Ish kryetari i Partisë Demokratike 2013-2022, Lulzim Basha, i larguar nga politika pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit, ku nuk mundi të fitojë as mandatin e tij të deputetit, u shfaq papritur dje në SPAK rreth orës 16.00 të pasdites së kësaj të enjteje, 30 tetor, për çështjen e 21 Janarit. Pas 1 orë e 20 minuta përballë prokurorit të posaçëm Alfred Shehu ish-kreu i PD-së Lulzim Basha, u shfaq i rezervuar të tregojë publikisht se për çfarë ishte në SPAK.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha zbuloi në “Top Story” se çfarë ka deklaruar ish-kreu i PD para prokurorëve të posaçëm. Sipas burimeve të saj, Basha ka pohuar se nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe se ka zbatuar detyrën.
Ndërkaq, Dorian Matlija, avokat i disa familjarëve të viktimave të 21 Janarit, duke komentuar thirrjen e Lulzim Bashës në SPAK, u shpreh se në audipërgjimin që ka prokuroria dyshohet se ka pjesë të tij, që flet në radiomarrëse, në rolin e ministrit të Brendshëm të asaj kohe.
“Hetimi ka lidhje me predhën që u gjet në trupin e Aleks Nikës. Sot ka mjete më të specializuara. Edhe me audiopërgjimin që ka SPAK, mund të zbardhet ngjarja. Shoh që ka mundësi të mira. Kemi parasysh që Basha ka qenë Ministër i Brendshëm. Jo vetëm kaq, por edhe në audiopërgjimin e dorëzuar në SPAK përmendet një frazë ja po të kaloj ministrin. Këtu audio pritet, por më kanë thënë që audio që ka shkuar në prokurori është më e gjerë dhe ka pjesë të Bashës që flet në radio“, tha Matlija.
Më shumë sa dëshmia e Bashës dhe copëza përgjigmesh, SPAK mund t’a ndihmojë ndryshimi i sjelljes së Sali Berishë në raport me 21 Janarin që nga dita e vrasjes së katër protestuesve të pafajshëm dhe deri më sot.
Që nga pasditja e 21 Janarit 2011 dhe deri pak ditë më parë, Sali Berisha ka sajuar rreth 30 alibi për krimin, të cilat i ka modifikuar dhe ndryshuar me kalimin e kohës, sipas rrethanave dhe provat që e nxirrnin zbuluar. Alibitë dhe deklaratat kontradiktore të Sali Berishës për 21 Janarin, të cilat po i sjellim sot në vëmendje, janë një sfidë për SPAK. Menjëherë pas vrasjeve, Sali Berisha doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se protestuesit ishin vrarë nga brenda turmës. Në funksion të këtij versioni, doli edhe një mjek i Spitalit Ushtarak, i cili tha se plagët e viktimave ishin shkaktuar nga afër. Por, vetëm disa orë më pas, kur u shfaq videoja e vrasjes së Ziver Veizit nga gardisti Agim Llupo, Berisha pranoi vrasjen, por shtoi se Garda kishte zbatuar ligjin, pasi demonstruesit ishin vrarë brenda rrethimit.
Kur u vërtetua se protestuesit ishin vrarë jashtë rrethimit, Berisha tha se një prej protestuesve ishte vrarë me plumb rikoshet, ndërsa për të tjerët nuk kishte autor. Alibinë e rikoshetit e ka shprehur në 7 shkurt 2011. Pjesë e alibive ishte edhe sajimi i puçit të shtetit dhe ngritja e komisionit hetimor, menjëherë pas vrasjeve. Gjithashtu, Berisha nuk lejoi as zbatimin e urdhrit të Prokurorisë për arrestimin e komandës së Gardës. Urdhrin e ish-kryeprokurores Ina Rama e konsideroi si pjesë të planit B të puçit. Në fakt, gardistët nuk u dorëzuan për një arsye tjetër, për të fituar kohë për të koordinuar dëshmitë para prokurorëve dhe për t’i përgatitur ata që të mos jenin asnjë informacion sa i takon urdhëruesve.
Edhe për urdhrat ndaj Gardës së Republikës, Sali Berisha ka shpikur një alibi, sipas të cilës garda nuk merr urdhra për të vrarë, por urdhri i saj është rregullorja, e cila në asnjë rrethanë nuk parashikon vrasjen e protestuesve, edhe nëse futen brenda rrethimit. Dyshimet janë të forta se urdhri është dhënë verbalisht, bashkë me premtimin e mbrojtjes nga ndëshkimi ligjor.
Pamjet filmike të serverit të Kryeministrisë, si prova kryesore për të zbardhur ngjarjen dhe për të ngritur akuzën për përgjegjësit e vrasjeve, u zhdukën natën e 21 Janarit në ambientet e Kryeministrisë. Zhdukja e pamjeve filmike u vërtetua edhe nga FBI. Për zhdukjen e pamjeve filmike prokuroria akuzoi shefin e IT, Armando Kasa, por ky i fundit i shpëtoi drejtësisë, siç i shpëtuan edhe vrasësit. Për t’u shfajësuar për fshirjen e pamjeve filmike nga serveri i Kryeministrisë, në orën 01:00 të natës, duke u gdhirë 22 Janari, Berisha deklaroi në 23 Janar se kishte urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm Gjergj Lezhjan që t’i vinte pamjet në dispozicion Prokurorisë.
Kur të gjitha alibitë i ranë, Berisha jo vetëm pranoi vrasjet nga Garda në bulevard, por deklaroi se mund të vriteshin edhe 30 apo 300 protestues. Pesë vite pas krimit, pikërisht në vitin 2016, Berisha, i bindur se drejtësia tashmë nuk do të vepronte më, hoqi krejtësisht maskën teksa deklaroi planin për të vrarë edhe Edi Ramën në 21 Janar. Sipas tij, nëse kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, sot kryeministër nuk do të tërhiqej, sot nuk do të ishte gjallë.
Alibitë e Sali Berishës për 21 Janarin
23 Janar 2011, pasdite
“Garda e Republikës, e cila është e vetmja që ka të gjithë përgjegjësinë për mbrojtjen e territorit brenda gardhit, ka qëlluar në ajër. Nuk ka mbetur njeri i vrarë. Edhe pse hynë njerëz brenda territorit, fatmirësisht, nuk mbeti njeri aty. Më vonë u shpall nga organizatorët se ka të vdekur. Nga Spitali Ushtarak u informova për viktimat. Puçi dështoi”.
23 Janar 2011, pasdite
“Kryeministri i vendit ishte në karrigen e tij. Fluturonin plumbat mbi seli, por unë s’mund të largohesha. As nuk e kisha ndër mend. Ndaj, ndiej një keqardhje të madhe për tre të vrarët. Nuk do të donim asnjë. Kush i vrau? Si u vranë? Gjëja e parë që kam bërë, u kam shprehur ngushëllimet e mia familjeve. I kam kërkuar Prokurorisë së Shtetit hetim të plotë, për të zbardhur të gjitha rrethanat”.
23 Janar 2011
“I kam kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të vërë në dispozicion të Prokurorisë të gjithë videon e Kryeministrisë. Kryeministria ka një sistem videosh te vetin, përveç asaj që ka Garda, përveç asaj që vendos policia. Kamerat tuaja ishin të plota. Në këtë kontekst, me bindjen time kishte një material të plotë për të saktësuar se nga erdhën plumbat, si u vra dhe ku u vranë, pra të gjitha rrethanat”.
23 janar 2011
“Tani, me qenë se jam këtu, para familjeve të viktimave (sepse njëra nga ato familje përfaqësoi të gjitha familjet, e përzuri nga dhoma njeriun e PS-së duke i thënë: “Kriminel, më vrave vëllanë! Ik!” dhe ky as u skuq e as u zverdh, por doli para mediave dhe tha: “Shqipërisë i duhen dëshmorë”, është e regjistruar), dua t’u them atyre familjeve se në mënyrë absolute do të bëhet një hetim më i plotë dhe më i mirë. Se çfarë përgjegjësie i vini ju Edi Ramës që ftoi njerëzit tuaj për në grusht shteti, është në tagrin tuaj. Përgjegjësia ime është që të bëhet një hetim i plotë”.
24 Janar 2011
“Zonja që liron njeriun që u vërsul me pistoletë drejt gardistëve, të cilët e mbrojnë, duhet të ketë të qartë se ka hyrë në ujëra shumë të gabuara. Ndonëse puçistët vazhdojnë skenarin e tyre, ne do të vazhdojmë detyrat tona si qeveri”.
24 Janar 2011
“Në një grusht shteti mund të mos vritet asnjë, mund të vriten 3, 30 apo 300. Grushti i shtetit nuk mund të kalojë. Kjo është absolute. Forca e institucioneve të një shteti demokratik është e hekurt. Mjerë ata që e provojnë!…”
25 Janar 2011
“Urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria e Përgjithshme për gjashtë drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, nuk do të zbatohen në mënyrë absolute, në bazë të Kodit të Procedurës Penale”.
25 Janar 2011
“Një gjë është e sigurt, në atë oborr ai që shkel apo guxon të shkelë, në rast se nuk largohet me të shtëna paralajmëruese nuk do të mund të largohet kurrë me këmbët e tij më. Ky është rregulli i çdo vendi demokratik. Shko ti shtyja portën një institucioni të huaj dhe do shohësh cili është reagimi, cila është përgjigjja që merr”.
2 Shkurt 2011
“Dua të theksoj edhe njëherë atë që theksoi Komisioni parlamentar, që një hetim parlamentar për tre-katër gazetarë nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë e tyre dhe unë ju garantoj për këtë, por ka lidhje me implikimet direkte, në urdhra direkte, të dhunës dhe puçit”.
7 Shkurt 2011
“Mirë njëri që ishte nga rikosheti, siç e botojnë vetë në media, po të tjerët. Jemi të interesuar për një hetim të plotë e të gjithanshëm të rrethanave në të cilën humbën jetën katër qytetarët. Kush ishte dora e zezë?”.
9 Shkurt 2011
“Pasi unë kisha ftuar ndrikullën e puçit të vazhdojë hetimin, tre orë mbrapa, kjo marrëveshje u shkel me urdhër që mori zonja Rama. Natyrisht, e bëri këtë me urdhër”.
19 Janar 2012
“Ka mundësi të kenë qenë plumbat rikoshet të Gardës Kombëtare, e cila ka përdorur armë në kushte të ligjshme mjaft strikte”.
21 Janar 2012
“Pati 4 viktima, dhe asnjë prej tyre nuk u shkaktua nga policia. Jo! Kjo është një provë e pastër si kristal. Ka mundësi të kenë qenë plumbat rikoshet të Gardës Kombëtare, e cila ka përdorur armë në kushte të ligjshme mjaft strikte”.
21 Janar 2012
“Sa për dijeni, truprojat e mia janë vartës së Komandantit të Gardës. Duhet ta dinë qytetarët se Komandanti i Gardës i ka në varësi të gjithanshme truprojat e mia. Komandanti i Gardës është Gjeneral, kështu që nuk merr urdhra nga asnjë person i vetëm, nuk mund të marrë urdhër nga asnjë person për të përdorur armën e zjarrit jashtë kushteve ligjore”.
9 Shkurt 2013
“Përgatiti një fjalim dhe mori një megafon me vete, u instalua në kullat për karshi, duke besuar se do mund të përshëndeste kryengritësit e tij. Pati 4 viktima. ishte përpjekje për të përmbysur një qeveri të zgjedhur me zgjedhjet të lira. Por, dështoi”.
21 Janar 2016
“Persona të pajisur me mjete dhune sulmuan barbarisht për orë të tëra ndërtesën e Kryeministrisë. Pra në këtë puç, u vranë 4 qytetarë. Zhvillimet e mëvonshme treguan se Edi Rama luajti me zjarrin me qëllimin që të merrte pushtetin”.
21 Janar 2016
“Ju komandantin e grupit që kishte armët e zjarrit në rrethin e kryeministrisë ju sot e keni kryetar të PS-së. Ka qenë oficer i rëndësishëm në Gardën e Republikës. Pasi iku nga detyra ju e zgjodhët kryetar të PS-së të një rrethi të veriut. Unë absolutisht nuk besoj se ju e keni përdorur atë për të dhënë urdhër për të qëlluar. S’kam pse ta besoj një gjë të tillë, sepse pastaj më duhet të them se ai është një kriminel. Por nuk kam asnjë të dhënë që ky oficer garde ka qenë i tillë. Komandanti i grupit që mbante kallashnikovët. Ka ligje shteti, ay ku është sot? Tani jepu përgjigje ju familjarëve ae shtytë ju atë të japë urdhër që të vriten njerëzit?”.
12 Dhjetor 2016
“Qëndrimi i tij më 21 Janar ka shënuar një pikë kthese në qëndrimin e jetës time sepse nuk e kisha konceptuar kurrë si armik. Unë deri atë ditë nuk e kisha konceptuar kurrë si armik. Por, të nesërmen, në qoftë se ai nuk do të përmbahej, ai nuk do të ishte më. Kjo ishte. Dhe ky do ishte vendimi më i dëshpëruar i jetës time”.
23 maj 2019
“Garda e përdor në të gjithë botën. Ka një ligj, që ia kanë bërë socialistët. Jo unë! Nuk kishte asnjë urdhër për Gardën. Garda ka ligjin”.
10 dhjetor 2020
“Policia nuk vrau njeri në 21 janar, i vrau garda, që është ushtri dhe jo polici”.
10 dhjetor 2020
“Nëse Edi Rama do të afrohej të nesërmen e 21 janarit pranë kryeministrisë dhe nëse vetëm një gjethe do të prekej, 5 snajperë do ta qëllonin. Ishte Thomas Countryman me të cilin i përcolla mesazhin Ramës. A e keni dëgjuar bashkëshorten e tij të thotë poshtë e lart se shërbimet sekrete i kishin thënë se Rama do të vritej, unë isha. I thashë diplomatit të huaj se po të lëvizte edhe një gjethe në territorin e kryeministrisë ai (Rama) do ta kishte në lule të ballit nga 5 snajperë”.

