Vata i Irlandës përplaset me futbollistët e Kosovës: A je shqiptar? Më shanë, njëri prej tyre erdhi në dhomat e zhveshjes

Vata i Irlandës përplaset me futbollistët e Kosovës: A je shqiptar? Më shanë, njëri prej tyre erdhi në dhomat e zhveshjes

Rocco Vata ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij me përfaqësuesen e Irlandës. Sulmuesi shqiptar u aktivizua për disa minuta në sfidën ndaj Kosovës, duke konfirmuar përfundimisht zgjedhjen e tij për të përfaqësuar irlandezët në arenën ndërkombëtare dhe duke mbyllur kështu mundësinë për të luajtur në të ardhmen me Shqipërinë.

Pas përfundimit të ndeshjes, Vata ndau disa momente emocionuese, duke folur për praninë e gjyshes së tij në stadium, por edhe për një episod të veçantë me futbollistët e Kosovës. Ai zbuloi se gjatë takimit ishte fyer nga disa prej tyre, ndërsa njëri prej lojtarëve i kërkoi falje në dhomat e zhveshjes.

Gjyshja e Rocco Vatës, Arsyeja që zgjodhi këtë përfaqësuese

“Gjyshja ime është irlandezja më krenare që mund të ekzistojë. Pas ndeshjes po e kërkoja nëpër tribuna, kur dëgjova zërin e saj që bërtiste mes turmës. E gjeta dhe ishte shumë e emocionuar.

Ajo kishte ardhur edhe në ndeshjen e fundit në shtëpi ku unë isha pjesë e skuadrës, por nuk u aktivizova. Megjithatë, ishte shumë e lumtur”.

Episodi me lojtarët e Kosovës

“Kur isha në zonë dhe po përpiqesha të shpërqendroja portierin, ata kishin disa gjëra për të më thënë. Unë i kuptova.

Më thanë: ‘Ti je shqiptar?’ dhe më pas më shanë. Unë iu përgjigja: ‘Po, nuk ka problem’. Pas ndeshjes, ai lojtar erdhi dhe më kërkoi falje, gjë që ishte e bukur”.

Biseda me trajnerin e Irlandës

“Fola me trajnerin përpara ndeshjes dhe i thashë se sa mirënjohës jam që më ka dhënë një mundësi.

Sigurisht, aktualisht në klub situata është paksa e vështirë. Por trajneri e di se mund t’i jap diçka skuadrës dhe vazhdon të më zgjedhë.

Gjatë dy muajve të fundit, thjesht kam pritur me padurim të vija këtu. Këtu mbushem me vetëbesim. Heimir është shumë i mirë në menaxhimin e lojtarëve.

Ai di të të japë këshilla konkrete, të cilat të ndihmojnë në lojën tënde dhe të rrisin vetëbesimin.

Këtë mëngjes pata një bisedë shumë të mirë me të, që zgjati rreth 45 minuta. Folëm për mënyrën se si duhet ta përballoj situatën në klub. Unë thjesht duhet të përqendrohem te puna ime dhe të vazhdoj të punoj sa më shumë që të mundem.

Ishte vërtet shumë e vështirë sezonin e kaluar, kur pësova dy dëmtime radhazi. Por tani ndiej se po rikthehem edhe më mirë. Jo thjesht në të njëjtin nivel, por edhe më mirë se sezonin e kaluar. Ndihem më i fortë”.