Sot shënohen 30 vjet nga dita e rënies së bustit të Enver Hoxhës. Në 20 shkurt të vitit 1991 me qindra qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës, për të shembur simbolin e komunizmit dhe rrjedhimisht regjimin komunist.
Por për zotin Muharrem Xhafa, ish-shefi i Sektorit të Edukimit në Komitetin Qendror të PPSH, rrëzimi i bustit të Enverit nuk ndodhi për shkak të revoltës popullore. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Xhafa shprehu dje bindjen se rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në 20 shkurt të ‘91, sipas tij, ishte një skenar i organizuar nga ish-presidenti i kohës, Ramiz Alia dhe ish-ministri i Brendshëm, Hekuran Isai.
“Përrallave të dimrit të shkurtit 1991 dhe dënglave të opozitës, që monumentin e Enver Hoxhës e rrëzuan forcat “demokratike” të popullit, reaksioni e llumit socialist, siç llomotiste Alia nëpër dhëmbë, u doli boja! Se pushteti popullor ato i bënte zap për pesë minuta, në emër të ligjit!
Populli e kuptoi qartë se monumenti i Enverit nuk u mbrojt dhe se organet e mbrojtjes, të rendit dhe Partia e Punës u nxorën jashtë loje nga Ramiz Alia dhe vegla e tij, Hekuran Isai, me të tjerë rreth kupolës së tradhtisë. Populli e kuptoi qartë se ato 10 a 15 mijë vetë, të mbledhur në sheshin “Skënderbej” shumica sehirxhinj, nuk përfaqësonin e as nuk mund të përfaqësonin popullin shqiptar, forcën e vullnetin e tij”, deklaroi ai.
Rrëzimi i bustit dhe roli i Berishës
Më tej dhe me tona të ashpra, ish-funksionari i lartë i Partisë së Punës, Muharrem Xhafa hodhi akuza të rënda në adresë të ish-presidentit Ramiz Alia dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit pretendon se turmën e organizoi dhe e nxiti ai për të rrëzuar bustin e Enver Hoxhës.
Por sipas Xhafës, e vërteta është krejt ndryshe. Për zotin Xhafa, Berisha nuk kishte rol në rrëzimin e bustit dhe se sipas tij, ai ishte i infiltruar nga Ramiz Alia. “Qenë hequr njëri pas tjetrit monumentet e Stalinit dhe Leninit në Tiranë. President i vendit dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së ishte Ramiz Alia. Çdo njeri me “dy pare mend në kokë” e kuptoi se ishte Ramiz Alia me të tijtë, jo opozita, ai që i kishte organizuar e realizuar natën këto dy aksione kriminale me mjetet e shtetit. Se pa lejen e tij askush nuk mund të vinte dorë!
Ishte ky një matje pulsi edhe për shumë “palokomunistë e paloudhëheqës” të urryer të PPSH-së, një “trokitje” për monumentin e shokut Enver! Përgatitjet, “kopsitur” me Berishën, për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, kishin filluar. Berisha asgjë nuk bënte e nuk mund të bënte pa dijeninë e pa yzmin e “idhullit” të tij, Ramiz Alia”, u shpreh ai.
Ja si Alia mblodhi në takim besnikët e tij
Por nuk ndalet me kaq, pasi gjatë reagimit të tij për gazetën “SOT”, ish-funksionari i lartë i Partisë së Punës, Muharrem Xhafa zbuloi edhe skenarin që përdori ish-presidenti Ramiz Alia në ditën kur ra busti i Enver Hoxhës. Sipas tij, rrëzimi i shtatores së Hoxhës ishte skenar i përgatitur nga zoti Alia dhe këtë gjë e tregoi qartë edhe fakti që ai në mbledhjen që zhvilloi për këtë çështje kishte ftuar vetëm besnikët e tij.
Pra, për Muharrem Xhafën, ndërsa Alia po zhvillonte mbledhjen me besnikët, ish-ministri Isai ishte në terren për të zbatuar planin ogurzi të Alisë për të bërë realitet rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës. “Alia nuk “guxoi” ta shtronte për diskutim në popull çështjen e monumentit të Enver Hoxhës, siç kishte premtuar publikisht në televizionin shtetëror shqiptar.
Mjeshtër i kurtheve të errëta, më 20 shkurt 1991, ai thirri dhe mbylli në Sallën e Madhe të KQ të PPSH-së anëtarë të KQ dhe sekretarë të parë të KP të rretheve, ministra e anëtarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, i rrethoi me forcat besnike të tij, që të mos kishin mundësi të reagonin në kohën e beftë, kur ky të jepte lajmin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. H. Isai me shokët e tij s’ishte në sallën e mbledhjes, sepse ishte i ngarkuar në krye të operacionit për rrëzimin e monumentit të Enverit, pa i hyrë kujt “gjemb në këmbë””, nënvizoi Xhafa.
Ai ka treguar më pas se si Hekuran Isai njoftoi Ramiz Alinë se e kishte përmbushur detyrën. “Në sallë, të pranishmit e kuptuan se ishte ministri i Brendshëm, ai që njoftoi Ramiz Alinë për zbatimin e detyrës, po Alia nuk e njoftoi në çast mbledhjen për çfarë i tha Hekurani, ia la ta sillte lajmin (ai e dinte), pak më vonë, një nëpunësi të stafit të tij.
Mjeshtri i kulisave të errta, ndërsa komunikoi lajmin “tori” ca pallavra për mbrojtjen me çdo kusht të monumentit të Enver Hoxhës, po kjo ishte sa për të kaluar “lumin”! E tradhtoi fytyra e tij e verdhë. Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës ishte dëshmia më e qartë që Alia i kishte dhënë fund mbrojtjes së mësimeve të Enver Hoxhës, LANÇ-it dhe socializmit”, deklaroi dje për gazetën “SOT”, Muharrem Xhafa, ish-funksionar i lartë i Partisë së Punës.