Himara kaloi një natë tmerri, mbrëmjen e 4 shtatorit. Flakët nisën në kodër, pranë zonës së Bypassit, por era e fortë i përhapi me shpejtësi, duke i zbritur drejt qytetit, i cili ende është i mbushur me turistë.
Në pak minuta, flakët iu afruan banesave, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe pushuesve.
Report TV solli pamjet pas mesnate, nga qyteti bregdetar në kaos, me njerëz që lanë banesat për t’iu larguar rrezikut.
6 banesa u dogjën, 3 prej tyre ishin të banuara. Në lagjen “1 Maji” u larguan nga zona e rrezikut 36 persona, të cilët mëngjesin e se shtunës u kthyen në banesa.
Flakët përfshinë sipërfaqe të mëdha me ullishte. Era bëri që flakët të merrnin menjëherë dhe të përparonin drejt banesave.
“Sa vete i fikje pemët, sa fryn pak erë marrin flakë, erdhi nga lartë, mezi kemi shpëtuar, mezi kemi ikur me makina”, thotë Genta Ramaj.
Shpejtësia me të cilën u përhap zjarri vështirësoi edhe punën e zjarrfikësve.
“Janë lodhur edhe zjarrfikësit atje janë lodhur, s’kanë faj edhe ata, se për 3 sekonda erdhi zjarri këtu”, vijoi Genta Ramaj.
Banorët tentuan të mbronin pronat e tyre duke lagur oborret me ujë.
“Janë djegur komplet ullinjtë, llastikët i lamë hapur, për 10 minuta i kemi vaditur të gjitha, ne morëm makinat dhe ikëm të gjithë nga shtëpia”, vijon banorja.
Në rrezik u ndjenë edhe turistët që kishin zgjedhur Himarën për pushime.
“Turistët i pamë të gjithë të ikin me valixhe”, shprehet banorja.
Një tjetër banore, e cila ka shtëpi pushimi me qira tregon se turistët u orientuan drejt qendrës së Himarës, derisa situata u qetësua.
“Unë kam ambiente shërbimi, të gjithë turistët u evakuuan për sigurinë e tyre, i thamë të zbresin poshtë në qendër derisa të qetësohet gjendja”, thotë ajo.
Pas orëve të tmerrit, Himara është zgjuar në një situatë dukshëm më të qetë por banorët me lot në sy po shohin dëmet. Pamjet me dron të Report TV tregojnë nga lart përmasat e zjarrit, me sipërfaqe të tëra të shkrumbuara vetëm pak metra larg detit.
“Erdhi zjarri nga lart nga një cik nga një cik, erdhi poshtë te ne, për 15 minuta. Policia na nxori jashtë. U dogj shtëpia e një kushëririt të burrit tim. Zjarri është futur brenda çdo gjëje. Policia na dha ndihmën e parë”, thotë një banore tjetër.
Flakët janë vënë nën kontroll, ndërsa vijon puna për shuarjen e plotë të vatrave. Në terren janë angazhuar dhjetëra forca të ushtrisë dhe një helikopter.

