Si po e triblon dyshja Rama-Berisha protestën dhe opinionin publik

Si po e triblon dyshja Rama-Berisha protestën dhe opinionin publik

Nga Reldar Dedaj

Të dy grupet parlamentare të forcave më të mëdha në vend prej kohësh janë prezantuar pa ide, pa guxim dhe me pjesën më të madhe të figurave politike të stërkonsumuara që në të shumtën e rasteve shkaktojnë irritim tek qytetarët, të mbushura plot e përplot me individë që s’pranojnë kundërshtarë politikë dhe mbi të gjitha që kanë edhe të drejtën të mendojnë ndryshe nga ata, pra, e thënë shkurt, dy struktura të atrofizuara që ilustrojnë në mënyrën më perfekte mentalitetin e dy drejtuesve të tyre.

Ndryshimi i sistemit që kanë ngritur këta dy burra bashkërisht në vitin 2008, nuk mund të jetë diçka urgjente vetëm për simpatizantët e këtyre dy forcave politike, as për disa rioshë që sapo kanë dalë nga veza e kuqe e politikës dhe mbi të gjitha, as për ata dhe, veçanërisht për ata që kanë lidhur interesat ekonomike me ekzistencën e këtij sistemi, por shumë më tepër se kaq, ndryshimi i këtij sistemi që ka shkatërruar Shqipërinë vlen jo vetëm për shqiptarët, për të tashmen e tyre, por edhe për të ardhmen. Dhe kjo është pjesa më e rëndësishme e gjithë kësaj historie.

Nëse në ditët e saj të para protesta qytetare pati një artikulim të qartë, me kalimin e ditëve ajo e humbi atë dhe me atë humbje, sosi plotësisht edhe pritshmëritë e shqiptarëve se nesër diçka mund të kishte ndodhur vërtet. Fatkeqësisht, protestën e ka mbërthyer vulgu dhe parazitizmi politik, pa anashkaluar këtu edhe ndonjë individ që realisht pretendon se është zëri i kohës së tij.

Pjesa tjetër janë bordero ambasadash dhe vetëm kaq. Kjo është karikatura që ka mbetur nga shpresa e fillimit që u ngjiz krejt papritur në bulevardin e vetëm të Tiranës. Ky sistem i ngritur prej kohësh nga këta dy burra, nuk mund të ishte menduar se do dëmtohej kaq shumë sa është dëmtuar nga servilizmi dhe dembelësia politike, nga korrupsioni po ashtu, por edhe nga vija e kuqe që i kanë vendosur qytetarët shqiptarë, që sigurisht janë më shumë se ata që i servilosen kësaj dysheje politike.

Nisur nga kjo qasje, duket krejt e pandershme të vendosësh në qendër të debatit publik emra që kanë luajtur rol kyç në kabinetin qeveritar të Edi Ramës, pa artikuluar fort dhe qartë problemin më të madh të shoqërisë shqiptare, që është thelbi i problemit dhe zemra e këtij sistemi; marrëveshja politike Rama-Berisha, e vitit 2008.

Ky sistem politik i krijuar prej tyre nuk lejon zgjedhje të lira dhe të barabarta, as rotacion forcash politike në pushtet apo në opozitë. Ky sistem i ngritur nga këta dy burra u jep mundësinë si njërit gjithashtu edhe tjetrit të monopolizojnë opozitën, po ashtu edhe pushtetin. Duke i shndërruar këta në pronarë të çdo resursi ekonomik, politik dhe kulturor në vend. Pa u demokratizuar ky pushtet politik që të lejojë përfundimisht vullnetin e lirë të qytetarëve për t’u shprehur lirshëm, zgjedhjet janë manipuluar dhe aspak kundër ligjit, por në përputhje me ligjin.

Me pak fjalë, është e palogjikshme madje krejt e pandershme që nga njëra anë arkitektët e këtij sistemi, siç janë Rama dhe Berisha të shërbejnë si gogoli për të larguar shqiptarët nga vendi, e, nga ana tjetër, të akuzohen një grup deputetësh apo ish-ministrash si thelbi i së keqes që me prerjen e kokave të tyre, mund të shpëtojë vendi dhe shteti. Korit politik të protestave u është bashkuar edhe media, si skile e vjetër që është, për t’u hedhur hi syve shqiptarëve e përforcon akoma edhe më shumë këtë ide, me synimin për t’i shërbyer thelbit të sistemit, pra, dy arkitektëve të tij: Rama dhe Berisha.

A mund ta imagjinojë dikush se mund të funksionojë në këtë mënyrë siç funksionon media në Shqipëri, nëse nuk do aplikohej në vend një sistem i tillë politik? Rasti i ish-ministres Balluku është shembulli më flagrant i kësaj shkarjeje, i këtij triblimi që dy arkitektët i bëjnë qytetarëve, protestës dhe ndërkombëtarëve. Siç është thënë e stërthënë prej kohësh, një grup deputetësh të opozitës dhe mazhorancës kanë pasur akses të plotë në dosjen e përpiluar nga Prokuroria Speciale në lidhje me hetimet rreth saj, që nga fillimi i karrierës politike e deri më sot.

Ajo dosje është lexuar nga deputetët e mazhorancës dhe nga ata të opozitës, nga dashnorët më të zellshëm dhe kundërshtarët më të paepur të SPAK. Të gjithë e kanë lexuar dhe të gjithë e kanë kuptuar. Por asnjë prej tyre, as dashnorët dhe as kundërshtarët, nuk guxojnë për të publikuar asnjë detaj. Pse?

Në një sistem autokratik, siç është ky shqiptar, të gjithë, pa përjashtim të gjithë, punojnë për Njëshin e qeverisë. Ai është ”Thembra e Akilit” dhe për rrjedhojë përgjegjësi i vetëm i çdo shkarjeje në sistem, sepse ministri, cilido qoftë ai, pavarësisht madhështisë së tij, prapëseprapë është shumë i vogël për të orientuar politika ekonomike kaq të rëndësishme sa ç’flet dosja Balluku. Pas çdo vendimi, çdo indicie e çdo urdhri është një njeri i vetëm dhe mendja ta thotë se është Edi Rama.

Nuk ka kush të jetë tjetër. Këtë gjë e dinë mjaft mirë edhe dashnorët më të zjarrtë të SPAK-ut, edhe grupi parlamentar i opozitës, sigurisht edhe ata të mazhorancës, edhe media po ashtu, ndërkombëtarët pak me vonesë, por e kanë kuptuar. Të gjithë e dinë, të gjithë e kanë marrë vesh dhe të gjithë bashkë po mundohen t’ua hedhin shqiptarëve.

Nuk është aspak rastësi, s’ka se si të jetë rastësi, vendosja e ish-ministres Balluku në bash të skenës, cullak, e gatshme për t’u flijuar si simbol i luftës ndaj korrupsionit. Ingranazhet e sistemit tridhjetëvjeçar e kanë mësuar trukun se si mund të sakatohet viktima, se si mund të qëllohet pa mëshirë në drejtim të saj, se si mund të shitet si e keqja më e madhe e vendit, se si mund të joshen turmat, të qetësohen, të ekzaltohen, të manipulohen, të egërsohen e kështu me radhë. I gjithë ky skenar ka vetëm një qëllim, në fakt s’mund të ketë asnjë qëllim tjetër, përveç atij të shpëtimit të Edi Ramës, të sistemit që ka ngritur dhe gjithë ingranazheve që e mbajnë gjallë e veprues tash e tridhjetë vjet në kurriz të shqiptarëve.

Thelbi i kësaj historie është se drejtësia, jo vetëm nuk mund të jetë e lirë pa goditur thelbin e sistemit, por ajo s’mund të ketë as jetë brenda sistemit ku vepron. Asnjë drejtësi me dinjitet në botë nuk shënjon viktimat që prodhon sistemi, pa goditur në zemër, vetë sistemin që i ka prodhuar ato. Një nga teorizimet mbi kinse rolin pozitiv që ka luajtur prania e SPAK-ut në vend, për të kufizuar korrupsionin në nivelet e larta qeverisëse në Shqipëri, jo vetëm që s’ka asnjë të vërtetë, por përbën një përçudnim moral e një alibi të neveritshme të elitës shqiptare.

E cila, duke e qenë e tillë, është shtresa më e kompromentuar dhe më luajale me dyshen Rama-Berisha, me zemrën e këtij sistemi, ku dhe privilegjet e kësaj klase burojnë pikërisht nga forcimi dhe konservimi i këtij pushteti. Shembja e tij, nuk mund të lexohet ndryshe, përveçse humbje e privilegjeve të tyre, në mos humbje, të paktën prishje terezie, lëkundje themelesh apo plasaritje interesash.

Kjo elitë ka nevojë për një figurë të lartë politike që shitet si e keqja më e madhe e vendit, madje sa më e frikshme të paraqitet ajo në sytë e opinionit publik, aq më e poshtër, aq më brutale do të jetë edhe e vërteta, por kjo klasë elitare ka shumë nevojë për një brutalitet të tillë, pavarësisht si qëndron e vërteta, mjafton të justifikojë sjelljen e saj, edhe pse, siç thotë populli: ”mund të digjet i njomi me të thatin”. Kush po pyet? Askush! Por, për një gërshetim rrethanash, nga ato që shpesh cilësohen si ndërhyrje e fatit, rezistenca ndaj pushtetit të Edi Ramës ose mosdorëzimi tek ai apo besimi tek e vërteta e saj, pak rëndësi ka kjo, në mënyrë krejt të pavullnetshme, hëpërhë, i ka vendosur kornizën pushtetit të tij.

Për të dhënë një shembull të thjeshtë, por po aq kokëfortë. Në Shqipëri sot kanë rënë të gjitha siguresat që mund ta mbanin në kontroll pushtetin e Edi Ramës.
Në tridhjetë vite arritëm të krijojmë disa institucione publike dhe private, OJQ, media, universitete dhe biznese të mesme dhe të mëdha, krijuam edhe shumë parti politike, por i bëmë të tilla, që të të marrë vaji. Brenda këtyre institucioneve instaluam grupe interesi, klane, banda, herë me emra të partive politike, e herë pa to.

Të gjithë kishin emërues të përbashkët zhvatjen, nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kemi edhe një numër mediash, por të gjitha përfunduan në lakej të zgjebosur, që u vardisen partive politike dhe përpiqen ditë e natë të promovojnë pronarët e tyre, interesat e tyre politike dhe ekonomike. Analistët e këtyre mediave dinë gjithçka dhe nuk dinë asgjë. Vrasin pamëshirshëm lirinë e mendimit, dijen dhe kulturën. Dhe qytetarinë. Promovojnë mediokritet, pa pushim. Edhe erozion moral. A i thamë të gjitha? Jo.

Rezistenca e Belinda Ballukut, nuk duhet parë si revolta e një njeriu që kërkon të shpëtojë kokën e vet, edhe pse e tillë është dhe s’mund të kishte kuptim të ishte ndryshe, por ky është një shikim i ngushtë i kësaj historie, sepse me fatin personal të saj, lidhet edhe ekuilibri politik në vend. A mund ta imagjinojë dikush se nëse në vitet ’60-të në Republikën Domenikane, përballë Rafael Truhijos do qëndronte një grua që refuzon poshtërimin, a do ishte më ai autokrati që dhunonte dhe poshtëronte jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe bashkëpunëtorët e tij? Është e kuptueshme se Belinda Balluku nuk ka asnjë synim për të dëmtuar Edi Ramën, por rezistenca e saj, në mos prania e saj, e dobëson pushtetin e tij, i vendos kufij dhe fre ambicies politike, edhe duke mos e pasur aspak si qëllim të vetëm.

Ajo duke qenë e tillë, ruan ekuilibrin e forcave brenda republikës, prania e saj, përkon me interesat e të gjithëve dhe në radhë të parë të SPAK-ut. Duke qenë ajo, kjo strukturë hetimore ka mundësi të ngrejë stekën e sulmit, duke justifikuar vetveten edhe pse nukla e korrupsionit është sistemi dhe jo individi që i është përkulur sistemit.

I shërben opozitës se duke goditur ish-numrin dy të mazhorancës krijohet iluzioni i luftës mes dy kampeve edhe pse të dy forcat politike janë prodhuese të të njëjtit sistem. I shërben medias, analistëve dhe elitës kombëtare, se duke goditur dhe shënjestruar Belinda Ballukun, justifikojnë rolin e tyre në shoqëri, si llogaritarë pakompromis ndaj të keqes. Së fundi, i shërben edhe shoqërisë, e cila ka nevojë për spektaklin televiziv, ku serviret poshtërimi i tjetrit, ku shkatërrohet miti i të madhit, ku nëpërkëmbet i fuqishmi.

Pra, pjesa më e rëndësishme e gjithë këtij trilli qëndron në pikën e tërheqjes së vëmendjes drejt fakteve që u interesojnë të gjithëve, por faktet e përgjithshme janë fakte të jetës së përditshme, që s’paraqesin rreziqe, që nuk krijojnë ndarje, që marrin konsensus, por në një mënyrë që s’prekin asgjë të rëndësishme.