Një ditë pasi kërkoi të përfshihej si palë e tretë në procesin gjyqësor kundër emërimit të prokurorit të SPAK-ut, Ols Dado, ish-prokurori Tom Deda ka reaguar sërish.
Në një postim në rrjete sociale Deda pretendon se Dado është emëruar në vendin e tij, pasi ai u shkarkua nga detyra, dhe ngre pikëpyetje mbi plotësimin e kritereve ligjore për emërimin e tij si prokuror në vitin 2008. Ai i kërkon Dados të japë dorëheqjen dhe paralajmëron se do ta vazhdojë betejën ligjore.
Reagimi i plotë i ish-prokurorit Tom Deda:
Unë isha dje në një gjyq në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, si pjesë e atij procesi ku Erion Veliaj kishte kërkuar pavlefshmërinë absolute të dekretit të ish-Presidentit të Republikës për dekretimin e Ols Dados si prokuror në nëntor të vitit 2008.
Gjithçka rrotullohej rreth faktit nëse Ols Dado, që sot është prokuror i SPAK-ut, i ka plotësuar kriteret për t’u emëruar prokuror ose jo. Në fakt, nuk i ka plotësuar, pasi ai është emëruar dhe dekretuar si prokuror nga profesioni i noterit, gjë që ligji nuk e ka parashikuar kurrë. Nejse, gjyqtari, një mjeran i quajtur Azbi Balliu, na e rrëzoi kërkesën.
Por unë, me këtë rast, ngre një problem madhor. Ore ti, Ols Dado, a ke një fije ndërgjegjeje? A ke pak moral? A je betuar ti t’i shërbesh ligjit dhe Kushtetutës? A do të thuash ti të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë përveç së vërtetës?
O Ols Dado, po oficerët e Byrosë së Hetimit janë të detyruar me ligj që të kalojnë edhe poligrafin, makinën e së vërtetës. Ti duhet të jesh akoma më i sinqertë dhe akoma më i ndershëm, sepse je drejtuesi i tyre.
Ti ke kapur një post ku populli shqiptar, Europa dhe Amerika i kanë sytë dhe shpresat nga ti. Trego të vërtetën, o njeri. Ore, a e ke kryer ti Shkollën e Magjistraturës?
A ishe ti oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurori për pesë vjet? Nëse përgjigjja është jo, ore, po si u bëre ti prokuror? Në çfarë mënyre? Apo pagove diçka, se s’të bën kush kot prokuror nga noter.
A e di ti, zoti Dado, se në jetë ka pasur persona që kanë mashtruar njerëz apo institucione, duke u prezantuar si prokurorë? A e di ti se ata janë dënuar me burg?
O ti, zoti Dado, ki guximin njerëzor, shqiptar dhe juridik dhe jep dorëheqjen, o njeri, se të kapën, mor burrë, se të doli boja.
Por ki guximin të tregosh të vërtetën, sepse ti edhe pasqyron sistemin, o njeri, dhe i ul imazhin.
Mos harro se, që të emëroheshe ti prokuror, është dashur të largohesha nga puna unë ose një prokuror tjetër.
O ti, Ols Dado, ne do ta vazhdojmë betejën dhe e vërteta do të dalë sheshit një ditë.
Por ti nuk e bën dot këtë gjë, sepse ata që të bënë ty prokuror janë në poste të larta drejtuese edhe sot.
lajm ne perditesim…

