Protestat flamingo dhe revolucioni hibrid pa emër ku emri studentor ka 15 ditë që i është vendosur, ku më shumë se studentor duhet të quhet “shumë emrorë”.
Në pamje të parë duket si revolucioni kinez, me sloganin kryesor dhe devizën e revolucionit të Mao Ce Dunit …”fshati të rrethoi qytetin”.
Në Kinën revolucionare bëhej fjalë për një strategji pushteti në kushtet e luftës. Në Tiranën e sotme, ideja se mjafton të sjellësh njerëz nga periferia për të marrë politikisht qendrën do të ishte një keqkuptim i thellë i demokracisë.
Kryeqyteti mund të rrethohet fizikisht. Besimi i qytetarëve nuk merret me rrethim.
Protestuesit nga zonat rural nuk janë ushtri për t’u hedhur kundër kryeqytetit. Janë komunitete me njerëz që punojnë, studiojnë, paguajnë taksa dhe përballen me halle reale. Ata kanë të njëjtën të drejtë për të protestuar si kushdo tjetër.
Po aq i gabuar do të ishte zëvendësimi i emrit “studentor” me “verior” i përdorur nga shumë sharlatan të medias dhe politikës, për të përdhosur dhe minimizuar rëndësin e ngjarjes me spekterin krahinor të pjesëmarrjes, kur në fakt në protestë ka pjesëmarrje nga gjithë Shqipëria, madje edhe nga trevat shqipëfolëse, por pa shtetësi shqiptare dhe pa përkatësi krahinore.
Askush nuk duhet ta mendoj se prejardhja shpjegon bindjet, sjelljen apo përgjegjësinë individuale. Një protestë nuk bëhet më e drejtë nga adresa e pjesëmarrësve dhe as më pak legjitime nga vendlindja e tyre.
Një protestë mund të nisë pa udhëheqës, pa podium dhe pa një organizim të përkryer. Zemërimi shpesh mbërrin në shesh përpara se të marrë formën e një programi. Por, kur një lëvizje pretendon të flasë në emër të studentëve, ajo duhet t’i përgjigjet një pyetjeje që nuk zgjidhet me brohoritje por me fakte: Kush e ka autorizuar ta përfaqësojë këtë komunitet?
Emri “studentor” nuk është një dekor që i vendoset çdo tubimi për t’i dhënë pafajësi, energji rinore dhe autoritet moral. Ai krijon një përgjegjësi publike. Kërkon lidhje me universitetet, kërkesa të kuptueshme dhe një mënyrë të besueshme për të dëgjuar studentët që pretendohet se përfaqësohen.
Përndryshe, kemi një revolucion hibrid në kërkim të një emri: Pak revoltë sociale, pak spektakël mediatik, pak ambicie politike dhe shumë paqartësi për atë që synohet të ndodhë të nesërmen.
Etiketa “flamingo” mund të shërbejë si ironi për një politikë që kërkon të bjerë në sy përpara se të bindë. Sepse problemi i spektaklit është pikërisht ky: Prodhon pamje të forta, por pamja nuk mjafton për të prodhuar përfaqësim. Një simbol mund të bëhet viral brenda një nate… besimi kërkon shumë më tepër!
Nëse organizatorët kërkojnë pjesëmarrjen e periferisë vetëm për të mbushur bulevardin, por nuk kanë asgjë për të thënë për transportin, arsimin, punësimin dhe shërbimet në ato zona, atëherë marrëdhënia e tyre me qytetarët është thjesht instrumentale. I duan në shesh, por nuk i kanë në program.
Këtu dështon fantazia e revolucionit të importuar drejt qendrës. Njerëzit nuk mund të trajtohen si material për një fotografi politike. Zemërimi i tyre meriton përgjigje, jo vetëm drejtim drejt një kordoni policor.
Edhe dhuna, kudo që ndodh dhe nga kushdo që ushtrohet, duhet gjykuar për veprimin konkret. Nëse thyhet një xham, digjet një pronë apo sulmohet një institucion, përgjegjësia duhet të lidhet me autorët dhe provat. As etiketa “student” nuk jep imunitet dhe pafajësi dhe as prania në protestë nuk e bën dikë automatikisht fajtor.
Forca politike e një lëvizjeje shihet te njerëzit që bind, te kërkesat që qartëson dhe te ndryshimet që arrin.
Tirana nuk është një kështjellë që pret të pushtohet…është një qytet që duhet bindur!
Sheshi jep mundësinë për t’u dëgjuar, por përgjegjësia fillon me atë që thua dhe bën pasi e ke marrë vëmendjen./Ekskluzive.al

