Armand Braho
8 Nëntor, 08:21 | Përditesimi: 8 Nëntor, 08:41
Share
Rrit madhesinë e shkrimit Zvogëlo madhesinë e shkrimit
Njeriu modern shpesh beson se e njeh Europën, historinë e saj dhe rrugëtimin e qytetërimit. Por herë pas herë, natyra dhe nëntoka vendosin të flasin, duke përmbysur çdo gjë që kemi mësuar në librat e shkollës. Nën ujin e qetë, të ftohtë dhe të kthjellët të Liqenit të Ohrit, fshihet një nga sekretet më të mëdha të prehistorisë botërore. Këtu, pranë fshatit piktoresk të Linit në Pogradec, historia nuk po gërmohet thjesht; ajo po rishkruhet dita-ditës, sekondë pas sekonde.
Ajo që nisi vite më parë si një kërkim modest, sot mban zyrtarisht titullin e vendbanimit palafit më të vjetër në të gjithë Europën. Arkeologët shqiptarë dhe zviceranë kanë vijuar kërkimet në sitin arkeologjik “Lin 3”, duke arritur një rezultat monumental. Për herë të parë është dokumentuar sipërfaqja e plotë e vendbanimit. Shifrat janë mbresëlënëse: kjo hapësirë prehistorike shtrihet në mbi 6 hektarë.
“Jemi të kënaqur për sa i përket të gjithë objektivave që i kishim caktuar vetes, por mbi të gjitha sepse siti Lin 3 ka një morfologji të tillë në të cilën e konservon shumë mirë shtresën kulturore. Gjë që jep avantazhe sa i përket analizave që do të kryhen në laboratore jashtë vendit. Po të bashkonim pjesën e tokës me pjesën e ujit e dinim që ishte më shumë se 3-4 hektarë por këtë vit e konfirmuam që është një sit goxha i madh 6 hektarë që e rendit Lin 3 një nga sitet arkeologjike më të mëdhaja në Ballkan” tregon drejtuesi i projektit Adrian Anastasi.
“Rezulton të jetë një nga pjesët më të vjetra të Evropës. Dhe ka potencial shumë të madh edhe për shkak të materialeve të ruajtura këtu edhe për faktin se përfaqëson 2 mijë vjet histori pushtimi që nis 5800 vjet para Krishtit duke shkuar deri në 4500 vjet para Krishtit” thotë arkeologu gjerman Martin Hinz, pjesë e grupit të kërkimeve arkeologjike në Lin.
Ky konfirmim e rendit Linin si vendbanimin më të madh të këtij lloji të zbuluar deri më tani në të gjithë Ballkanin. Një qytetërim i mirëfilltë, i ngritur mbi pilota druri, me një histori që i kalon të 8 mijë vitet.
Për të kuptuar se si jetonin këta njerëz, stafi i projektit po bën një punë kolosale që do të përmblidhet në një botim integral të kërkimeve nga viti 2020 deri në vitin 2025. Rikthimi në sit ishte i domosdoshëm për të rivlerësuar treguesit gjeofizikë. Çdo matje e realizuar në të gjithë territorin tregon se ky komunitet kishte një njohuri të jashtëzakonshme inxhinierike. Ata nuk ndërtonin kuturu. Shtëpitë e tyre, që sipas të dhënave të fundit kishin një planimetri drejtkëndore, rrethoheshin nga një sistem mbrojtës jashtëzakonisht kompleks.
“Ekspedita e këtij viti është në ndihmë të punës që po bën stafi i projektit për të dalë me një botim të të gjithë këtyre viteve të kërkimeve në Lin 3, që nga viti 2020 deri në vitin 2025. Sigurisht që lindi nevoja për të bërë një rikthim për rivlerësimin e disa treguesëve që neve mendonim se mund të ndryshonin. Dhe vërtet ashtu ndodhi. Me shtrirjen e vendbanimit tani kemi një shtrirje akoma më të madhe të vendbanimit… Është vendbanimi më i vjetër në kuptimin kohor, por për Shqipërinë ajo shënon edhe një fazë të re, në kronologjinë e neolitit në tërësi. Më përpara neoliti i mesëm që i përket ky vendbanim ishte gjykuar që përfaqësohej nga zona e Dunavecit në zonën e Korçës. Dhe ai mendohej që ishte më i hershmi në këtë kronologji. Këtu del që ka një fazë më përpara Dunavecit që e dokumenton Lin 3, Domethënë i shton një fazë neolitit të mesëm dhe e ka shumë herët, 5 800-5 900 para erës sonë. Që do të thotë që është paralel me disa vendbanime që ne i kemi në neolitin e hershëm në këtë periudhë. Pra ndryshon pak kronologjia e neolitit në Shqipëri me studimet që po bëjmë me Lin 3” thotë arkeologu Ilir Gjepali.
Gjatë gërmimeve janë identifikuar katër palestrada mbrojtëse, të cilat dëshmojnë evolucionin dhe përsosjen e këtij fortifikimi përgjatë shekujve. Këto struktura janë ruajtur në mënyrë të përsosur nga morfoloja e liqenit, duke u konsideruar nga ekspertët e huaj si më të mirat në Ballkan. Por surprizat inxhinierike nuk ndalen këtu.
“Në fazën e parë 5 vjeçare… rezultatet ishin mjaft të kënaqshme… identifikuam një mjet lundrimi pirog që në atë kohë përdorej për komunikim. Flasim për një mjet lundrues 5 300 vjet para Krishtit, më i vjetri i këtij lloji që kemi identifikuar ne në territorin shqiptar… Tipologjia ishte e tillë që në qendër ndërtoheshin shtëpitë e mëdha dhe këto rrethoheshin nga sisteme mbrojtëse që ishin palestrada… të cilat në kohë të ndryshme tregojnë edhe përsosjen e tyre… mendojmë se janë shtëpi që kanë planimetri drejtkëndore” shprehet arkeologu Anastasi.
Por njerëzit e Linit nuk mendonin vetëm për mbrojtjen nga kafshët e egra apo egërsimi i Liqenit të Ohrit. Ata kishin një botë shpirtërore të pasur dhe një ndjesi të jashtëzakonshme për artin dhe estetikën. Puna e arkeologëve pas ekspeditave është voluminoze; mbi 1500 fragmente qeramike janë vizatuar dhe kataloguar me kujdes. Përmes tyre kuptohet se ata përdornin kategori të ndryshme enësh: enë elegante tryeze për të ngrënë e pirë, enë gatimi që i rezistonin zjarrit dhe amfora të mëdha për depozitimin e produkteve blegtorale dhe bujqësore. Ajo që i mahnit ekspertët është teknika e përpunimit – qeramika e zezë me llustër dhe shkëlqim metalik, e lyer me grafit. Një nivel kaq i lartë artizanal shfaqet në pjesën tjetër të Europës në periudha shumë më të vona.
“Në qeramikë sjell gjëra të reja, p.sh është e preferuar tani ajo qeramika e zezë me llustër dhe me shkëlqim… Me një përpunim jashtëzakonisht fin, por edhe nga jashtë zbukuruar me teknika të ndryshme ku vend të rëndësishëm zë ajo me grafit… P.sh me vizatimin e qeramikës kemi mbi 1 500 fragmente të vizatuara… Kuptohet që ata kishin disa kategori enësh… Ishte një investim i jashtëzakonshëm i tyre, dhe kjo bëhej nëpërmjet veglave shumë të thjeshta: sopatave, thikave prej stralli, një prej këtyre p.sh është gjetur dy vjet përpara që ishte me një madhësi gati 20 e ca cm” shpjegon Ilir Gjepali, arkeolog.
Shkenca moderne sot nuk mund të bëhet vetëm në terren. Për t’i marrë këtij sitit të gjithë potencialin e tij, kërkohen laboratorë të standardeve më të larta europiane. Këtu nis një bashkëpunim ndërkombëtar magjepsës. Ndërsa Universiteti i Bernës merret me datimet saktësuese të Karbonit 14 dhe matjen e unazave të trungjeve (dendrokronologjia), kampionet e mikroflorës dhe mikrofaunës udhëtojnë drejt laboratorëve të specializuar të Oksfordit në Angli.
“Atë që ne e çmojmë shumë është eksperienca dhe puna që nuk duket gjatë sezonit që përfshin laboratoret shumë të rëndësishme… Nëse ne nuk do të kishim bashkëpunimin me laboratorët e Universitetit të Bernës do ta kishim shumë të vështirë të përcaktonim moshën e palafiteve…” sipas arkeologut Adrian Anastasi.
“Universiteti i Bernës është i specializuar për datimet karbonike dhe ato të matjes së trungjeve… ndërsa nga pala shqiptare janë shumë specialistë… Pastaj specialistë për mikroflorën, mikrofaunën që shkojnë në Oksford të Anglisë për t’u studiuar sepse atje janë laboratorët e specializuar…” thotë arkeologu Ilir Gjepali.
Ndërkohë, në laboratorët e Kopenhagenit shkencëtarët janë në kërkim të farës origjinale të grurit dhe thekrës 8 mijë vjeçare, përpara se ajo të pësonte mutacione shekullore, për të rindërtuar saktësisht dietën ushqimore dhe mjedisin e asaj kohe.
“Një nga studimet e tanishme me laboratorët e Kopenhagenit jemi në kërkim të farës së parë të grurit apo të thekrës e cila është përdorur 8 mijë vjet përpara. Pasi farat origjinale të asaj periudhe deri në ditët e sotme kanë pësuar vazhdimisht mutacione… kapja e kësaj fare në origjinën e vet në sitin e Lin 3, mund të japë informacione nga më interesantet” tregon drejtuesi i projektit Adrian Anastasi.
“Dhe në kontekstin e përgjithshëm të kërkimeve në neolitik, Ballkani ka qenë një nga rrënjët kur njerëzit nga Anadolli sollën bujqësinë në përgjithësi në Evropë dhe ne supozojmë se veçanërisht kjo zonë përreth Linit ka qenë një nga laboratorët ku ata identifikonin metoda si t’i përshtatin praktikat e tyre bujqësore me kushtet më të ftohta dhe si të krijojnë një model bujqësor të zbatueshëm në të gjithë Evropën” thotë arkeologu Martin Hinz.
Gërmimet në Lin 3 kryhen me standarde milimetrike nën ujë, një proces i ngadaltë por që garanton saktësi absolute dhe ruan integritetin e sitit, i cili tashmë është i zonifikuar dhe i mbrojtur nga shteti shqiptar, nën ombrellën e madhe të UNESCO-s. Ky sukses ka krijuar një model të shkëlqyer që po shtrihet edhe në Liqenin e Prespës, ku tashmë është identifikuar një tjetër vendbanim nënujor i periudhës së bronzit.
“Dhe lajmet e fundit tregojnë se një punë e tillë e ngjashme do të bëhet edhe në Liqenin e Prespës. Ne kemi bërë kërkime edhe ne Liqenin e Prespës, kemi identifikuar një vendbanim nënujor apo një sit arkeologjik i cili i përket periudhës së bronxit, periudhës së vonë por nga dinamika e ndërhyrjeve të tjera që janë bërë në tokë nuk përjashtohet mundësia që të gjithë periudhat e bronxit ti kemi nën ujë, gjë që është mirë për ne si arkeologë por është mirë edhe për komunitetin nëse këto përfshihen dhe futen në standardet UNESCO” tregon arkeologu Anastasi.
Por si do t’i kthehet ky informacion publikut të gjerë? Si mundet njeriu i thjeshtë ta prekë këtë pasuri të zhytur nën ujë?
“Qëllimi jonë është që jo vetëm të bëjmë kërkime shkencore por tia afrojmë edhe publikut të gjerë… Ne kemi propozuar që meqenëse ajo mënyrë ekspozimi që duke imituar platformën siç mendohet që ka qenë në lashtësi… janë forma të konsumuara për ne. Plus që do të kalojë një fare kohe dhe do të dëmtohen… Ne do të na pëlqente që të ngrihej një godinë këtu pranë 3 vendbanimeve të mëdha… Dhe të ndërtohet aty edhe muzeu por jo të imitojmë të tjerët… vizitorët të kenë të filmuara dhe të jepen në mënyrë digjitale gjithë aspektet e punës sonë… të lidhej kamera med muzeun direkt dhe vizitorët ndjekin live gërmimin në liqen dhe në tokë” shpjegon arkeologu Ilir Gjepali.
Tetë mijë vjet më parë, banorët e hershëm të Linit prenë mijëra trungje pemësh me sëpata të thjeshta guri për të ndërtuar shtëpinë e tyre mbi ujë, duke sfiduar natyrën. Sot, pasardhësit e tyre përdorin laboratorët më të mirë të botës për t’u kthyer atyre emrin dhe dinjitetin e merituar në historinë e Europës.
“Një gjë e them me siguri që na e justifikon puna 5 vjeçare deri në këtë vit, që të rejat dhe surprizat nuk mungojnë asnjëherë nga këto vendbanime. Mendoj se çdo sezon do të sjellë të reja…” thotë drejtuesi i kërkimeve arkeologjike Adrian Anastasi.
Nën ujin e qetë të Ohrit, koha ka ndaluar, vetëm që ne të mund të kujtojmë se nga vijmë dhe sa i lashtë është rrugëtimi ynë.

