5 protestues janë vënë në pranga për sulmet ndaj Gjykatës së Apelit, ndërsa 15 të tjerë janë në kërkim. 5 të arrestuarit, Ardit Plaku, Sebastian Rizvani, Lefter Deda, Pashk Paluca, janë të moshave 20-37 vjeç. Në pranga edhe një i mitur 16 vjeç.
Policia i ka sekuestruar të miturit edhe disa lëndë piroteknike. Gjatë sulmit, protestuesit thyen e shkatërruan xhamat, si dhe shkaktuan disa dëme brenda ambienteve të gjykatës.
Njoftimi i policisë:
Dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e godinës së Gjykatës së Apelit, vihen në pranga 5 shtetas, shpallen në kërkim 15 të tjerë.
Sekuestrohet një sasi lëndësh piroteknike.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera përgjatë tubimit të sotëm, te Gjykata e Apelit, u identifikuan 20 shtetas që dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e këtij institucioni.
Në vijim, u arrestuan 5 prej tyre, konkretisht shtetasit: A. P., 37 vjeç, S. R., 32 vjeç, L. D., 20 vjeç, P. P., 24 vjeç dhe një i mitur 16 vjeç.
16-vjeçarit, gjatë kontrollit, iu gjetën lëndë piroteknike.
Gjithashtu, u shpallën kërkim 15 shtetas të tjerë. Punohet për kapjen e tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

