumenteve, ta përfitojnë rreth 80-90 mijë, maksimumi 100 mijë persona. Por duhet të kemi parasysh që edhe statusi politik do të jetë i ndarë në kategori të caktuara. Kur flasim për 100 mijë persona, nuk duhet të presupozojmë në asnjë moment që të gjithë këta 100 mijë persona do të vijnë t’i kërkojnë paratë në arkën e shtetit, sepse paratë do t’i kërkojë ai që i përfiton në bazë të këtyre ligjeve, duke marrë pension, kompensime për vitet e burgut, ndërsa i biri ka të drejtën morale të kërkojë vazhdimin e shkollës pa konkurs, që ne ia kemi dhënë, kurse e bija ka të drejtë të kërkojë shtëpinë apo apartamentin, të cilin po e merr gratis. Pra, format e kompensimeve për gjithë këtë grup njerëzish do të jenë të ndryshme. Po ashtu edhe përfitimet do të jenë sipas shkallës së vuajtjes së tyre. Domethënë nuk mund të kërkojnë të njëjtën gjë i biri i një personi që ka bërë 25 vjet burg, me të birin e atij që ka bërë një ose dy vjet burg. Statusi do të rregullojë shumë nga këto çështje, por, të jemi të sinqertë, asnjëherë të gjitha gjërat çantim më çantim, sepse është e pamundur.
Azem Hajdari
Ka ndodhur që ish-komunistë dhe ish-drejtues të pushtetit të asaj kohe të shkojnë në zyrat e gjendjes civile për të ndërruar emrat e mbiemrat dhe më vonë të shkojnë të marrin vërtetimin e të burgosurit e të persekutuarit politik dhe të marrin edhe bursa sot jashtë shtetit, nën hijen e një çadre demokratike, gjë që duhet të hetohet dhe të parandalohet nga ata kuadro që do t’i përkasin e do t’i shërbejnë me ndershmëri ligjit dhe drejtësisë shqiptare.
TemA

