Flamur Noka kosiderohet si një nga besnikët e padiskutueshëm dhe të verbër të Sali Berishës dhe Familjes së tij. Por, me proçkën e ditëve të fundit, duke nxjerrë në skenë shoqen e tij Mereme Sela për të demokratizuar garën për kreu e PD-së, edhe pse me qëllim të mirë, ka nervozuar si kurrë më parë Sali Berishën dhe Familjen e tij, duke u telendisur dhe degraduar planin e ambalazhuar me garë për kontrollin e Partisë Demokratike për vitet në vijim.
Në një kohë kur Noka ishte ngarkuar për të gjetur ndonjë ‘kandidat’ disi të pranueshëm, të përafërt me Maqo Lakrorin apo Eduard Selamin, që as mos t’a rrezikonte Doktorin, por as mos të ishte i vetëm në ‘garë’, Noka si shejtanbudalla gjeti shoqen e tij, Mereme Sela, një personazh anonim dhe qesharak, e njohur gjerësisht si seksere pranë QSUT.
“Mereme Sela është demokrate, është anëtare e partisë. Plotësimi i kritereve është çështje e institucioneve, por ajo është demokrate”, deklaroi Noka pasi e kishte bindur Mere Selën të kandidonte me një platformë, ku si pikë kryesore kishte trajtimin e të vdekurve. Për disa orë, Meremja, si asi nën mëngë i Nokës, telendisi procesin e Berishës për të mbajtur ‘për qafe’ PD-në, duke e kthyer në skeç Portokallie.
Si mos të mjaftonte telendisja e Doktorit dhe e partisë në publik, proçka e Nokës detyroi Berishën të urdhëronte përjashtimin e Meremes si kandidate, duke i dhënë një dimesion edhe më komik procesit. Krahas Familjes Berisha, më të revoltuar dhe të nxehur me Flamur Nokën janë Belind Këlliçi dhe Gaz Bardhi, dy pretendentë të heshtur për të marrë një ditë drejtimin e PD-së, kuptohet kur Berisha të mos jetë më.
Duke qenë më afër tij, Belind Këlliçi duket se i ka fryrë më shumë në vesh Shkëlzen Berishës për pasojat në imazh të lojës së Nokës me Meremen. Sipas burimeve, ndonëse nuk ka vënë në dyshim qëllimin e tij të mirë dhe besnikërinë ndaj Doktorit, Shkëlzeni e ka ‘shpëlarë’ pardje Flamur Nokën, duke i kërkuar llogari se ku e gjeti një personazh si Meremen dhe me kë u konsultua para se t’a ekspozonte në media si ‘rivale’ të Doktorit për kreun e PD-së.
Sipas burimeve, Shkëlzeni, i cili është kryetari operacional e partisë, që vendos për kandidatët, financat, lobingjet, kontaktet me oligarkët dhe krimin, organizimin, pazaret me pushtetin etj., para se t’i kërkonte llogari Nokës, ka folur me Alfred Lelën, kryekëshilltarin mediatik të Berishës. Lela, i cili nuk e fsheh njëfarë alergjie ndaj Nokës, i ka raportuar Shkëlzenit se Noka ka vepruar në kokën e tij për çështjen ‘Mereme’.

