VIDEO/ Rama me diasporën në Michigan: Shqipëria tani është një adresë ku bota troket! Nuk jemi më vend mbijetese, por vend shprese

VIDEO/ Rama me diasporën në Michigan: Shqipëria tani është një adresë ku bota troket! Nuk jemi më vend mbijetese, por vend shprese

Kryeministri Edi Rama e nisi vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara me një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, përpara angazhimeve në kuadër të javës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Kryeministri e nisi fjalën e tij duke sjellë në vëmendje një fakt simbolik nga Michigan-i, ku, siç tregoi ai, disa vite më parë ishte regjistruar për herë të parë një flamingo si vizitor. Duke e lidhur këtë edhe me debatin që flamingot kanë nxitur në Shqipëri në lidhje me mjedisin, ekonominë dhe zhvillimin, Rama tha se kjo tregon një ndryshim të vetë shoqërisë shqiptare.

Sipas tij, shqiptarët nuk jetojnë më me logjikën e vjetër se “ka dhe më keq”, por gjithnjë e më shumë kërkojnë që gjërat të bëhen më mirë.

“Shqiptarët sot jetojnë me idenë se tani ka dhe më mirë”, tha Rama, duke shtuar se kjo, sipas tij, është pjesë e “Shqipërisë së re”.

Një pjesë të veçantë të fjalimit kryeministri ia kushtoi diasporës. Ai e përshkroi diasporën e deridjeshme si “një det të madh energjie”, por pa mekanizma të mjaftueshëm për të kanalizuar mundësitë dhe kontributet e saj.

Sipas kryeministrit, marrëdhënia mes emigracionit shqiptar dhe vendit ka ndryshuar krahas transformimit ekonomik të Shqipërisë.

“Tani ju në Shqipëri nuk dërgoni më para për bukë apo për ilaçe, për mbijetesë. 90 për qind e familjeve kanë përfituar këto 35 vjet së paku një herë nga diaspora shqiptare. Tani ne nuk jemi një vend mbijetese, por një vend shprese”, u shpreh ai.

Rama shtoi ndër të tjera se diaspora nuk duhet të shihet thjesht si një burim remitancash.

“Diaspora nuk është një llogari bankare e atdheut, por është një rrjet i madh njerëzish që mbajnë sytë nga atdheu”, tha kryeministri.

Ai përmendi votën e diasporës në zgjedhjet e fundit dhe tha se tashmë po ndërtohet një strategji më e gjerë në kuadër të “Shqipërisë 2030”, me diasporën në qendër të saj.

“Tani kemi një strategji më të gjerë të Shqipërisë 2030, e cila e ka në qendër të vëmendjes diasporën. Ne po krijojmë Regjistrin Kombëtar të Diasporës, që do të jetë një dritare unike për t’u lidhur me Shqipërinë”, deklaroi Rama.

Sipas tij, shqiptarët jashtë vendit janë edhe një lloj matësi i ndryshimit të Shqipërisë, pasi e shohin vendin me një distancë tjetër.

“Ajo e shikon ndryshimin më mirë, më qartë, pasi ajo nuk jeton me kantierin, por me rezultatin”, tha Rama.